Portretet e personaliteteve të njohura si Nënë Tereza, Gandi, Nelson Mandela, Aung San Suu Kyi janë vizatuar në pjesë konkrete të ish murit të Berlinit, në Teltoë të Gjermanisë. Këto pjesë të murit të Berlinit janë në shitje, 27 vjet nga rënia e tij, shkruan agjencia europiane e fotografisë e cila publikon foton. Muri i Berlinit (gjermanisht Berliner Mauer) ishte nje barriere e ndertuar nga republika demokratike e Gjermanise.U ndërtua më 13 gusht 1961 dhe u shkatërrua më 9 nëntor 1989 edhe pse sot këtij shkatërrimi i kanë mbijetuar disa segmente. Ai u ndërtua nga qeveria komuniste e Gjermanisë Lindore nën komandën e Moskës, për të parandaluar kalimin e mundshëm të emigrantëve nga blloku lindor në Perëndim. Ishte një barrierë prej betoni e lartë gati 3 metra dhe përshkonte gjithë Berlinin duke e ndarë më dysh për 28 vjet. Në të bënin pjesë dhjetëra kulla vrojtimi dhe dyer kalimi, përfshi edhe të famshmen “Pikëkalimi Çarli”. Konsiderohej si linja e hekurt midis dy botëve të kundërta përgjatë gjithë kohës së luftës së ftohtë. Shkatërrimi i tij shënoi fillimin e krisjes së komunizmi në Evropë.
Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës (e lindur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu; 26 gusht 1910 – 5 shtator 1997) gjithashtu e njohur si Tereza e Bekuar e Kalkutës, Misionare e Bamirësisë ishte një murgeshë katolike dhe misionare shqiptaro-indiane. Ajo lindi në Shkup. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj. Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që vdesin nga HIV/AIDS, gërbula dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahet betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve. Është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françeskut, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj. Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. Ajo ishte edhe e lavdëruar edhe e kritikuar për pikëpamjet e saj kundër abortit. Ajo gjithashtu ka marrë kritika për kushtet në shtëpitë që ajo ofronte për ata që ishin buzë vdekjes./standard.al