Një 19-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar mbrëmjen e së hënës, më 31 tetor, në Napoli nga policia, me akuzën se kërkonte të zhvaste para nga prindërit e tij, shkruajnë mediat italiane.
Ishin këta vetë që thirrën policinë në numrin 112 për të ardhur në vendin e ngjarjes dhe thanë se djali po i kërcënonte duke u kërkuar para dhe telefonat celularë.
I riu shpjegoi se kishte për të paguar një borxh.
Në ndërhyrjen e parë të policisë, u duk se situata u qetësua, por pas një ore prindërit e thirrën policinë përsëri. Ata thanë se ishin ende të kërcënuar me thikë nga djali dhe se ai i kishte paralajmëruar se do të hapte gazin dhe do të hidhte shtëpinë në erë!
19-vjeçari madje kishte kërcënuar edhe vëllanë e vogël, duke ia shqyer të gjithë librat e shkollës, dhe nuk i ndërpreu kërcënimet edhe para agjentëve të policisë, që erdhën ta arrestonin.
Në vend mbërriti dhe ambulanca me mjekun, që e dërgoi të riun në spital për ta kontrolluar; 19-vjeçari kishte qënë i trajtuar në psikiatri më parë.