“Mos”suksesi i reformës administrative territoriale

0
213

 

Bashkia tashmë është ajo njësi e qeverisjes vendore ku duhet të “falen” si qytetari edhe fshatari. Kjo, pasi Shqipëria ka riorganizuar strukturat e saj të qeverisjes  vendore, duke krijuar 61 bashki pas bashkimit të 373 komunave të vogla. Synimi kryesor ishte të decentralizohej pushteti dhe të rritej llogaridhënia. Problemi është se riorganizimi ndodhi përpara se të kalohej legjislacioni, që do të rregullonte pushtetin e kryebashkiakëve të rinj dhe përgjegjësitë e tyre. Kështu, 61 bashkiakë morën detyrën për mandat 4-­vjeçar në mesin  e  vitit të kaluar, në korrik, pas zgjedhjeve të qershorit, por Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor hyri  në fuqi në janar të këtij vitit. Ligji i ri jep formalisht përgjegjësitë për disa shërbime publike bazë, përfshirë emërimet për zjarrin dhe shpëtimin, shkollat, kopshtet dhe shëndetin, mirëmbajtjen e rrugëve dhe kullimin, si dhe menaxhimin e tokës bujqësore.

Por, a po funksionojnë si duhet këto njësi të reja vendore? Ligji i ri për qeverisjen vendore pritej të rriste funksionet dhe kompetencat e njësive dhe të drejtuesve të tyre. Por edhe në aspektin ekonomik, njësitë e reja vendore do të përfitojnë grante nga qeveria mbi bazën e një formule të re, por edhe kompetenca te reja. Po ashtu, ligji sjell edhe një sërë risish si heqjen e pagesës për këshilltarët bashkiakë, të cilët kontributin e tyre e japin tashmë pa përfituar pagë dhe kufizimin në 3 mandate për krerët e njësive vendore.  Në një kohë kur  mes biznesit dhe administratës vendore ka nisur një debat i ashpër  për rritjen e tarifave, mosrealizimi i të ardhurave nga pushteti vendor vazhdoi edhe gjatë gjithë këtij  viti. Referuar të dhënave të treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, rezulton se gjatë kësaj periudhe të ardhurat janë realizuar në masën 9.1 miliardë lekë, ndërkohë që ishin parashikuar 10.3 miliardë lekë. Aktualisht, taksat e pushtetit vendor, të ardhurat e të cilave shkojnë në buxhetin e shtetit, janë ato mbi pasurinë, tatimi mbi biznesin e vogël dhe taksa lokale. Por,  referuar të dhënave, dy janë analizat që mund të bëhen, ose parashikimi është më ilartë se kapaciteti, ose pushtetarët vendorë nuk kanë patur performancën  e  duhur. Por në gjithë këto vite njësitë e qeverisjes vendore nuk kanë administruar në mënyrë efikase, çka është reflektuar në treguesit e të ardhurave.

Ecuria e dobët e mbledhjes së të ardhurave nga pushteti vendor gjatë gjithë viteve të fundit ka ardhur si rrjedhojë jo vetëm e një manaxhimi jo të mirë, por dhe nga niveli i ulët i kapaciteteve njerëzore që kanë shumë nga këto njësi. Reforma për ndarjen e re administrative të vendit, që tashmë ka hyrë në fuqi në pjesën e dytë të vitit të kaluar, pritej të sillte ndryshime edhe në buxhetet e planifikuara të njësive vendore. Ndërkohë për të rritur të ardhurat nga taksat sidomos ajo e pronës  Bashkia e Tiranës ka propozuar që mbledhja e saj të bëhet nëpërmjet faturës së ujit, çka do ta bënte më të lehtë nga ana administrative. Por, prej muajsh tashmë bashkia e kryeqytetit është në “konflikt” me tregtarët dhe bizneset pasi sipas tyre janë rritur tarifa të ndryshme si ajo e tabelës apo e zënies së hapësirave publike.  Një ndër kërkesat e biznesit për paketën e re fiskale të vitit të ardhshëm është edhe lehtësimi fiskal nga taksa vendore e pasurisë. Aktualisht kjo taksë është, sipas sipërmarrjes, shumë e lartë 400 lekë/m2, sidomos për fasonët dhe hotelet. Por, taksimi mbi pasuritë rezulton me evazion të lartë fiskal edhe për shkak të informalitetit që shoqëron sektorin. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga taksa e pasurisë mblidhen nga pushteti vendor dhe nuk kanë qenë në masën e planifikuar. Kështu për 7­mujorin e parë të vitit janë mbedhur në buxhetin e shtetit nga kjo taksë vetëm 3.1 miliardë lekë ose 254 milionë lekë më pak se planifikimi. Por, a është mbledhur deri tani taksa e pasurisë nga pushteti vendor, dhe a ka kapacitete për ta mbledhur atë? Referuar viteve të mëparshme konstatojmë se taksa e ndërtesës akoma nuk është përvetësuar nga “kultura fiskale” e pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë. Edhe pse ndërtimi mori njëhov të madh zhvillimi pas viteve ’90, shumica e tyre janë ndërtuar pa leje, çka do të thotë se nuk janë të regjistruara dhe si pasojë nuk mund të paguajnë një taksë të tillë.

Por a është mbledhur deri tani taksa e pasurisë ngapushteti vendor, dhe a ka kapacitete për ta mbledhur atë? Në janar të vitit 2015 Ministria e Ekonomisë u kërkoi të gjitha ministrive dhe enteve publike të propozonin zhvillimin e shërbimeve dhe investimeve kapitale nëpërmjet formës koncensionare me Partneritet Publik Privat. Ndërkohë mësohet se Ministria e Financave në atë kohë ka propozuar partneritetin publik privat për administrimin e taksës së pronës. Por sipas këtij dikasteri kësaj do t’i shërbente edhe krijimi i bazës për informatizimin e taksave të reja të pronës që merr në konsideratë krijimin e një kadastre fiskale. Kjo do të përmbajë të gjitha të dhënave ekzistuese mbi truallin, ndërtesat dhe pronarët/ banorët, dhe për të llogaritur detyrimin tatimor vjetor të shoqëruar me secilën pronë.

Ndarja e re territoriale ka nxjerrë në pah dhe mjaft probleme të trashëguara për njësitë e qeverisjes vendore. Mjaft kontrata të lidhura vite më parë për punë dhe shërbime publike janë të papaguara kundrejt sipërmarrjes private. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, aktualisht borxhi që njësitë e qeverisjes vendore kanë, kap vlerën e rreth 90 milionë dollarëve, ku pjesën më të madhe prej rreth 40 milionë dollarë e ka trashëguar Bashkia e  Tiranës.  Por, sipas drejtuesve të Financave, detyrimet e prapambetura të pushtetit vendor nuk do të përfshihen në stokun e borxhit publik dhe nuk do të jepet asnjë qindarkë ga buxheti qendror i qeverisë për t’i shlyer ato. Llogariten në 9.5 miliardë lekë borxhet që pushteti vendor ka krijuar në 25 vitet e fundit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here