Policia në shtetin e Ajouas njoftoi arrestimin e të dyshuarit kryesor për vrasjen e dy oficerëve të policisë. Ai është 46 – vjeçari Scott Greene, një person që sipas mediave në SHBA, dyshohet se ka prirje nacionaliste.
Autoritetet amerikane publikuan foton e tij për të paralajmëruar njerëzit, se Grin ishte i rrezikshëm dhe i armatosur. Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet, por ende nuk ka një pistë konkrete për zbardhjen e krimit.
Dyshimet e prokurorëve amerikanë janë se vrasësi ishte një person që urrente njerëzit me ngjyrë dhe policinë. Këto dyshime lindën pasi në internet qarkullon një video ku Greene debaton me dy agjentë policie fill pas një incidenti që kishte pasur me disa afro-amerikanë.
Oficerët e policisë u gjetën të vdekur në makinat e tyre, teksa po kryenin patrullimin rutinë. Mësohet se vrasësi u ka ngritur pritë, për pasojë ata nuk patën mundësi të mbroheshin e t’i kundërpërgjigjeshin sulmit.