Për 9-mujorin e parë të këtij viti, taksa e cila “shpëtoi” thellimin e gropës së të ardhurave në buxhetin e shtetit, ishte pikërisht ajo e tatimit mbi fitimin. Kjo taksë u realizua me 20% më shumë se sa plani. Në njoftimin për shtyp që shoqëron të dhënat fiskale në buxhet, Ministria e Financave ia delegon meritat përmirësimit të zinxhirit të shitjeve. “Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 21.7 miliardë lekë ose 19.2% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 20% më shumë se plani. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka pasur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve. Faktorë të tjerë përmendim: fazën e dytë të planit të veprimit kundër informalitetit të orientuar drejt kontrolleve bazuar në analizën e riskut dhe në vazhdimësinë e proceseve. Thjeshtëzimi i procedurave të deklarimit dhe instalimi i një komunikimi permanent me operatorët e biznesit po gjeneron performancë më të lartë”, thuhet në komentin e financave. Mbledhja e taksës së tatimit mbi fitimin është më e larta në vite (për periudhën 9-mujore) që prej 2005-s. Gjobat për këstet e parapagimit kanë shtrënguar bizneset që të derdhin para në arkën e shtetit pa ditur më parë se sa tatim kanë gjeneruar. Nëse argument kryesor që jep Ministria e Financave është rritja e deklarimeve në import dhe te zinxhiri i shitjeve të biznesit, kjo bie ndesh me shpjegimin që ata bëjnë lidhur me mbledhjen e taksës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. TVSH-ja ka një mosrealizim në masën 3.9% ose afro 40 milionë dollarë krahasuar me planin. Kjo lloj takse është zëri kryesor që tregon konsumin dhe shitjet te një biznes. Nëse shitjet me pakicë të deklaruara janë në rritje, atëherë dhe TVSH-ja automatikisht është në rritje. Nëse këto shitje bien, atëherë biznesi gjeneron më pak të ardhura dhe për pasojë, edhe tatimi mbi fitimin bie (në një kohë që nuk llogariten shpenzimet, pasi nuk është bërë mbyllja e bilancit. Mund të ketë rritje të tatimit mbi fitimin në rastin që bien blerjet dhe po ashtu biznesi ul shpenzimet.)
Edhe në projektimin e realizimit të të ardhurave, Ministria e Financave sheh një rritje të mbledhjes së kësaj takse deri në fund të vitit me rreth 27 milionë dollarë më shumë. Në relacionin shoqërues të buxhetit 2017, ajo shprehet se ky zë tatimor do të arrijë mbledhjen në masën 270 milionë dollarë deri në fund të vitit. “Për vitin 2016, ky zë përbën zërin me ecurinë më të mirë të administratës tatimore. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimi pritet të realizohen në masën 27 miliardë lekë, pra rreth 2.6 miliardë lekë ose 11% më shumë sesa plani”, shkruhet në relacion.
Nëse deri në fund të vitit parashikohet se afro 70 milionë dollarë taksa nuk do të realizohen, deficiti në të ardhura do të shkojë në 50 milionë dollarë mosrealizim vetëm si pasojë e shtimit të mbledhjes së tatimfitimit dhe taksës së tatimit mbi të ardhurat. Por pavarësisht kësaj, vlerat e konsiderueshme të kësaj takse që po mblidhen në 2016-n nuk perceptohen si të kthyeshme nga financat se biznesi mund të ketë parapaguar më shumë, pasi dhe në 2017-n, realizimi që parashikohet është më i madh se ai i këtij viti.