“Pas Konventës Zgjedhore, LSI do shpallë qëndrimin politik për koalicionin”
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari në këtë intervistë për gazetën “Standard” flet rreth garës së brendshëm në parti që do të zhvillohen nesër. Braimllari garën e konsideron një formë për të përmirësuar funksionimin e partisë, çka do të sjellë gjithashtu përmirësimin në qeverisjen e vendit, por mbi të gjitha sjell dhe një besueshmëri më të lartë te qytetarët. Ai ka treguar rreth platformave të tre kandidatëve që garojnë për postin e kryetarin duke e gjykuar që fushata dhe gara është e barabartë midis tre kandidatëve. Për t’iu dhënë përgjigjë zërave për një koalicion të mundshëm rreth PD-së dhe LSI-së Braimllari tha se në këto momente nuk është më e rëndësishme çështja e koalicioneve, por pas Konventës Kombëtare Zgjedhore do të dalin edhe me qëndrimin e tyre politik. Nënkryetari i LSI-së, i cili ka dalë nga forumi politik LRI, në këtë intervistë vjen edhe duke na treguar më shumë rreth rrugëtimit të tij politik se kur ka qenë kontakti i parë me LRI-në dhe se pse ka zgjedhur pikërisht këtë forum. Ai shtoi se përfshirja e tij brenda strukturave të LRI-së, ka qenë një mundësi për të.
Intervistoi: Irini Meçe
Të dielën, më datën 6, do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e Partisë LSI. Çfarë mund të na thoni më shumë rreth procesit zgjedhor dhe çfarë vlerësimi do i jepni garës së brendshme në parti për postin e kryetarit?
Gara e datës 6 nëntor është një garë shumë e rëndësishme për LSI. Nuk është thjesht një garë si term, por një garë e vërtetë, brenda së cilës ka tre platforma, pra tre kandidatët për kryetar të LSI, z. Meta, profesor Shezaiu dhe deputeti Spahiu, kandidojnë në tre platforma të ndryshme. Ju e keni parë gjatë gjithë kësaj kohe që ata e kanë bërë publike këtë platformë në bazë dhe kanë shprehur mendimet e tyre mbi drejtimin apo lidershipin e ri të LSI. Është shumë e rëndësishme kjo garë, sepse platformat e tyre ballafaqohen me bazën dhe jo vetëm hedhin ide dhe mendime se si ata mendojnë për të përmirësuar punën e LSI, apo dhe qëndrimet politike, që LSI duhet të marrë, por janë shumë të rëndësishme, sepse marrin edhe opinione nga baza. Pra, jo vetëm mbi drejtimin e LSI, por edhe mbi qeverisjen. Ajo çka vlerësohet brenda strukturave të LSI ka të bëjë me dëgjesën, dëgjesa publike. Pra, ne jemi një forcë politike që dëgjojmë, dhe nuk dëgjojmë vetëm anëtarët tanë, por dëgjojmë dhe qytetarët mbi qeverisjen e vendit, apo dhe mbi lidershipin e LSI. Është shumë e rëndësishme që ne në këtë proces të ndërmarrim hapa serioze mbi drejtimin e LSI. LSI ka një rrugëtim të gjatë në arenën politike shqiptare dhe ajo çka është për t’u vlerësuar, është që LSI çdo vit, apo pas çdo procesi zgjedhor përmirëson veten e saj. Dhe ne duhet të vazhdojmë këtë ritëm, duhet të vazhdojmë këtë rrugë, sepse përmirësimi i vetvetes nuk sjell vetëm forcimin e LSI, por sjell dhe përmirësimin në qeverisjen e vendit, por mbi të gjitha sjell dhe një besueshmëri më të lartë te qytetarët. Unë kam bindjen time që një forcë politike e cila është e mirorganizuar, e cila funksionon në mënyrë korrekte, e cila zbaton statutin e brendshëm dhe rregullin e saj të brendshëm të funksionimit, pra ka një seriozitet në drejtim, ka një seriozitet në strukturë, është një pasqyrë reale e seriozitetit, që duhet të ketë dhe në qeverisje të vendit. Sepse janë po këta njerëz që nesër do qeverisin vendin, apo që janë pjesë e qeverisjes, apo dhe të këshillave bashkiake.
Cilat janë, sipas jush, risitë e kësaj gare në krahasim me ato të zhvilluara më parë brenda partisë?
Kryesorja është që janë tre kandidatë. Pra, për herë të parë ne kemi tre platforma. Dhe të kuptojmë diçka, që sa më shumë kandidatë të ketë në garë, aq më shumë liri mendimi ka. Janë tre kandidatë, të tre kanë platforma të ndryshme politike, dhe të tre këto platforma i ballafaqojnë me bazën. Kjo është risia e parë, mendoj, brenda LSI. Risia e dytë, ka të bëjë me kritikat që LSI po bën në bazë, në kuptimin që të dy kandidatët, qoftë profesor Shezai Rrokaj por dhe Përparim Spahiu kanë një linjë të ndryshme me drejtimin aktual të LSI. Pra, nuk po them që kjo garë është në linjën e vazhdimësisë së procesit brenda LSI, por shohim që të dy kandidatët kanë platforma të ndryshme, jo vetëm me z. Meta, por dhe me njëri-tjetrin. Të qenit në një garë me tre platforma, të qenit në një garë në të cilën ballafaqohen me bazën, hidhet mendimi në bazë dhe anëtarët e partisë fillojnë që këtë proces ta diskutojnë me njëri tjetrin, na bën ne që të kemi një përthithje më të mirë të asaj çka baza kërkon nga lidershipi i ri i LSI-së, por dhe nga qeverisja e vendit. Risia tjetër e kësaj gare ka të bëjë me procesin e delegatëve. Për herë të parë brenda strukturave të LSI, ne do të kemi një votim sipas parimit “Një anëtar, një votë” për delegatët, pra çdo bashki e vendit ka listën e delegatëve dalë nga komunikimi me bazën gjatë këtij procesi dhe kjo listë delegatësh ditën e 6 nëntorit do jetë fletë votimi dhe do kemi dy fletë votimi, një fletë votimi ku votohet për 3 kandidatët dhe një fletë votimi, ku anëtarësia voton për delegatët që do t’i përfaqësojë në Konventën Kombëtare Zgjedhore të LSI. Votimi do të jetë sërish elektronik ashtu sikundër ka qenë dhe në 2012, do të zgjedhim Komitetin Drejtues Kombëtar dhe ky i fundit zgjedh lidershipin e ri apo strukturat e tjera drejtuese të LSI. Pra, për ta përmbledhur në tre qëndrime kryesore: e para kemi tre platforma; e dyta këto platforma nuk janë platforma që të tria konvertohen në një pikë të përbashkët por janë të ndryshëm me njëri-tjetrin. Janë platforma që hidhen, diskutohen në bazë dhe nga baza merret mendime mbi qeverisjen e vendit, por dhe mbi lidershipin e ri; dhe e treta, që është më e rëndësishmja në këtë proces, ka të bëjë me zgjedhjen e delegatëve. Duhet të kemi diçka parasysh se edhe delegatët dalin me ‘Një anëtar, një votë’ si dhe zgjedhja e kryetarit, po ajo çka vlerësohet në këtë proces është integriteti i delegatit, përzgjedhja, përfaqësimi që ai i bën bazës, por mbi të gjitha rezultati që delegati ka marrë në qendër, në ditën e votimit, në procesin e fundit zgjedhor. Pra, janë këto tre komponentë që përzgjedhin delegatin që do të jetë pjesë e listës më datën 6 nëntor për t’u votuar.
Janë shpalosur tre platforma të kandidatëve. Si do të përshkruanit fushatën e Metës, Spahiut dhe Rrokajt?
Gara e tre kandidatëve është një garë serioze, është një garë e fortë. Këtë e ndjejmë në bazë, e ndjejmë nga komunikimi që kemi me anëtarësinë. LSI apo dhe strukturat e tjera të LSI është e gjitha e hedhur në bazë për t’i krijuar kushtet e përshtatshme të tre kandidatëve për të bërë një fushatë të barabartë. Gjykoj që fushata dhe gara është e barabartë midis tre kandidatëve. Ne kemi një platformë të z. Meta, që kërkon vazhdimësinë, pra të rikonfirmohet në një mandat tjetër dhe në platformën e tij i qëndron korrekt asaj që LSI ka mbajtur gjatë gjithë kësaj kohe, si një linjë të qëndrueshme politike që prej themelimit të saj, që është bashkëbisedimi me qytetarët, të qenit drejtpërdrejt në komunikim, të qenit seriozë dhe të qenit një drejtues, i cili kërkon gjithmonë të marrë më të mirën dhe kërkon gjithmonë të përmirësohet. Pra, të dëgjojë anëtarësinë për t’u përmirësuar në drejtimin e tij brenda strukturave të LSI. Por, nga ana tjetër, kemi dy kandidatë, të cilët duke qenë se nuk mbajnë peshën e të qenit kryetar të LSI janë më ndryshe në mendimin e tyre, kërkojnë që LSI të jetë forcë e parë politike në vend, kërkojnë që LSI të distancohet nga disa qëndrime që janë pjesë e qeverisjes së përbashkët të vendit, por këto janë platformat që ata kanë dhe është e drejta e bazës të votojë më datë 6 nëntor dhe të konfirmojë platformën, e cila do t’u duhet për të drejtuar LSI. Të jeni të bindur që në thelb të këtij procesi qëndron komunikimi i drejtpërdrejtë me bazën, gjithëpërfshirja dhe mbi të gjitha qëndron dëgjesa e çdo anëtari të LSI. LSI sot është kjo forcë politike që është, pra që vjen në rritje progresive, po të shohim rezultatet e LSI nga themelimi deri në zgjedhjet e fundit. LSI është një forcë serioze politike, është e drejtpërdrejtë me qytetarët. Edhe vendimet politike të LSI-së vijnë nga vullneti i bazës, vullneti i qytetarëve.
Si është ecuria parapërgatitore për këtë proces dhe çfarë prisni në përmbyllje të tij?
Ju e shikoni kudo që ne kemi ndërtuar një infrastrukturë zgjedhore, e cila është e njëjtë me zgjedhjet e përgjithshme. Procesi është mbi parimin “Një anëtar, një votë”. Ne kemi qendra votimi në të gjithë Shqipërinë. Është një infrastrukturë zgjedhore që do të shpërndahet në të gjithë vendin. Do të kemi qendra votimi në çdo Njësi Administrative. Grupe vëzhguesish nga Tirana do të shkojnë në çdo qendër votimi. Të gjitha këto për të bërë një garë serioze, ashtu siç i ka hije LSI-së. Anëtarët e LSI-së do të kenë kartën e re dixhitale dhe me atë kartë do të votojnë. E gjitha kjo është një sipërmarrje shumë e madhe ku një rol shumë të rëndësishëm luan edhe Lëvizja Rinore për Integrim. LRI do të ketë vëzhguesit e saj në të gjithë Shqipërinë për të monitoruar procesin. Sigurisht që kudo ka dhe një të deleguar nga qendra që procesi të jetë sa më i saktë dhe serioz.
Sa pritet të jetë numri i anëtarëve që do të votojnë?
Nuk mund t’ju jap një numër të saktë. Në mos gaboj janë mbi 47 mijë dhe akoma po punohet me procesin e listave. Do të dalin listat zgjedhore të cilat do të atashohen në të gjitha qarqet e vendit dhe pastaj do të kalkulohet edhe numri i saktë i votuesve të cilët do të marrin pjesë në këto zgjedhje. Ky është një proces që i takon Komisionit Qendror Zgjedhor që është ngritur pranë LSI-së dhe besoj se ju do të keni një komunikim publik në ditët në vazhdim mbi këtë proces.
A mendoni se këto zgjedhje do të ndikojnë dhe do të sjellin ndryshime brenda partisë saqë do të jetë e nevojshme riorganizimi i LSI-së?
Besoj se ju i keni dëgjuar platformat e kandidatëve që këto zgjedhje bëhen për të përmirësuar rolin e LSI-së jo vetëm në qeverisjen e vendit, por edhe për funksionimin e saj brenda. LSI ka nevojë për të vazhduar rrugën e hapjes së saj, LSI ka nevojë që këtë hapje që ka nisur ta vazhdojë me ritme edhe më të shpejta. Unë mendoj që kjo garë do të sjellë një përmirësim në këtë drejtim. Ky komunikim me bazën deri në Konventën na ka sjellë disa mesazhe shumë të qarta, jo vetëm për funksionimin por edhe për qeverisjen e vendit. Ky lidership i ri që do të plotësohet në Konventën Kombëtare të LSI-së në datat 3-4 dhjetor do të jetë lidership që do t’i përgjigjet sfidave të ardhshme të LSI-së.
Po për sa i përket qëndrimit tuaj rreth platformave? Kë platformë mbështesni?
Të tria platformat më duken interesante, sepse të tre kërkojnë të sjellin risi. Edhe platforma e z. Meta kërkon të sjellë risi. Shpeshherë ka thënë që do e hapë LSI-në në raport me intelektualët. Shpeshherë ka thënë që kërkoj mendimin tuaj mbi përmirësimin e drejtimit të LSI-së. Pra, është një platformë, e cila kërkon të marrë më të mirën dhe gjithmonë kërkon të sjellë një risi. Po kështu, edhe platformat e tjera, të prof. Shezai Rrokajt edhe e deputetit Përparim Spahiu janë platforma, që duhen parë dhe studiuar me vëmendje dhe vlerësuar. Por, mbi të gjitha do të vendosë vetë baza e LSI-së se cila nga këto tre platforma do të jetë ajo më e mira për të vazhduar drejtimin e LSI-së.
Pas pak muajsh futemi në vitin elektoral, pra po afrojnë zgjedhjet e 2017. Është folur shumë për një koalicion i mundshëm rreth LSI-së e PD. Si e shihni ju këtë diskutim?
Unë mendoj që gjithë sfida e LSI-së është realizimi i këtij procesi zgjedhor që LSI po zhvillon brenda saj. Pra, të kemi një proces zgjedhor serioz, që t’i kalojë pritshmëritë që ne kemi, ku të përfshihen të gjithë aktorët. Do të kemi Konventën Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku ne do dalim edhe me qëndrimin tonë politik. Pra, mendoj se në këto momente nuk është më e rëndësishme çështja e koalicioneve se si do të qeveriset Shqipëria pas zgjedhjeve të ardhshme elektorale. Në këto momente, ajo që ka rëndësi është që të gjithë të zgjedhurit, qoftë vendorë, qoftë parlamentarë, apo edhe pjesëtarët e kabinetit të shtojnë vëmendjen te reformat, sepse vendi ka nevojë për reforma që të garantojnë një proces të sigurt të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Vendi ka nevojë për reforma që garantojnë gjithëpërfshirje, por mbi të gjitha vendi ka nevojë për politikanë seriozë që marrin vendime serioze dhe që i shërbejnë vendit me seriozitet. Duhet të çojmë përpara reformat e nisura, sepse duhet të japim llogari përpara qytetarëve shqiptarë, për të gjitha ato që kemi premtuar në zgjedhjet e kaluara për t’i çuar deri në fund ato. Vendi ka shumë sfida përpara dhe sfidat kryesore janë që, personat e zgjedhur, qoftë në Këshillat Bashkiak, por edhe deputetët në Parlamentin e Shqipërisë dhe pjesëtarët e kabinetit qeveritar, të çojnë në fund këto reforma të nisura dhe t’i qëndrojnë korrekt qytetarëve deri në fund.
Endriti në profil
Le të ndalemi pak te rrugëtimi juaj politik. Ju keni dalë nga forumi politik i LRI-së. Kur ka qenë kontakti i parë me LRI-në, dhe pse keni zgjedhur pikërisht këtë forum politik?
Unë jam bërë pjesë e LSI-së në fillim të vitit 2006. Kam qenë gjimnazist në gjimnazin ‘Besnik Sykja’. Në atë kohë mbaja pozicionin e presidentit të Senatit të gjimnazit dhe doja të angazhohesha në një forcë politike, për të vazhduar më tej dëshirën time për t’u bërë pjesë e politikës. Tregu politik në atë kohë të ofronte tre parti politike kryesore, LSI, PS, PD. Për të qenë i sinqertë, familja ime ka qenë dhe është e majtë, voton gjithmonë të majtën, por zgjodha LSI-në, sepse ishin ata që më këshilluan të shkoja te kjo forcë politike, sepse në atë kohë doli si një forcë e re politike, e cila dukej si një familje e bashkuar, që premtonte shumë për vendin. Mbi të gjitha doli me shumë të rinj e të reja rreth saj, duke i qëndruar besnik teorisë së saj për përkrahjen e jashtëzakonshme që do t’i jepte të rinjve. Qytetarët shqiptarë vlerësojnë një forcë politike, e cila përmbush pritshmëritë e tyre. LSI funksionon si një familje. Në çdo ambient të LSI-së, njerëzit janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Mbizotëron solidariteti, energjia pozitive dhe këto gjëra që ne themi në publik nuk janë thjesht për të bërë një ligjëratë politike, por janë gjëra që ne kemi me njëri-tjetrin. Janë shprehja që kemi në realitet. Nga ky solidaritet që ka dhënë LSI si forcë politike, vendosa t’i bashkohesha kësaj force politike. Me kalimin e kohës u kristalizuan mendimet e mia dhe fillova karrierën brenda strukturave të LSI-së, duke qenë koordinator brenda gjimnazit “Besnik Sykja”. Më pas drejtues i gjithë gjimnazeve të Tiranës, nënkryetar i forumit rinor për Tiranën, kryetar i forumit rinor për Tiranën, anëtar kryesie i LSI-së, i zgjedhur në vitin 2009, më pas u zgjodha kryetar i LRI-së. Tani jam nënkryetar i LSI-së dhe përtej kësaj periudhe nga 2011 kam dy mandate i zgjedhur, anëtar i zgjedhur në Këshillin Bashkiak në Bashkinë e Tiranës.
Cili ka qenë mendimi juaj i parë për LRI-në dhe a ka ndryshuar tani ai mendim?
Kur jam bërë për herë të parë pjesë e LSI-së, kam hyrë për herë të parë në godinën e LSI-së dhe kam parë njerëz plot energji, njerëz që rrinin dhe diskutonin me njëri-tjetrin. Pasi diskutonin fuqishëm me njëri-tjetrin në darkë shkonin së bashku për të pirë kafe apo bisedonin për ditën tjetër. Kjo frymë, dhe kjo energji pozitive, ky solidaritet që të rinjtë e LSI-së në atë kohë kishin me njëri-tjetrin më bënë mua të ndjehesha si një familje. Ajo që është më e rëndësishme është përfshirja ime brenda strukturave të LRI-së, e cila ka qenë një mundësi. Mua m’u dha një mundësi. Në atë kohë drejtoja gjimnazin “Besnik Sykja”, dhe më pas gjimnazet e Tiranës dhe atëherë m’u dha mundësia që unë të promovohesha në këtë drejtim. Nëse je ti je i aftë të bësh këtë gjë dhe je për këtë profil, atëherë rruga është e hapur, sigurisht falë punës dhe kontributit që kam dhënë në strukturat e LSI-së. Mendoj se LSI ka tre gjëra brenda saj dhe unë i kam vërtetuar në këto vite; e para është mundësia që të jepet. Një forcë politike që të jep mundësinë e përfaqësimit është një forcë politike që beson dhe ka një lidership me vizion, sepse nuk mund t’i japësh çdo të riu çdo mundësi. Një i ri, për shembull, që bëhet pjesë e këshillit bashkiak, është një mundësi e madhe, sepse aty ti mbron interesat e qytetarëve të tu dhe ti ndjehesh i vlerësuar dhe përfshihen sa më shumë të rinj në këtë drejtim. E dyta është solidariteti. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me të rinjtë. Është më e rëndësishme që ne të harxhojmë energji në shërbim të vendit sesa energji negative për t’u marrë me njëri-tjetrin. Solidariteti brenda LSI-së është një vlerë që forcohet çdo ditë dhe është postulat i punës sonë të përditshme. E treta, që unë e vlerësoj shumë, është programi politik që LSI ka. Edhe kur z. Meta ka qenë pjesë e PS, apo edhe kryetar i FRESSH-it, ka pasur një linjë të pandërprerë në shërbim të të rinjve të vendit. Po të shikojmë që prej themelimit të LSI-së, në gjithë këto 12 vite që unë jam pjesë e LSI-së unë shikoj që LSI ka një linjë të qëndrueshme sa i përket disa pikave kryesore, që është investimi te të rinjtë, që ata të përfaqësohen kudo dhe ata janë kudo në politikat që ndërmerr LSI. Serioziteti që ndërmerr lidershipi i LSI-së jo vetëm në funksionimin e brendshëm të LSI-së por edhe në politikat që ndërmerr në shërbim të vendit. Këto pika janë shumë të rëndësishme që ta bëjnë anëtarin e LSI-së që ta dashurojë LSI-në dhe të punojë me përkushtim. Në momentin që ke një lidership që të orienton përkushtimin tënd për strukturat, por të thotë që “dëgjo kjo puna juaj është një punë që reflekton direkt me qytetarët e vendit, të bën njeri të përgjegjshëm”, sepse kjo punë që unë bëj sot nesër ka të bëjë me qytetarët e vendit. Qytetarët janë njerëzit me të cilët ne punojmë çdo ditë, është familja jonë, të rinjtë tanë që kërkojnë një shpresë më të mirë për vendin dhe ne synojmë të përsosim politikat tona.