Vdesin 3 persona/ Përmbytjet dhe dritëshkurtësia e qeverisë: Si u zvogëlua me 6 herë fondi i emergjencave civile

0
200

14963193_10209024745550430_2727316125811190460_n 14963399_10154467691860399_4165140828935141403_n 14991981_629079770550482_4107235283311721385_n 15027727_10154170771406523_4941576380798317982_n 15027727_10154170771406523_4941576380798317982_n-1 15027747_10154170769691523_1614357570256256637_n

Tre shtetas kanë humbur jetën për shkak të përmbytjeve të krijuara nga shirat gjatë 24 orëve. Një 44-vjeçar humbi jetën në Klos, një 50-vjeçar humbi jetën në Këlcyrë dhe një trup i pajetë i paidentifikuar u gjet në Tiranë

Besar Bajraktaraj

Reshjet e shiut të rëna gjatë natës dhe pothuajse gjatë gjithë ditës së djeshme, kanë krijuar një situatë emergjence në disa nga qarqet e vendit. Reshjet të shoqëruara edhe me stuhi ere dhe breshër kanë krijuar jo pak probleme në shumë zona. Si pasojë e situatës së krijuar nga moti i keq, fatkeqësisht humbën jetën 3 persona. Kështu sipas burimeve të policisë bëhet me dije se një person u rrëmbye nga rrjedha e ujit në një nga fshatrat e Klosit, ndërsa një trup i pajetë doli në breg të Lumit të Tiranës, dhe viktima e tretë u shënua në zonën e Këlcyrës, ku një shtetas humbi jetën pasi u godit nga llamarina e çatisë si pasojë e erës së fortë.

Mbytet 44-vjeçari në Klos

Viktima e parë që u shënua si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe stuhisë së fortë të erës, ishte në Klos. Sipas burimeve të policisë së Rrëshenit bëhet me dije se shtetasi Xhevahir Ndoi 44-vjeç. Shtetasi Ndoi sipas burimeve të policisë është rrëmbyer nga rrjedha e ujit pasi udhëtonte me mjetin e tij tip fuoristradë. Ngjarja është raportuar nga banorët e zonës të cilët kanë parë një automjet që është rrëmbyer nga rrjedha e ujit të një përroi, si pasojë e rreshjeve të rëna. Ngjarja ku viktima e parë u shënua shtetasi Xhevahir Ndoi u raportua të ketë ndodhur reth orës 12:35.

Këlcyrë, humbet jetën 50-vjeçari

viktima e dytë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut është regjistruar në Këlcyrë. Një shtetas 50-vjeçar ka humbur jetën pasi është goditur në kokë nga llamarina e çatisë së shtëpisë, si pasojë e erës së fortë. Sipas burimeve të policisë bëhet me dije se viktima është shtetasi Kastriot Spahiu, 50-vjeç. Ai nuk ka mundur ti shpëtojë plagëve të marra në kokë. Policia mbërriti në vendngjarje për të kryer të gjitha hetimet dhe për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ngjarja ku humbi jetën 50-vjeçari Kastriot Spahiu, u raportua të ketë ndodhur rreth orës 13:25, ose në harkun kohor të një ore pas viktimës së parë që u shënua në Klos.

Lumi i Tiranës nxjerr një kufomë të seksit mashkull, identifikohet viktima

Lumi i Tiranës dje si shkak i reshjeve të dendura të shiut nxori një kufomë të moshës 40-50 vjeç. Trupi i pajetë i seksit mashkull është gjetur në bregun e Lumit të Tiranës në Babrru. Lidhur me këtë ngjarje policia e Tiranës informoi: “ Kom pol 5.Në Kamëz, Lumi i Tiranes ka nxjerre një kufome i seksit mashkull rreth 40-50 vjeç, shërbimet e policisë janë në vendin e ngjarjes po priten polumbarët për nxjerrjen e kufomës. Për momentin trupi është ende pa identitet, por pritet që ngjarja të zbardhet në orët në vijim. Besohet se personi mund të jetë rrëmbyer orët e fundit nga rrjedha e furishme e lumit”.  Ndërsa disa orë më pas po të njëjta burime, ato të policisë së Tiranës u shprehën: “ Kufoma e seksit mashkull u nxor nga Lumi,aktualisht ndodhet në morg ,nuk është bere i mundur identifikimi i tij, dyshohet rreth 50 vjeç”. Ngjarja ndodhi në lagjen Lura të Bashkisë Kamëz. Trupi i tij u nxor nga polumbarët e repartit RENEA. Situata përgjatë lumit të Tiranës nga Babrruja deri në Laknas është përmirësuar pas rënies së prurjeve. Ngjarja u raportua të ketë ndodhur rreth orës 13:30, rreth 5 minuta më vonë se viktima e dytë që u shënua në Këlcyrë, ku humbi jetën shtetasi Kastriot Spahiu, 50-vjeç, ngjarje kjo e ndodhur rreth orës 13:25.

Lidhur me kufomën e gjetur në Lumin e Tiranës, Frutikulturë ende të paidentifikuar. Ndërsa gjatë darkës nga ana e policisë ka pasur një tjetër komunikimi lidhur me kufomën e gjetur. Kështu policia njoftoi: “Nga ana e Policisë është shkuar në vendin e ngjarjes ku është bërë fiksimi i saj dhe është konstatuar se kufoma është 1.62 cm, i seksit mashkull, mbante veshur një palë pantallona me ngjyrë të zezë , një triko leshi me mëngë te gjata me ngjyrë të zezë, çizme llastiku, me ngjyrë jeshile, flokë të thinjur dhe ishte i moshës rreth 50 vjeç. Nga ana jonë, kufoma u dërgua tek mjekësia ligjore dhe u bë këqyrja, ku nga këqyrja nuk vërehen dëmtime trupore. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për ngjarje aksidentale. Rreth orës 21:00 burime pranë policisë deklaruan se është identifikuar kufoma e gjetur. Sipas policisë kufoma është konfirmuar nga i biri. Bëhet fjalë për shtetasin Bajram Lala, 80-vjeç. Sipas policisë viktima ka dalë në mëngjes me dele dhe nuk është kthyer më.

Forcat Ajrore ndërhyjnë  në Burrel

Në operacionet për shpëtimin e dhe evakuimin e familjeve dhe personave me probleme nga situata e krijuar nga përmbytjet, kanë marrë pjesë edhe Forcat e Armatosura. Ato kanë vijuar gjatë gjithë ditës ndërhyrjen në të gjithë vendin, për ti ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytja për evakuimin dhe shpëtimin e tyre. Kështu pasditen e djeshme rreth orës 15:00 kanë nisur një operacion kërkim-shpëtimi në Burrel me helikopterin “Cougar” me gjashtë persona në bord. U raportua se Efektivët e Forcës Ajrore kanë mundur të shpëtojnë familjen Gjetani në fshatin Lis në Burrel, përkatësisht një grua shtatzënë (Nertila Gjetani) dhe fëmijën tjetër të saj, vajzën tre vjeçe. Bashkëshorti i saj dhe të dy prindërit e tij nuk kanë pranuar të evakuohen nga banesa, me gjithë insistimin e ushtarakëve në këtë operacion. Ndërsa më pas Forcat e Armatosura kanë vijuar evakuimin e familjeve me probleme në zonën e Fushë Krujës, ku u aktivizuan 20 forca, mjete të kalueshmërisë së lartë si dhe motobarka shpëtimi. Ndërsa në Tiranë, në zonën e Urës së Babrusë kanë qenë në gatishmëri 10 trupa, mjete dhe motobarka shpëtimi. Ndërhyrje ka pasur edhe tek Pallati me Shigjeta me 10 forca, motopompa dhe mjete të tjera shpëtimi, si dhe në zonën e “City Park” me 10 forca dhe mjete zjarrfikëse. Ndërkohë që në qarkun e Lezhës Forcat e Armatosura kanë ndërhyrë që në orët e para të mëngjesit me mbi 50 trupa ushtarake, moto-gjeneratorë të fuqishëm, motopompa, mjete të kalueshmërisë së lartë dhe mbi 500 thasë me rërë. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë gjatë ditës së djeshme, por që vlen edhe për ditën e sotme kanë bërë apel të gjithë qytetarëve shqiptarë që t’i përgjigjen nevojës dhe mbështetjes për lëvizjen e tyre në mënyrë që të shmangin humbjen e jetëve njerëzore.

Lezhë, ndërhyn ushtria me dy grupe shpëtimi

Reshjet e dendura të shiut gjatë ditës së djeshme kanë sjellë edhe problemet e para të shkaktuara nga përmbytjet. Ministria e Mbrojtjes ka dërguar 30 trupa në qarkun e Lezhës, ndërkohë që janë në gatishmëri dhe 6 mjete të kalueshmërisë së lartë të cilat kanë ndërhyrë në përgjigje të kërkesës së emergjencës civile por dhe të vetë banorëve. Forcat e ushtrisë dhe mjetet kanë ndërhyrë sipas kërkesave të qarkut Lezhë për evakuim banorësh në zonat e rrezikuara nga përmbytjet. Ndërkohë që situata është problematike dhe në Fushë-Krujë ku janë tre familje në rrezik përmbytjeje, ndërsa kanë mbërritur forcat e ushtrisë për evakuimin e tyre. Dy grupe shpëtimi me varka shpëtimi dhe mjete të kalueshmërisë së lartë janë në Fushë-Krujë në ndihmë të banorëve për evakuimin e tyre. Forcat e ushtrisë pritet të ndërhyjnë dhe në Derven pas daljes nga shtati të lumit Zezë dhe në Borizanë. Një situatë e vështirë është dhe të Ura e Brarit në Tufinë, ku kanë mbërritur forcat e ushtrisë për evakuimin e një familjeje e cila është në rrezik përmbytjeje.

Qytetarët në panik, policia raporton rreth 4617 thirrje për ndihmë deri në mesditë

Gjendja e rënduar në disa qytete në veri të vendit, ka pasur në gatishmëri Sallën e Komandimit në policinë e Tiranës, duke i ndihmuar. Statistikat tregojnë se gjatë ditës së sotme, se deri në orën 11:30, punonjësit e Sallës së Komandimit, i janë përgjigjur 3737 telefonatave, nga qytetarë të ndryshëm. Ndërkohë që telefonatat nga qytetarët janë në rritje, duke numëruar 880 telefonata të tjera nga intervali kohor 11:30 – 12:00, duke arritur kështu në numrin total 4617 thirrjesh telefonike. “Po të bëjmë një krahasim me sistemin e vjetër, që ishte numri 129, nga këto telefonata, do të humbnin rreth 85% e tyre. Këshillojmë të gjithë qytetarët që të telefonojnë për çdo emergjencë apo arsye tjetër në numrin 112”, deklaroi Policia e Tiranës.

14947454_1472466649435133_4339668451793490961_n 14947953_1316712501706389_5720739489782614588_n 14955829_10209024746030442_8391197185961519804_n 14955842_10209024746190446_7255618904454272295_n 14955905_10154170769681523_2797020368572882809_n 14955991_516443618564811_6593947287665434059_n 14956446_516443468564826_6183518386926627521_n 14958315_10209370959504658_191630884_n

Përmbytjet në vend

Situatë problematike në disa qarqe, sinoptikanët: Më e keqja pritet sot, ja qytetet më të rrezikuara

Përmbytjet në vend ju kushtuan jetën tre personave, ndërsa dhjetëra familje janë evakuuar ndërsa rrugët vijojnë të jenë të bllokuara ku problematike situata paraqitet ne 5 qarqe

Situata e përmbytjeve që pushtoi vendin dje, u paraqit e vështirë në disa qarqe, ku pati dhe të vdekur. Ndër qarqet ku situata ishte alarmante dhe që qytetarëve u bëhej thirrje nga institucionet që të evitonin daljet ishin Tirana, Lezha, Kukësi, Shkodra, Dibra, Durrësi, Vlora, Gjirokastra etj. Por ajo që u vu re ishte se situata e përmbytjeve në  kryeqytet nga vërshimet e mëdha, u paraqit si asnjëherë më parë. Rrugë të bllokuara, pemë të rrëzuara, makina të përmbytura në ujë dhe shtëpi e banorë të izoluar tërësisht nën ujë.

Tiranë: Lana gati të “shpërthejë”, përmbytje dhe trafik

Mëngjesin e djeshëm rrugët e Tiranës ishin tërësisht nën ujë. Reshjet krijuan problematikë në Autostradës Tiranë-Durrës, nënkalimin e Vorës dhe në nënkalimet nga Kthesën e Kasharit ku ujërat  arritën në nivelin rreth 50 cm dhe bllokuan rrugën. Lumi Lana arriti në kufirin e tij maksimal. Ndonëse në kryeqytet punohet kanalet kulluese dhe pusetat nuk i erdhën në ndihmë.  Në zonën e Tiranës së Re, lumi i Lanës ishte  fryrë shumë dhe doli nga shtrati. Prani të madhe uji pati dhe në rrugët tek “Pallati me Shigjeta” për tek “Ura Vasil Shanto” në zonën e “Don Boskos” dhe “Xhamllikut” etj.  Ndërsa në zonën e “Nëntë Katsheve” në kryeqytet një grua përfundoi nën ujë dhe vetëm ndihma e kalimtarëve bëri të mundur që ti shpëtohej jeta . Ndërkohë që situate problematike u paraqit dhe në rrethina të kryeqytetit. Një qytetarë tjetër gjatë ditës së djeshme nga vërshimet e shumta mbeti i bllokuar tek k Ura e Babrrusë. Edhe në Zall Herr, dy persona u bllokuan dhe qëndronin mbi  makinë deri në moment që janë nxjerrë nga uji me kovën e një ekskavatori. Ndërsa banorët e Kasallës zona administrative  Zall Herr bashkia Tiranë ishte totalisht e bllokuar nga reshjet. Makinat gjatë segmente rrugore ishin nën ujë.  Një  benz dhe një kamioncinë ishin e zhytur në ujë në Babrru për shkak të prurjeve të lumit.  Por diçka e pazakonte ka ndodhur në Tiranë gjatë ditës së djeshme, kur një urban qyteti është përmbytur. Një situatë e vështirë u paraqit dhe tek Ura e Brarit në Tufinë, ku mbërritën forcat e ushtrisë për evakuimin e një familjeje e cila ishte në rrezik përmbytjeje.

Situata në Dibër: “Çmenden” lumi Mat dhe Drin  

Gjatë 24 orëve ka pasur reshje shiu me intensitet të cilat kanë krijuar problematikë në fshatin Urakë, njësia administrative Rukaj, bashkia Mat, ku ujërat e lumit Drin i Zi kanë dalë nga shtrati duke rrezikuar 10 banesa, familjet e të cilave janë evakuuar. Në fshatin Urakë, Mat si pasojë e rritjes së nivelit të lumit, ka marrë me vete urën ( e telit) e këtij fshati. Nga ura e Matit deri në Suç, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut është bllokuar rruga nacionale, 3 mjete po punojnë për hapjen e rrugës. Fshati Muzhaç, Mat si pasojë e daljes nga shtrati i përroit të këtij fshati 15 familje rrezikohen të përmbyten. Në fshatin Batër e Madhe të njësisë administrative Komsi janë evakuuar 15 familje. Në qytetin Burrel 4 banesa dhe 3 biznese kanë prezencë uji.

Shkodër, lumi Drin del nga shtrati

Edhe qyteti i Shkodrës është përfshirë nga reshje të dendura shiu gjatë mbrëmjes së djeshme. Qytetarët shkodranë kanë kaluar një natë të vështirë për shkak të vërshimit të ujerave nga reshjet e dendura. Rrugët ishin mbuluar nga uji, ndërsa vështirësi ka pasur edhe në qarkullimin e mjeteve. Pati  gërryerje dhe rënie të argjinaturës në segmentin pranë fshatit Darragjat, ku i pranishëm është edhe bordi i Kullimit për të marrë masa. Po ashtu ka pasur  rrëshqitje dherash e gurësh në rrugë dhe disa segmente si Theth-Breg Lumi. Prani uji ka në disa zona periferike dhe toka bujqësore në Bërdicë e Ana e Malit Gjithashtu ka pasur  shkëputje të energjisë elektrike, pasi janë thyer shtyllat. Situatë  problematike në Shkodër ishte dhe në momentin kur ka dalë nga shtrati  lumi Drin  ku ka përmbytur një pjesë e lagjes Ajasëm të Shkodrës ku u bë dhe aevakuimi i I shumë familjeve.  Ndërsa afro 60 shtëpi në fshatin Kasape të fshatit Kuç në njësinë administrative të Gurit të Zi u përmbyten gjatë mbrëmjes së të hënës. Niveli i ujit ka arritur në afro 1 metër dhe kjo ka alarmuar 400 banorët e kësaj lagjeje

14925442_1316712598373046_4352634717588091518_n 14937403_10155275558564881_111463690860584258_n 14937441_1316712665039706_6970200801118458226_n 14938177_1472466642768467_1915341967927690467_n

Lezhë u hapën  portat e shkarkimit të HEC-eve Ulzës dhe Shkopetit

Në rrethin e Kurbinit rruga rurale që lidh fshatin Gallatë dhe Vinjoll vijon të jetë e bllokuar, pasi ka rrëshqitje masive dherash. Në fshatin Zheje dhe Gjormë ka prani uji në afërsi të 10 banesave dhe sipërfaqe toke të mbuluara nga uji në lartesi deri në 30 cm. Në Rrethin e Mirditës në fshatin Tarazh, lumi Zalli Zmesë, ka dal nga shtrati, dhe ka përmbytur disa toka bujqësore .Në Njesine Administrative Orosh janë të pa kalueshme rruget rurale të fshatrave Grykorosh dhe Spaç. Në disa fshatra në Bashkinë Mirditë nuk ka energji elektrike. Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen situata emergjente të krijuara nga kushtet e motit. Situata doli jashtë kontrolli ku u desh ndërhyrja e ushtrisë.   Prurjet e shumta nga reshjet intensive bënë  që të hapen portat e HEC-eve në Shkopet dhe Ulëz. Sipas informacioneve të Shtabit të Emergjencave Civile në Lezhë, po shkarkohet me 1 mijë metër kub në sekond. Shkarkimet kanë sjellë situatë të rënduar në lumin Mat, në të cilin është rritur niveli i ujit, dhe rrezikon përmbytjen e zonës së Shënkollit.  Kjo ka sjellë rritje të menjëhershme të nivelit të lumit Mat duke sjellë alarm për përmbytjen në zonën e Fushë- Kuqes por dhe në Lezhë. Argjinatura e lumit Mat nuk paraqet problematikë por frika e përmbytjeve është tepër e madhe për shkak të prurjeve të mëdha të ujit. Problem në Zejmen, dalja nga shtrati e kanalit të ujrave ka përmbytur qindra ha tokë dhe dhjetra banesa janë përmbytur nën ujë.

Durrës: Përmbytjet, rrezikuan 30 banesa

Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë në disa lagje të qytetit ka pasur prezencë uji në katet e para të disa banesave kryesisht në lagjen nr.18 dhe nr.4. Lumi Zezë ka dalë nga shtrati dhe kishte izoluar 3 familje, banuese në Njësinë Administrative Fushë-Krujë, të cilat janë evakuuar nga Forcat Zjarrfikëse të Krujës. Nga Batalioni i Mbështetjes Rajonale të Forcave të Armatosura janë dërguar në Fushë Krujë dy ekipe shpëtimi me varka për të ndihmuar familjet në nevojë.

14955829_10209024746030442_8391197185961519804_n

Situata në Kukës: Bllokohen akset rrugore  

Akset Bajram Curri-Valbonë dhe Dushaj – Lekbibaj janë ribllokuar si pasojë e rrëshqitjeve të dherave dhe gurëve. Firmat kontraktore po punojnë për hapjen e tyre Të gjitha akset nacionale janë nën trysninë e rënies së gurëve të dherave dhe vërshimin e ujërave.
Probleme papasur në rrugët që lidhin Njësitë Administrative Grykë Çajë, Malzi, Lekbibaj, Fierzë, Bujan, Tropojë.Sipas informacionit të marrë janë shembur urat që lidhin fshatrat Viçidol, Tropojë e Vjetër, Lekbibaj, Geghysen, T’pla të rrethit të Tropojës, Bashkia Tropojë. Në Bajram Curri si pasojë e vërshimit të ujërave dhe rrëshqitjes së dherave janë dëmtuar rreth 15 shtëpi në lagjen Partizani, 2 shtëpi në fshatin Dojan dhe 2 shtëpi në fshati Bujan.
Si pasojë e reshjeve keshte përmbytje të tokave bujqësore në T’plan, Viçdol, Tropojë.
Për shkak të motit të keq në qarkun e Kukësit ka patur mungesë të energjisë elektrike. Pa energji elektrike janë rrethet Kukës, Njësitë Administrative: Kolsh, Surroj, Arrën, Malzi, Grykë Cajë, Bushtricë, Kalisë. Rrethi Has, Njësitë Administrative: Fajza, Golaj, Gjinaj, Krumë fshati Cahan. Rrethi Tropojë, Njësia Administrative Bytyç.

Paralajmërimi i sinoptikanëve: Më e keqja pritet sot, ja qytetet më të rrezikuara

Sinoptikanët japin alarmin dhe deklarojnë se situata problematike nga moti i keq nuk ka përfunduar ende. Sipas sinoptikanes Lajda Porja, situata pritet të përkeqësohet pas mesnatës dhe paraditen e sotme por më problematike do të jetë në pjesën qendrore dhe jugore të vendit. Qytetet më të rrezikuara sipas saj janë Gjirokastra dhe Saranda. “Gjatë orëve në vijim dhe në orët e mbrëmjes do kemi pauza të shirave por do vazhdojnë. Pas mesnatës zhvillim të vranësirave. Shira me intensitete do ketë pjesa qendrore dhe jugore. Problemi mbetet në zonat qendrore dhe jugore. Gjirokastra dhe Saranda pritet të kenë 90 mm deri në 100 mm shi gjatë orëve në vijim”, tha Porja. Sipas saj, deri në orët e mbrëmjes shirat do jenë prezentë por nuk do ketë problem. “Problemet do jenë gjatë natës dhe në orët e paradites së nesërme. Në Gjirokastër dhe Sarandë situata do jetë më problematike. Në Tiranë ka patur 103 mm shi në 5-6 orë. Shkodra, Lezha, laçi, Kruja e Burreli do kenë reshje por më pak, 30-40 mm. Problematike një pjesë e qendrës dhe zonat jugore, kryesisht Gjirokastra dhe Saranda. Në këto zona pritet edhe erë e fortë, kryesisht deti. Pritet të përmirësohet situata nesër pasdite dhe gjatë të mërkurës dhe të premtes. Në zonat malorë në ditët në vijim do ketë edhe reshje bore. Nga e mërkura do bien temperatura. Pritet situata në përmirësim pas natës së sotme”, tha Porja.

Moti i keq

Pezullohet mësimi në kopshte dhe shkolla, institucionet apel qytetarëve: Evitoni daljet

Nga përmbytjet e ditë së djeshme gjithsej janë evakuuar 180 familje ndërsa situata vijon të jetë problematike pasi reshjet e shirave pritet që të vijojnë dhe gjatë ditës së sotme

Reshjet e shumta të ditës së djeshme bënë që mësimi të pezulloje  në  të gjithë vendin për shkak të përmbytjeve. Ministra e Arsimit përmes një urdhri  ndërpreu dje procesin mësimor dhe edukativ në shkolla, kopshte dhe çerdhe për të mos rrezikuar fëmijët. Procesi mësimor nuk do të zhvillohet as gjatë ditës së sotme deri në një urdhër të dytë të Ministres Nikolla, pasi këto institucione të jenë të sigurta dhe reshjet të mos jenë më kërcënim. “Për shkak të situatës së emergjente në vend me porosi të Ministrit të Brendshëm njoftojmë mbylljen e procesit mësimor. Procesi i pezullimit do të vijojë deri në një urdhër të dytë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit. Në Tiranë, Bashkia e kryeqytetit raportoi se nga 200 shkollat, problematikë ka patur në 2 prej tyre, ndërsa insitucionet e tjera sociale kanë qëndruar të hapur. Ministria e Punëve të Brendshme i kërkon të gjithë qytetarëve te evitojnë maksimalisht lëvizjet ditën e sotme. Gjithashtu MPB ka kërkuar pezullimin e mësimit në sistemin parashkollor dhe shkollor në të gjithë vendin. Pas situatës së krijuar për shkak të reshjeve, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme pranë çdo Prefekture janë mbledhur Shtabet e Emergjencave të cilët po ndoqën gjendjen nga afër. Ministria e Transporteve njoftoi se kreu i kësaj ministrie, Sokol Dervishaj po mblodhi shtabin e emergjencave për shkak të reshjeve të dendura të shiut të rëna gjatë ditës së djeshme. Me anë të një njoftimi, Ministria thekson se po ndjek me vëmendje situatë. “Janë marre masat dhe po punohet që lëvizja në akset kombëtare te jete pa probleme”, njofton Ministria.

Situata pas përmbytjeve , qarqet më problematike, janë evakuuar 180 familje

Për shkak të përmbytjeve në vend janë evakuuar 180 familje. Emergjencat Civile në gjithë vendin kanë angazhuar mbi 3.500 forca të strukturave zjarrfikëse, emergjencave, ushtarake, të Policisë së Shtetit dhe njësive vendore. Gjithashtu janë 70 mjete të vëna në dispozicion për situatën, si dhe 1 helikopter. Sipas të dhënave nga Emergjencat Civile, deri në orën 17:00 të pasdites  së djeshme situata paraqitet si më poshtë. Ndërsa qeveria bëri një bilanc të dytë brenda ditës së djeshme për  situatën e  përmbytjeve në vend. 2 persona humbën jetën si pasojë e përmbytjeve dhe 180 familje janë evakuuar. Ministrat në mbledhje raportuan për probleme të furnizimit me energji elektrike, ujë të pijshëm, përmbytje të shkollave, spitaleve dhe qendrave shëndetësore.

Qarku Tiranë

Në lagjen Lura të Bashkisë Kamëz, një banor ende i paidentifikuar, ka ndërruar jetë pasi rrëshqiti në lumin e Tiranës. Trupi i tij u nxorr nga polumbarët e repartit RENEA.Situata përgjatë lumit të Tiranës nga Babrruja deri në Laknas është përmirësuar pas rënies së prurjeve.Dje janë evakuuar 80 familje. Ura e Lugut pas Institutit Bujqësor të Kamzës është dëmtuar nga prurjet e lumit të Tiranës.Autostrada Tiranë-Durrës është hapur në njërin krah, ndërsa në drejtimin tjetër kalimi është devijuar në rrugën dytësore.

Qarku Dibër
Në bashkinë Klos shtetasi Z.N., 40 vjeç nga fshati Plan, hyri me makinë përmes rrjedhës së përroit të fshatit dhe prurjet e mëdha e morën me vete mjetin duke u mbytur. Në shatin Myzë njësia administrative Lis, bashkia Mat si rezultat i prurjeve të Lumit Mat, u evakuua një familje me anë të helikopterit.

Qarku Lezhë
Në bashkinë Mirditë është dëmtuar unaza e qytetit të Rrëshenit, e cila është jashtë funksionit si pasojë e prurjeve të lumit Zme. Janë hapur portat e Hidrocentraleve të Shkopetit dhe Ulzës.

Qarku Kukës
Aksi rrugor Dushaj-Lekbibaj është hapur nga firma kontraktore pasi ishte bllokuar nga rrëshqitjet e gurëve dhe dherave. I bllokuar vijon të ishtë aksi rrugor Bajram-Curri Valbonë, në të cilin po punohet. Në fshatin Ujmisht është shembur ura mbi lumin Bushtricë.

Qarku Gjirokastër

Në fshatin Zhepe Njësia Administrative Çarshovë bashkia Përmet, era ka rrëzuar urën pasarelen që lidh fshatin me qytetin duke e izoluar këtë zonë.

Tirana pa ujë

Reshjet e shiut, uji i Bovillës i turbulluar katër herë mbi normën e lejuar

Moti i keq me stuhi shiu që përfshiu  të martën  Tiranën, përveç problemeve të çastit që shkaktoi në lëvizjen e njerëzve dhe të mjeteve në kryeqytet, ka sjellë një situatë të vështirë edhe në impiantin e filtrimit të ujit në Bovillë. Si pasojë e shirave dhe prurjeve të shumta, uji në ujëmbledhësin e Bovillës është turbulluar, çka ka detyruar Bashkinë e Tiranës të marrë masa për kufizimin e furnizimit me uji të qytetarëve të Tiranës, deri në përmirësimin e situatës dhe vënien në funksion të plotë të këtij impianti.  Situata në Bovillë u ndoq nga afër edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se deri në një normalizim të situatës në këtë impiant do të ketë kufizim të furnizimit me uji të banorëve të Tiranës. “Po e mbyllim ditën e sotme në Bovillë, ku gjithmonë Bovilla shfaq problematikat pasi ka kaluar shiu, duke qenë se ujëmbledhësi furnizohet me përrenj nga e gjithë Malësia e Tiranës. Situata aktualisht është se në ujëmbledhësin e Bovillës vjen ky lloj uji, i cili ka një turbullirë katër herë mbi normën maksimale të turbullimit të ujit. Do të thotë se është katër herë mbi ç’lejon ky impiant dhe çdo rregull i BE-së. E di se për qytetarët, të cilët do të preken nga furnizimi i kufizuar me ujë, sigurisht që një pjesë e mërzisë do të jetë me Bashkinë, pse nuk e lejon ujin, por asnjë njeri normal, asnjë kryetar bashkie, asnjë njeri që duhet të marrë vendime për qytetarët e vet, nuk do të merrte vendim që të lejonte këtë ujë të kalonte”, tha Veliaj.

Politika për përmbytjet

Rama mbledh shtabin e emergjencave në kryeministri. Basha: Dilni në terren, të shpëtohen jetët

Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që të mblidhet Zyra Operacionale, gjatë dy takimeve ditën e djeshme të gjithë ministrat raportuan për situatën përpara kryeministrit

Reshjet e shiut ditën e djeshme shkaktuan përmbytje në të gjithë vendin, por sidomos në pjesën e Shqipërisë së Mesme dhe atë Veriore. Në shumë qytete, situata u përkeqësua dhe mijëra hektar tokë u përmbytën. Për të bëri ballë këtyre përmbytjeve, kryeministri Rama mblodhi dje në Zyrën Operacionale  kabinetin qeveritar, ku dha direktivat për çdo sektor. Takimi u zhvillua në kryeministri dhe në mbledhjen e cila zgjati gati një orë morën pjesë, ministrat dhe drejtuesit e strukturave të shtetit të përfshira në përballimin e  situatës së krijuar nga reshjet me intensitet të lartë. Kryeministri Rama i cili drejtoi këtë mbledhje, kërkoi nga të gjithë të pranishmit  të bënin një panoramim të situatës. Për të mos zgjatur shumë mbledhja sepse duhet që të dilnin në terren , Rama u kërkoi që përmbledhja të ishte e shkurtër. Me radhë, të gjithë drejtuesit informuan për përmbytjet duke bwrw tw ditur situatën qw po kalonte vendi.

Zyra Operacionale

Drejtori i Zyrës Operacionale Dritan Kola, shpjegoi të gjithë situatën, dhe evidentoi se cilat qarqe ishin më të prekura nga reshjet. Ai tha se disa lumenj kishin dalë nga shtrati dhe shumë rrugë ishin të bllokuara. Dritan Kola tha se gjendja është shumë emergjente,  por situata po mbahej nën kontroll.  Pas këtij panoramimi, kryeministri falënderoi të gjithë ministrat që kishin marrë pjesë drejtpërdrejt në këtë situatë, pasi sipas tij të gjithë kishin bërë një punë shumë të mirë përgatitore.

Emergjencat civile               

Drejtori i emergjencave civile Shemsi Premci,  cili paraqiti situatën  që sipas tij ishte e rënduar. Premçi tha se informacioni për këtë situatë është marrë që në datën 4, dhe për të përballuar kishte lajmëruar të gjithë aktorët e përfshirë.  Shemsi Premci detajoi të gjithë ngjarjet që kishin ndodhur në vend për gjatë ditës dhe sipas tij drejtoria emergjencave civile ka qenë në gatishmëri.

Energjia

Rama nën rolin e moderatori kërkoi informacione nga Ministri i Energjisë dhe nga Drejtori i OSHEE,  të cilët shpjeguan situatën në sektorin e energjisë.  Ministri i energjisë Damian Gjiknuri deklaroi se ishin marrë masat për të shmangur përmbytjet, pasi ishin parashikuar  shkarkime të hidrocentraleve në kaskadën e  Drinit.  Kemi filluar menaxhimin e këtyre prurjeve të mëdha, duke prodhuar tërësisht nevojat për energji elektrike që ka Operatori i  Shpërndarjes, duke prodhuar me kapacitet të plotë e furnizuar Operatorin e Shpërndarjes, pjesa tjetër kemi filluar tregtimin e energjisë dhe një pjesë, depozitimin e energjisë, në mënyrë që të shfrytëzojmë maksimalisht edhe prurjet që vijnë, një pjesë për t’i derdhur, pjesën tjetër për të prodhuar energji elektrike dhe njëkohësisht, duke përfituar edhe në aspektin ekonomik të kompanisë – ishin këto fjalët e ministrit Gjiknuri.  Pas tij  foli drejtori i OSHEE, i cili deklaroi se grupet janë në gatishmëri në terren.  Sipas tij 1500 punëtor kanë punuar për normalizimin e  situatës së energjisë. Edhe pse grupet e punës ishin në terren përsëri kishte ndërprerje të energjisë elektrike për 199 417 banorë, nga të cilët 32 479 janë në zona urbane dhe pjesa tjetër në zona rurale. Më pas bëri edhe një shpjegim të detajuar për çdo qytet dhe situatën që paraqitej.

Bujqësia  dhe transportet

Pasi u paraqit situata me energjinë kryeministri Rama kërkoi të dinte edhe situatën me bujqësinë. Ministri Edmond Panariti sqaroi situatën, ku paraqiti situatën me hirdrovorët, të cilët ishin në punë përveç atij të Akërnisë dhe Synejt për shkak të një defekti. Kanalet sipas ministrit ishin të pastruar, por përsëri 80 hektar tokë ishin nën ujë. Pas tij fjalën e mori  Ministri i Transporteve Sokol Dervishi. Sipas Dervishit  situata ishte nën kontroll, por disa akse në zonën e veriut ishin të bllokuara.  Gjatë zhvillimit të kësaj mbledhje ka reaguar dhe kryetari i Partisë Demokratikë Lulëzim  Basha.

Basha: Qeveria duhet të zbres në terren

Në kohën që në kryeministri po zhvillohej mbledhja e Zyrës Operacionale, kryetari i PD doli në një deklaratë për shtyp ku i bëri thirrje Edi Ramës për të lënë shfaqet në televizion, por të dilte në terren. Ai tha se duhet që qeveria të zbres në terren për të mbrojtur jetën e njerëzve të cilët janë prekur nga përmbytjet. “Po ndjekim me vëmendje dhe shqetësim të madh situatën e krijuar në vend si rezultat i përmbytjeve masive në të gjithë vendin. Gjendja vazhdon të jetë shumë e rëndë. Prioritet për ne është ruajtja e jetëve njerëzore, por për fat të keq është shënuar viktima e parë në Klos. I bëj thirrje kryeministrit t’i japë fund shfaqjeve live, dhe të nisë menjëherë masat lehtësuese.”, u shpreh Basha. Kreu i opozitës shprehu trishtimin për jetët e humbura, dhe përsëri i bëri thirrje kryeministrit për të zbritur në terren.  Ai deklaroi se opozita do të jetë në krah të përpjekjes për të ndihmuar popullatën civile.

Dervishaj nga Vlora: Masa për të përballuar situatën e ditëve në vijim

Pas mbledhjes së Zyrës Operacionale, Ministri i Transporteve Sokol Dervishaj udhëtoi drejt  qytetit të Vlorës. Qyteti jugor nuk u prek nga reshjet gjatë ditës së djeshme por masat ishin marrë për ditët në vijim. Dervishaj deklaroi se: Vlora nuk është prekur nga problemet si pasojë e reshjeve. Priten reshje në ditët në vijim. Janë marrë masat për të përballuar çdo lloj situatë në Vlorë. Firmat kontraktore janë angazhuar maksimalisht për të mos pasur probleme. Dervishaj tha se po monitorohet situata edhe në portin e Vlorës. Për të rëndësi e madhe janë portet, të cilët duhet të punojnë më kapacitet të plotë, për të ofruar shërbime cilësore.  Vlora u përfshi nga era dhe pati probleme me ankorimin e trageteve.

berisha1_2

Berisha për përmbytjet

Ish-kryeministri denoncon nga rrjeti social situatën në të gjithë vendin

Ish-kryeministri Sali Berisha  ka qenë shumë aktiv ditën e djeshme në profilin e tij në rrjetin social facebook.  Përmes fotove dhe videove Berisha ka denoncuar përmbytjet në shumë zona të Shqipërisë. Bllokimi i autostradës Tiranë-Durrës, për ish-kryeministrin nuk kaloi pa u vënë re. Një video tregonte gjendjen që kjo rrugë ndodhej, pas reshjeve të shumta të shiut. Por për Berishën shkaku i vërtetë i përmbytjes nuk ishin reshjet, por palmat e mbjella anës rrugës. “Katastrofe ne autostradën e “palmave”! Kjo ndodh kur mbyll kanalet për të mbjell palmat!”- me këto fjalë e përshkruan situatën në rrugën më të rëndësishme të vendit.  Por kjo video nuk ka qenë e vetmja, sepse një tjetër filmim tregonte gjendjen që ndodhej qyteti i Tiranës. Vërshimi i ujëra ishte shumë i madh dhe deputeti i PD e quan një lum të madh të gjithë Tiranën, pasi shumë rrugë ishin të përmbytura,  por edhe në Selitë rryma e ujit ishte shumë e madhe që ngjasonte me një lum. Fshati Kasallë në Krujë ishte i bllokuar nga reshjet e shumta, gjë e cila u pasqyrua në profilin e facebook-ut të ish-kryeministrit.  Po ashtu u vu re se në thuajse cdo status të tij për situatën, ish-kryeministri nuk nguroi të replikonte me komentuesit e shumtë duke dhënë edhe sqarime të ndryshme.

mbledhje-qeverie

Qeveri dritëshkurtër, ka shkurtuar fondet për emergjencat

–   Transferta e fondeve për fasada ministrish, qendra qytetesh sipas gustos së kryeministrit dhe arkitektëve që e rrethojnë atë në çdo moment, për fat të keq po bën që të hiqen fonde të domosdoshme për emergjencat. Dhe këto nuk janë pa pasoja

Ervin Kaduku

E kanë fajin palmat e autostradës, mungesa e kanalizimeve, puna e dobët e bashkive për kullimin. Të gjitha këto kritika, kryesisht në adresë të kryeministit dhe të kryebashkiakut të kryeqytetit, kanë mbushur dje faqe të tëra në Facebook dhe në internet në tërësi. Nuk mund të thuash se qytetarët nuk kanë të drejtë. Si ka mundësi që vetëm tani ndosh që autostrada kryesore e vendit të bllokohet totalisht sapo bie një shi i rrëmbyeshëm, me një shtresë uji prej 50 cm, që e bën të pakalueshme edhe për mjetet e larta?

Problemi mund të shtrohet, natyrisht, edhe nga ana teknike, por nuk duhet harruar “prapaskena” financiare e tij, që është edhe më e rëndësishmja. Kjo ka lidhje me mungesën e financimit për dikasteret që merren me kullimin, rrugët, të cilëve Financat u kanë shterur në vite fondet.

Emergjencat

Vetëm në rastet kur ndodhin “fatkeqësi natyrore” si përmbytjet, kujtohemi për fondet e pakta të emergjencave civile. Referuar të dhënave zyrtare të buxhetit të shtetit, fondet për emergjencat janë në vlerën e 144 milionë lekë sivjet, një vlerë kjo shumë e ulët krahasuar me atë të një viti më pare, kur fondi ishte 839 milionë lekë, pra afro shtetë herë më i lartë. Por duke parë eksperiencën e viteve të shkuara, kur dhe përmbytjet kanë qënë të konsiderueshme dhe me pasoja të rënda në shumë zona të vendit, ata që kanë planifikuar fondet duhej ta kishin kuptuar se ato kanë qënë të pamjaftueshme, ndërsa qeveria ka përdorur fondet e kontingjencës për të përballuar këto nevoja. Por kontingjenca është e destinuar për të tjera shpenzime. Kështu fondi i programit të emergjencave civile është “simbolik” për të përballuar dhe nevojat që mund të paraqiten në vijim. Por a do të ndërhyjë qeveria me fonde të veçanta nga kontingjenca? Referuar fondit të kontingjencave, për këtë vit ai është 2.2 miliardë lekë, një vlerë kjo më e madhe se e një viti më parë. Ndërkohë që në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm ky zë është programuar edhe më pak: 1.5 miliardë lekë.

Katastrofat

Kujtesa e qeveritarëve duket se është shumë e shkurtër. Por edhe e papërgjegjshme. Duke qenë se në përgjithësi na karakterizon memoria afatshkurtër, në këtë linjë po shkon edhe menaxhimi i ndryshimeve të motit. Brenda 9 muajve vjet Vlora dhe Fieri janë përmbytur dy herë.

Përveç ekonomive lokale, dëmtimi masiv i kulturave bujqësore në pranverë e ka dëmtuar ekonominë kombëtare të paktën 0.3 % vitin e kaluar. Por e mergjenca nuk ka ndërgjegjësuar aspak institucionet për një vëmendje ndaj një sektorit në të cilin vendi shpreson të rrisë ekonominë në të ardhmen. Gjatë rishikimit të buxhetit 2015 në shtator të atij viti, fondet për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit u shkurtuan me 520 milionë lekë, ose rreth mbi 4.5 milionë dollarë.

Sipas arsyetimeve të qeverisë, kur u ndryshua buxheti u shkurtuan fondet e institucioneve që nuk kanë mundur të shpenzojnë sipas planifikimeve fondet e përcaktuara në sektorë të ndryshëm.

Kështu, nga më shumë se 2 miliardë lekë që ishte fondi fillestar në buxhet për infrastrukturën e Ujitjes dhe Kullimit, me buxhetin e rishikuar ato ranë në 1,5 miliardë lekë ose me 25%. Ndërkohë fermerët e zonës së Verrit në Fier pohuan se kanalet kanë 25 vite pa pastruar dhe përmbytjet e fundit nuk krijuan shumë dëme vetam për faktin se prodhimi ishte vjelur shpejt për shkak të verës së thatë.

Banka Botërore në një studim të posaçëm për ndryshimin e klimës i ka rekomanduar Qeverisë shqiptare që të shtojë monitorimin e ndryshimeve të motit për t’i paraprirë kështu katastrofave që këto mund të sjellin në sektorin bujqësisë dhe energjisë.

Por transferta e fondeve për fasada ministrish, qendra qytetesh sipas gustos së kryeministrit dhe arkitektëve që e rrethojnë atë në çdo moment, për fat të keq po bën që të hiqen fonde të domosdoshme për emergjencat. Dhe këto nuk janë pa pasoja.

Pasojat

Ndryshimet klimatike dhe shkatërrimi i natyrës nga dora e njeriut do t’i shkaktojnë Ultësirës Perëndimore përmbytje më shumë se një herë në vit dhe kjo ka të ngjarë të ndodhë edhe në kulmin e sezonit të mbjelljeve apo të korrjeve. Investimet ndër vite në infrastrukturën rrugore rrezikojnë të rrënohen brenda minutës nga shembjet e tokës. Mijëra familje po përjetojnë mbijetesën nga shkatërrimi i banesave dhe pronës. Këto fenomene të përjetuara edhe ditët e fundit janë paralajmërime që Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Banka Botërore po bëjnë gjithnjë e më shpesh. Por kërcënimi që shqiptarët përjetojnë në vijimësi nga faktori njerëzor, me korrupsionin e përhershëm, papunësinë e lartë, mungesën e sigurisë, perspektivën e paqartë etj., e kanë lënë disi në sfond rrezikun e vërtetë, atë që vjen nga natyra. Drejtoria e Emergjencave Civile në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare llogarit një kosto prej 35 milionë eurosh në vit që i krijohet vendit nga fatkeqësitë natyrore të tilla si përmbytjet, tërmetet, zjarret etj. Që nga 2009, ku përmbytjet kanë vijuar me intensitet të lartë, dëmi në total në vlera neto i krijuar deri në fund të 2015-s llogaritet rreth 200 milionë euro. Me sa duket, kjo do të përsëritet edhe sivjet.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here