Shkencëtarët janë shumë afër rikthimit të shikimit tek të verbrit duke dërguar imazhe lëvizëse direkt në tru. Për herë të parë, kirurgët kanë implantuar një çip vizual stimualtor në trurin e një 30-vjeçareje.
Pacientja, e cila ka humbur shikimin para 7 vitesh, filloi të shohë pamje vizuale me ngjyrë sapo i dërguan në tru sinjale nga kompjuteri.
Mjekët po planifikojnë të dërgojnë tani pamje në tru nga një kamera e vogël për video, e cila mund të krijojë syrin e parë bionik në botë dhe mund të rikthejë shikimin tek miliona njerëz.
Teknologjia i tejkalon sytë, që do të thotë se ajo ka potencialin të rikthejë shikimin edhe tek ato njerëz që e kanë humbur njërin sy ose kanë mbetur të verbër nga kanceri.
Gjatë gjashtë javëve testim, pacientja ka parë vazhdimisht të njëjtat sinjale që shkencëtarët i kanë dërguar tek korteksi vizual, pjesa e trurit që merr zakonisht pamje nga nervi optik.
Mjekët tek Universiteti i Kalifornisë, në Los Anxhelos, po presin lejen nga rregullatorët amerikanë për të lidhur sistemin me kamerën, e vendosur tek një palë syze, dhe shpresojnë që ajo të mund të dërgojë imazhe lëvizëse direkt në tru.
“Momenti kur ajo pa ngjyra për herë të parë ishte shumë emocionues. Na preku të gjithëve. Bazuar tek këto rezultate, ky sistem ka potencialin të rikthejë shikimin tek të verbrit”, shprehet dr. Nader Pouratian me shumë bindje.
Pacientja, emri i të cilës nuk është bërë i ditur, filloi të humbasë shikimin para 8 vitesh nga një sëmundje e rrallë, e quajtur sindroma Vogt-Koyanagi-Harada, e cila prek pigmentin e syve. Një vit më vonë ajo e humbi krejtësisht shikimin.
Dr. Pouratian futi stimulatorin, i krijuar me elektroda të vogla, në pjesën e pasme të trurit. Pas një operacioni që zgjati 4 orë, kirurgët bënë një vrimë të vogël në pjesën e pasme të kafkës dhe e vendosën stimuatorin në sipërfaqe të trurit.
Më pas implantuan një antenë të vogël marrëse në kafkë, që merr sinjale nga kompjuteri. Kur të marrë aprovimin nga Federata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, ekipi i shkencëtarëve do të fillojë të provojë dërgimin e sinjaleve nga një sistem i quajtur Orion I, i cili i kap imazhet para syve duke përdorur një kamerë të vendosur tek syzet.