Dhjetëra tregtarë të licencuar të markatës së fruta- perimeve në Fier, ngrenë shqetësimin e konkurrencës së pandershme. Sipas tyre, tregtarët ambulantë, shesin produktet e prodhuara vetë pak metra larg tregut të licencuar, duke bllokuar shitjen e produkteve në markatë. Tregtarët kërkojnë ndërhyrje të përditshme nga policia bashkiake.
Rreth 150 tregtarë të tregut të licensuar të fruta-perimeve në Fier thonë se rrezikojnë mbylljen e aktivitetit për shkak të rënies së fuqisë blerëse.
Ata listojnë si shkak konkurrencën e pandershme nga tregtarët ambulantë që vijnë nga fshatrat e shesin prodhimet e tyre në rrugën pranë tregut të licencuar.
Tregtarët kanë akuzuar policinë bashkiake për moslargim të tregtarëve ambulantë, ndërsa pohojnë se edhe pse janë ankuar në bashkinë Fier përsëri vijon e njëjta situatë.
Tregtarja: Janë ata tregtarët e tjerë, ata nuk paguajnë as taksa, asgjë. Dhe po ta japin një çikë më lirë nuk diskutohet që do të marrin atje. Tjetri thotë, pse të ngjes unë shkallët të shkoj atje.Edhe malli na ngelet këtu. Se nuk janë 1,2,3 por kush e di sa aty. Kërkojmë që të hiqen nga rruga ose të gjejnë një vend tjetër që të punojnë.
Tregtari: Policët e bashkisë rrinë aty dhe u thonë shkoni tek trotuari matanë.Duam të pastrohen rrugët, ne jemi të ligjshëm. Paguajmë ambjent dhe të tëra. Tregu është, pse t’i lënë. Këtu ngelet malli, hidhet poshtë, fitime nuk kemi.
Tregtarja: Ne paguajmë 120 mijë lekë atje dhe jemi të mbyllur në kafaz. Rrugët janë plot, ata punojnë aty. Bashkia duhet ti largojë. Kemi bërë njëqind e njëmijë herë ankesa dhe nuk është prokupuar asnjeri.
Tregtarët kanë kërcënuar se do të protestojnë duke bllokuar edhe rrugën në rast se nuk merr fund konkurrenca e pandershme.
Ndërkohë në një vëzhgim të Ora News, pas deklaratës së tregtarëve të liçencuar u konstatua se policia bashkiake e Fierit ishte në terren, duke larguar ambulantët.