Policia greke vazhdon të ndalojë shqiptarët të kalojnë në pikën doganore të Kakavijës.
Sot paradite në Kakavijë qytetarët kanë dëshmuar se janë kthyer edhe pse dispononin garanci apo lekë mjaftueshëm.
“I kanë kthyer pa i dhënë asnjë shpjegim duke vendosur dhe kryq në pasaportë” raporton gazetarja.
Brenda 24 orëve janë kthyer 60 shtetas shqiptarë mes tyre dhe gra, fëmijë e të moshuar.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri zhvilloi dje një takim të zhvilluar sot në Tiranë mes zotit Tahiri dhe drejtorit të Policisë greke, Konstantinos Tsouvalas ku shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të shtetasve shqiptarë të kthyer në kufirin me Greqinë.
Tahiri kërkoi nga pala greke të respektohet lëvizja e lirë e shtetasve në zonën “Shengen” dhe të mos kthehen shtetas shqiptarë në kufi pa shkaqe ligjore e të motivuara mirë”.
Mes Shqipërisë dhe Greqisë janë rritur tensionet pas prishjes së disa godinave në Himarë të cilat ngjallën dhe reagimin e Athinës zyrtare. Mes dy shteteve ka pasur shkëmbim replikash. E fundit ajo e ministrit të Jashtëm grek Kotzias, i cili deklaroi se faktet historike mbeten të tilla dhe se palët duhet të jenë seriozë./oranews