Lënia e Shqipërisë në një kohë kur në vend ka pasur përmbytje dhe ikja në SHBA, ku kryeministri Edi Rama mori pjesë në një ekspozitë arti në New York, duket se ka lënë një shije të hidhur në opinion publik.
“Përballje e mirëorganizuar me pasojat e motit dhe Solidaritet me njerëzit në nevojë”, shkruan sot kreu i qeverisë sot në faqen e tij zyrtare në Facebook, duke postuar foto të aksionit të forcave të policisë që shpërndajnë ndihma për personat e prekur nga përmbytjet, apo punëtorëve të tjerë të shtetit, që bëjnë punën e tyre për të minimizuar efektin, për shumë banorë shkatërrues, të përmbytjeve të ditëve të fundit.
Në albumin “Shteti në krye të detyrës”, dedikuar përmbytjeve dhe i krijuar rishtazi për të përcjellë te publiku idenë se “Shteti punon”, Rama ka shtuar disa fotografi të reja.
Por, pakënaqësia ndaj tij është shfaqur edhe këtë herë:
“Falënderojmë juve zoti kryeministër që na iluminoni me ekspozitat tuaja në New York. Fal jush, jam bërë një njohës i mirë i pikturës dhe i artit. Ato të largojnë të gjitha streset dhe hallet e përditshme. Bravo, kështu vazhdoni!”, komenton një qytetar me emrin Kelvis.