Afron viti elektoral, rishikohen në zbutje masat kundër biznesit

0
224

Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financës po merr në shqyrtim të gjitha propozim-rekomandimet e dala nga diskutimi nen për nen i projektligjit “Për procedurat tatimore”. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili po referon përpara deputetëve, tha se janë bërë ndryshime në nenin 1, i cili trajton përkufizimin e shitësit ambulant: Ambulanti është personi fizik pa pasur një vend fiks dhe lejohet që të tregtojë pasi është pajisur me leje nga bashkia brenda juridiksionit të përcaktuar”.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë me nenin 17, i cili ndryshohet si më poshtë: “Marrëdhëniet e punës për administratën tatimore. Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve emërohet dhe shkarkohet me VKM sipas propozimit të ministrit të Financave. Ndërsa zëvendësdrejtori i përgjithshëm emërohet sipas procedurave të Kodit Civil me propozim të ministrit të Financave”. Një tjetër ndryshim ka të bëjë me nenin 18, për strukturën e Apelimit, si një organ i pavarur. Drejtoria e Apelimit Tatimor, pjesë përbërëse e Drejtorisë Tatimore, është strukturë e pavarur vendimmarrëse, e cila reflekton dhe merr vendim për ankimim deri në një shumë të caktuar me V.K.M.

Drejtori i drejtorisë së Apelit Tatimor, emërohet dhe shkarkohet sipas dispozitave te legjislacionit të nëpunësit civil. Për shqyrtimet dhe vendimmarrjet për vlerat e përcaktuara mbi shumën e përcaktuar ngrihet Komisionin e apelimit tatimor, dhe jo një bord siç ishte propozuar fillimisht, në përbërje të të cilit janë shtatë anëtare, tre përfaqësues të Ministrisë së Financave, dy përfaqësues të drejtorisë së tatimeve, drejtori i Apelit Tatimor dhe një përfaqësues i avokaturës së shtetit. Neni 35 përcakton se administrata tatimore mund të mbledhë detyrimin tatimor të papaguar nëpërmjet një agjenti tatimor, i cili mund të jetë vetëm një person juridik shtetëror.

“Kemi akumuluar një borxh prej 2.4 miliardë dollarësh në 20 vite, ndaj me këtë ligj duam që të ndryshojmë situatën e borxhit”, tha ministri Ahmetaj. Por, ishte pikërisht kjo çështje e cila ngjalli diskutime. Sipas zëvendëskryetarit të Komisionit, Ridav Bode, administrata tatimore i ka të gjithë instrumentet për të qenë represive në mbledhjen e detyrimeve. “Borxhi nuk mund të mblidhet i gjithi, ne instrumentet i kemi, por kjo do ta shndërronte administratën në organ represiv”, tha Bode. Palët propozuan që të hiqet termi ‘agjent tatimor’.

Gjoba

Gjoba prej 15% e këstit të tatim fitimit, nëse nuk e parapaguan në kohë këstin, që ka hyrë në fuqi nga dhjetori i vitit të kaluar, po rezulton fatale për bizneset, duke çuar deri në mbylljen e tyre. Ahmet Gjinishi, kontabilist, tregon se kjo masë po i detyron bizneset të kalojnë në statusin pasiv dhe të pezullojnë aktivitetin. Situata vazhdon të mbetet e njëjtë prej muajsh, tregon kontabilisti Gjinishi, ndërkohë që listës së bizneseve që ai mban, iu janë shtuar dhe katër të tjerë, të cilët e kanë kaluar biznesin në statusin pasiv me qëllim që “të shpëtojnë” prej gjobës. Përveç kundërshtimit të masës nga ana e biznesit, gjoba u cilësua e lartë dhe penalizuese gjatë diskutimeve të fundit të ndryshimeve në ligjin e Procedurave Tatimore në Komisionin e Ekonomisë. Kryetari i komisionit, Erion Braçe, tha se nuk është legjitime vendosja e gjobës për parapagimet dhe duhet të rishikohet. Ndërsa zëvendëskryetari i komisionit, Ridvan Bode, tha se gjoba prej 15% është e lartë pasi rëndon biznesin. Komisioni pritet që të diskutojë në ditët në vijim për ndryshimin e masës së gjobës në rast mospagimi të këstit të tatim fitimit.

Në bazë të ligjit, tatim fitimi i vitit aktual parapaguhet në bazë të një formule që merr për bazë fitimet e dy viteve më parë për tremujorin e parë të vitit dhe fitimet e vitit të mëparshëm për 9 muajt e mbetur (në vitet në vijim bëhet rakordimi nëse biznesi ka paguar tatim fitimi tepër). Kontabilisti Gjinishi shpjegon se nuk merret fare parasysh fakti nëse biznesi në vitin aktual nuk ka të njëjtin aktivitet si një vit më parë dhe atij i kanë rënë si xhiro, ashtu dhe fitimet dhe si rrjedhojë, detyrohet të parapaguajë për një fitim që ai nuk e ka realizuar realisht. “Në vend që likuiditetin biznesi ta përdorë për të mbijetuar, është i detyruar të parapaguajë detyrimet, të cilat në rast se nuk paguhen në kohë, ngarkohen me një gjobë prej 15% të shumës së detyrimit”, thotë ai.

Borxhi

Edhe pse shumë është folur mbi detyrimet e prapambetura që shteti i kishte biznesit për punë dhe shërbime publike, duket se në një numër mjaft i lartë sipërmarrjesh janë “borxhli” ndaj administratës tatimore. Sipas  statistikave  zyrtare  të  Drejtorisë  së përgjithshme  të Tatimeve,  aktualisht  numri  i bizneseve  që  nuk  paguajnë  detyrimet tatimore ka arritur në 18 926. Ndërkohë  me  ndryshimin  e  procedurave  tatimore  po  synohet  të  gjendet  një  mënyrë  për  të rritur efikasitetin e tatimeve për mbledhjen e borxhit “të keq” tatimor. Evidentimi i tatimpaguesve të  cilët janë  subjekt i Mbledhjes  së Borxhit Tatimor tashmë është një proces që kryhet automatikisht me vënien në funksionim të sistemit të ri elektronik. Por në muajt në vijim pritet një ulje e këtij numri, pasi Aministrata tatimore tashmë po lidh kontrata specifike me shumë sipërmarrje për pagesën e detyrimeve tatimore me këste. Kjo pritet t’i japë një frymëmarrje biznesit në lidhje më detyrimet e prapambetura.

Kompetencat

Ndryshime pësoi edhe neni 37 që përcakton rolin e Avokatit të Tatimpaguesit, sipas propozimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për ta përcaktuar si pjesë të strukturës të Ministrisë së Financave. Kryetari i Komisionit, Erjon Braçe solli përsëri në diskutim në seancën e sotme çështjen e kompetencave të administratës tatimore tek kompanitë e hidrokarbureve dhe kërkoi sqarim te kompetencave që ka administrata dhe ato të cilat ka Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.

Ahmetaj tha se Drejtoria Tatimore është e mirë-përcaktuar në ligj si autoriteti i vetëm që ka të drejtën të kontrollojë çdo subjekt në Republikën e Shqipërisë. AKBN-ja është menaxhues i marrëveshjeve. Por, Ministri u shpreh i gatshëm për çdo propozim që mund të vijë nga ana e Kryetarit për të forcuar rolin e administratës tatimore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here