Pasi u bë publik lajmi i pezullimit të ligjit të vettingut, Gjykata Kushtetuese zbardhi edhe vendimin, ku argumenton pse u veprua në këtë mënyrë.
NJOFTIM PËR MEDIAN
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot me daten 25.10.2016 në çështjen me:
Kërkues: 1/5-ta e Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë – Anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Subjekte të interesuara: Kuvendi i Shqipërisë
Objekti: Deklarimi i papajtueshmërisë me Kushtetutën i ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Pezullimi i ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Baza ligjore: Nenet 4, 7, 17, 32, 42, 49, 78, 124, 125, 131/a, 134/c, 145, 148, 179/b dhe nenet A – G të Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 6 dhe 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut; ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Pasi mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga kërkuesi për pezullimin e zbatimit të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në bazë të nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,
VENDOSI:
– Pezullimin e zbatimit të ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
– Kërkimin e amicus curia nga Komisioni i Venecias në lidhje me pajtueshmërinë e ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
– Pranimin e kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve te Shqiperise për të marrë pjesë në gjykim si subjekt i interesuar.