Iu është dedikuar kontribuesve të humanizmit, shkencës dhe kulturës në shtetin italian ku është mbajtur edhe një pritjeje gala mbrëmjen e 24 Tetorit
Fondacioni italo-shqiptar “Ali Spahia”, i ka akorduar shqiptares Nënë Tereza çmimin “Himn për Jetë”. Është ky një nga çmimet më të rëndësishme që i dedikohet Nënë Terezës dhe që ka shënuar edicionin e tij të tretë në Pallatin Mbretëror të Milanos. Ky çmim, që jepet nga shoqata shkencore humanitare “Ali Spahia” iu është dedikuar kontribuesve të humanizmit, shkencës dhe kulturës në shtetin italian ku është mbajtur edhe një pritjeje gala mbrëmjen e 24 Tetorit. 90 të ftuar, personalitete të rëndësishme të jetës publike dhe sociale në shtetin fqinjë kanë qenë të pranishëm në këtë pritje, ku fituesve të çmimit, u është dhuruar një trofe i punuar nga artisti shqiptar Helidon Xhixha. Mes fituesve është shënuar edhe Ushtria italiane, e impenjuar veçanërisht me çështjet e emigrantëve ne brigjet e tyre, duke shpëtuar me qindra jetë njerëzish. Shoqata humanitare “Ali Spahia”, e cila dedikon këtë çmim drejtohet nga presidentja Nausika Spahia aktualisht Konsulle e Shqipërisë në Milano, ndërkohë që zv/ president është Dr. Bardh Spahia, ish – zv/Ministër i Shëndetësisë në Shqipëri.
Studiuesi Alpion: “Shenjti nuk duhet të ishte ‘Shën Tereza e Kalkutës”
Studiuesi shqiptar, Dr.Gëzim Alpion, lektor në Universitetin e Birmingamit, i cili ka bërë një studim mbi figurën e Nënë Terezës, sugjeroi se ‘Shenjti’ më i ri i Selisë së Shenjtë duhet të jetë i njohur jo si ‘Shën Tereza e Kalkutës’, por si ‘Shën Nënë Tereza’, duke e trajtuar kanonizimin me tre aspekte të rëndësishme të jetës së saj: punën, teologjinë dhe trashëgiminë. Alpion në studimin e tij sjell detaje të panjohura më parë nga jeta dhe veprimtaria e saj. Studimi për Nënë Terezën u prezantua në mjediset e ambasadës shqiptare në Londër, në kuadër të shenjtërimit të saj.Dr Alpion dha mesazhin se shqiptarët duhet jo vetëm të krenohen me këtë figurë që tashmë i përket të gjithë botës, por duhet edhe të mësojnë nga sakrifica dhe misioni i humanizmit që ajo ka përçuar gjatë gjithë veprimtarisë së jetës saj si misionare. Ndërsa, ambasadori ynë në Londër Qirjako Qirko, theksoi se gjatë gjithë jetës, Nënë Tereza pasqyroi vlerat njerëzore të mësuara që në familjen e saj shqiptare, si: respekti ndaj njeriut, besimit dhe etnisë së tjetrit, ndihma ndaj të varfërve, toleranca, etj.Nënë Tereza u shpall me 4 shtator 2016 Shën Tereza e Kalkutës në një ceremoni madhështore fetare në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për gjithë botën, por për shqiptarët, pasi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza u lind në Shkup, më 1910 nga prindër shqiptare.