“Besoj se ishin shkëmbime të dobishme pasi sa më shumë argumente të njihen dhe sa më shumë çështje të sqarohen, aq më mirë i bën të gjithë këtij procesi kaq shumë të debatuar”
Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim i cilësoi të dobishme, takimet e zhvilluara ditën e djeshme me shoqatat e ricikluesve dhe përfaqësues të Aleancës për Importin e Plehrave.Ai theksoi se takimet shërbyen për të njohur argumentet më nga afër, të një procesi shumë të debatuar. “ Sot kam pasur me kërkesë të tyre takim paradite dhe me përfaqësues të shoqatës së ricikluesve, dhe pak më parë dhe me një përfaqësi të Aleancës Kundër Importit të Plehrave. Takime të cilat siç thashë edhe më parë u kërkuan dhe nga përfaqësues të këtyre shoqatave lidhur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në momentin e shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës, i cili ka rikthyer për shqyrtim këtë ligj në Kuvend. Ky takim ishte pikërisht për të dëgjuar me qetësi të gjitha argumentet që jepen. Argumente të cilat shpesh janë dhe në studio televizive, dhe besoj se është më e dobishme që këto argumente të dëgjohen, apo sqarime, apo plotësime, mund t’i konsideroni si të doni, të cilat jepen në një takim të drejtë për drejtë ku mund të flitet hapur për gjithçka.Kështu që edhe paradite, edhe tani në drekë, ishin besoj takime që kishin të bënin pikërisht me shikimin, dëgjimin dhe me kthjellimin e shumë çështjeve të një problemi, që ka ndezur jo pak vëmendjen e opinionit publik, ka krijuar një sensibilitet të lartë shoqëror, që është evident. Unë i përshëndes të dy subjektet, që ishin nismëtar për t’i kërkuar këto takime, sepse ju e dini se nuk kemi pasur më parë takime me ta, sepse nuk është kërkuar. Besoj se ishin shkëmbime të dobishme pasi sa më shumë argumente të njihen dhe sa më shumë çështje të sqarohen, aq më mirë i bën të gjithë këtij procesi kaq shumë të debatuar,” – u shpreh Vasili. Kur pritet që dekreti i presidentit të kalojë për votim në Kuvend, Kreu i grupit parlamentar të LSI –së tha se kjo çështje imponon seriozitet dhe ndërgjegjësim më të lartë për zgjedhjet ligjore. “ Sot nuk është dita e reflektimeve. Sot ishte dita për t’u thelluar në këtë argumente i cili është një argument delikat, imponon një seriozitet të lartë shoqërorë në radhë të parë, dhe si i tillë është mirë që pas dëgjimit të jemi akoma më të ndërgjegjshëm për gjithçka lidhet me fenomenin, zgjidhjet ligjore, dhe gjithçka tjetër që lidhet me to. Në mënyrë që të gjithë të jemi të qetë edhe si politikan edhe si qytetar për të gjitha vendimet që marrim për sot por dhe për nesër,” – theksoi ai.
Qëndrimi
I pyetur në lidhje me deklaratat e ministrit Manjani për çështjen e kultivimit të drogës në Shqipëri, Vasili mbështeti qëndrimin e ministrit të Drejtësisë, duke theksuar se një fenomen kriminal i tillë, kërkon seriozitet. “Besoj se gjithmonë kur flitet për një fenomen kriminal siç është kanabisi, duhet të jemi vetëm shumë serioz dhe shumë të shqetësuar,” – u shpreh Vasili. Më herët me anë të një statusi në Facebook, minisitri Manjani deklaroi se tani është momenti për ti dhënë goditje trafikimit të kanabisit dhe për të bërë një gjë të tillë duhet bashkim.
Mazhoranca parashikon 3 ndryshime në ligjin për importin e mbetjeve
Mazhoranca ka pranuar të bëjë disa ndryshime në ligjin për importin e mbetejve, pas shqetësimeve të artikulua nga Presidenti Nishani dhe shoqëria civile, e cila është kundër importit të mbetjeve në vendin tonë. Ndryshimet parashikohet të bëhen në 3 pika kryesore. E para lidhet me venien në dispozicion të një fondi të posaçëm për shoqërinë civile, për të monitoruar nga afër importin. Së dyti, parashikohen kuotave kufizuese për kompanitë e riciklimit përsa i përket sasisë së që do të mund të importojnë.Ndërsa ndryshimi i tretë lidhet me bashkitë, të cilat kanë detyrimin ligjor për të realizuar ndarjen e mbetjeve në burim.