Partizani “bunker”, rekord në Europë për mbrojtjen

0
171

Partizani për rekord në Europë. Një gol i pësuar në vetëm tetë ndeshje do ta kishin zili edhe klubet gjigante të kampionateve më të njohura. Natyrisht, diferencat mes kampionateve dihen, por gjithsesi te të kuqtë kanë se me çfarë të krenohen një javë para përfundimit të fazës së parë.

Portieri Alban Hoxha ka pësuar të vetmin gol në humbjen e 1-0 kundër Kukësit në transfertë. Koka e Pero Pejiçit ka thyer të kuqtë, por që prej javës së pestë porta ka mbetur e paprekur.

Alban Hoxha 2016

Në një vëzhgim të “Panorama Sport” në 10 kampionatet më të njohura në Europë, rezulton se pas tetë javëve skuadrat që kanë pësuar më pak janë me nga tre gola. Diferencën e bëjnë Atletiko Madrid në Spanjë, Fejnordi në Holandë dhe Spartaku i Moskës në Rusi, që kanë pësuar nga tri herë deri në javën e tetë.

Më pas vjen ekipi legjendë gjerman, Bajern Mynih, që është ndëshkuar katër herë. Po kaq ka pësuar edhe skuadra kryesuese e kampionatit turk, Istanbul Basaksehir, ku aktivizohet sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi.

Në Angli “bunker” mund të konsiderohet Totenhemi, që gjithashtu ka pësuar katër gola. Nica në Francë ka të njëjtat shifra, ndërsa në Portugali kemi dyshen e njohur, Benfika dhe Porto. Renditja e ekipeve që pësojnë më pak vijon me Juventusin në Itali (5 gola) dhe Standart Liezh në Belgjikë me po kaq.

 

Si APOEL-i

Nga kampionatet që përafrohen me nivelin e Kategorisë Superiore, “barometri” i vetëm mbetet Qipro. Në vendin ishullor ka një tjetër Partizan dhe është pikërisht skuadra rekordmene, APOEL Nikosia. Edhe këta të fundit, ku dikur ka luajtur ish-lojtari i Kombëtares, Altin Haxhi, kanë pësuar vetëm një herë pas tetë javësh.

Ndërsa në kampionatet e vendeve fqinje si Greqia, Maqedonia apo Mali i Zi, nuk mund të bësh një krahasim, pasi skuadra të njohura si Olimpiakosi, Vardari dhe Buduçnosti kanë pësuar nga mbi dy gola që në javët e para.

Statistikat

Pathyeshmëria

Alban Hoxha theu rekordin e Bujar Gogunjës dy sezone më parë. Kapiteni i Partizanit mbajti të paprekur portën për 1084 minuta, ndërsa ish-portieri i Elbasanit kishte vendosur rekord me 1037 minuta në vitin 1984. Megjithatë, starti i këtij kampionati mund të shënojë të tjera rekorde, përderisa Partizani vijon të mos pësoj dhe për më tepër që janë luajtur tetë ndeshje.

Vlen për t’u theksuar se gjatë viteve të fundit ekipi i kuq ka pasur një mbrojtje të konsoliduar dhe fakti që pëson pak nuk është një rastësi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here