Rama urdhër deputetëve: Nuk do largoheni jastë vendit pa marrë leje tek Gramoz Ruçi
Gëzim Saliu
Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit të ardhshëm, Partia Socialiste ka zgjedhur të deleguarit e saj në 12 qarqet e vendit. Ajo që vihet re në këtë listë të përzgjedhur nga Kryesia e PS-së është se nga 12 emra, 9 prej tyre janë ministra të kabinetit qeveritar. Po ashtu pjesë e listës është edhe kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, nënkryetari Taulant Balla dhe kreu i bashkisë Durrës Vangjush Dako. Ajo që bie në sy në këtë listë është mungesa e emrit të Koço Kokëdhimës, i cili më parë ishte koordinator i PS për rajonin Vlorë/Gjirokastër.
Lista
Kryesocialisti Rama dhe kryesia e PS-së kanë vendosur që Tiranën për zgjedhjet e 2017-ës ta drejtojë ministri i Brendshëm Saimri Tahiri, i cili mban edhe postin e kreut të PS-së së kryeqytetit. Ndërkohë në Elbasan, pas ikjes së Blushit që drejtoi këtë qark në zgjedhjet e 2013-ës, tashmë në krye do të vendoset nënkryetari i grupit parlamentar Taulant Balla. Në Fier PS ka menduar të mos bëjë asnjë ndryshim dhe sërish si i deleguar do jetë kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi. Po ashtu në Shkodër nuk pritet të ketë ndryshime, ku prej dy vitesh tashmë si i deleguar i partisë është ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Në të njejtën linjë do jetë edhe qarku i Korçës, i cili do të drejtohet në garën elektorale nga zv.kryeministri Niko Peleshi. Surprizuese duket lëvizja e Ramës në Berat, ku si drejtues do të vendoset ministri i mirëqënsies Sociale Blendi Klosi. Ndërkohë ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli e cila drejtoi fushatën në Lezhë në zgjedhjet e kaluara të 2013-ës tashmë do të transferohet në Dibër e ndërsa zonën e saj do ta mbulojë ministrja e Arsimit Lindita Nikolla. Kjo e fundit më së shumti është angazhuar në zgjedhjet e Tiranës dhe lëvizja e Nikollës drejt Lezhës duket më shumë si një zgjedhje e kryeministrit. Gjithashtu habitëse duket edhe zgjedhje e ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja si i deleguar i partisë për të drejtuar zgjedhjet në qarkun e Kukësit. Ndërkohë në rajonin Vlorë- Gjirokastër, Rama ka bërë disa ndryshime pas vendimit për të larguar Kokço Kokëdhimin nga drejtimi. Kështu në Vlorë kryesia e PS ka vendosur që të dërgojë sit ë deleguar ministrin e Industrisë Damian Gjiknuri. Ndërsa në Gjirokastër është vendosur të jetë drejtues ministri për pushtetin vendor Bledi Çuçi.
Mbledhja e grupit
Ndërkohë në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kreu i kësaj force Edi Rama mësohet se i ka kërkuar deputetëve që të intensifikojnë punën në terren dhe të tregojnë më shumë kujdes ndaj shqetësimeve të qytetarëve pak muaj para zgjedhjeve të 2017-ës. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, mësohet se Rama ka urdhëruar që deputetët e tij të mos zhvillojnë asnjë udhëtim jashtë shtetit pa lejen e kryetarit të Grupit Gramoz Ruçi, duke kërkuar që vëmendja e tyre të fokusohet te puna me bazën në zonat përkatëse. Kryesocialisti ka porositur gjithashtu që të intensifikohet procesi i legalizimeve, sidomos ai i tokave në fshat.
Të deleguarit në 12 qarqe
Saimir Tahiri – Tiranë
Gramoz Ruçi- Fier
Taulant Balla – Elbasan
Vangjush Dako – Durrës
Damian Gjiknuri – Vlorë
Niko Peleshi – Korçë
Ditmir Bushati – Shkodër
Blendi Klosi – Berat
Lindita Nikolla – Lezhë
Mimi Kodheli – Dibër
Bledi Çuçi – Gjirokastër
Ilir Beqja – Kukës