Partia Demokratike po harton një kallëzim penal për Ministrin e Shëndetësisë, pasi ekzistojnë prova të pakundërshtueshme se në këto histori korruptive janë interesat sponsorëve të karrierës së Kryeministrit
Sejrie Baleta
Sistemi shëndetësorë në vend po përballet me një sërë problematikash. Pacientët janë të shqetësuar për mënyrën se si u shërbehet, mungesën e ilaçeve, mungesën e profesionalizmit nga ana e burimeve njerëzore etj. Por si të mos mjaftonin këto, edhe ato para që janë planifikuar nga shteti për ti ardhur në ndihmë shëndetësisë, sipas akuzave nga Partia Demokratike , po abuzohen. Format e reja të dhënies së koncesioneve me Partneritet Publik–Privat, janë akuzuar shpesh nga ana e partisë Demokratike se ka pasur abuzime me fondet dhe se kanë përfituara koncesionarët që janë miq të kryeministrit dhe ministrit të Shëndetësisë Beqaj. Referuar të dhënave, nga 68 miliardë lekë që do paguhen deri në vitin 2025 sipas Ministrisë së Financave, shëndetësia do të marrë 40 miliardë lekë (rreth 290 milionë euro), apo rreth 60% të totalit, për katër koncesione, check-up, instrumentet kirurgjikale, dializës dhe laboratorike spitalore. Por të katër këta koncesione janë akuzuar herë pas here nga ana e opozitës si korruptivë dhe që janë dhënë në mënyrë klienteliste. Në lidhje me këtë situatë në një intervistë për ‘Gazetën Standard” kryetarja e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë dhe njëkohësisht deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi flet mbi abuzimet me koncesionet. Po ashtu ajo i mëshoi edhe vetë deklaratës së ministrit Beqaj i thirrur me 1 nëntor në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, i cili pranoi abuzimin e rreth 2 miliardë lekëve (ose 1.5 mln Euro), që iu dhanë pronares së koncensionarit në 2015, më shumë gjasa duke falsifikuar listën e personave që kanë kryer check-up-in.
Më 1 nëntor ministri Beqaj ishte thirrur në dëgjesë në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë për rritjen e fashos së Check- up. A i dha shpjegimet që deputetët i kërkuan në lidhje me këtë vendim?
Ministri i Shëndetësisë, fillimisht refuzoi të vinte në dëgjesë në shkelje të detyrimeve kushtetuese që detyrojnë ekzekutivin të informojë legjislativin, dhe këtë të fundit të monitorojë punën e Qeverisë. Edhe kur vendosi të vinte pas shumë ditësh kërkesash, dukej se Ministri Beqaj nuk erdhi të raportonte para deputetëve të Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë si Ministër i Shëndetësisë, por si përfaqësues i kompanisë që po përfiton padrejtësisht miliarda lekë nga koncensioni korruptiv i Check-up. Ministri refuzoi të jepte informacionin përkatës në lidhje me Vendimin e Qeverisë për rritjen e fashës së grupmoshave për të përfituar kontrollon shëndetësor falas, ose të ashtuquajturin check – up. Deklaratat e tij kulmuan me pranimin e abuzimit të rreth 2 miliardë lekëve (ose 1.5 mln Euro), që iu dhanë pronares së koncensionarit në 2015, më shumë gjasa duke falsifikuar listën e personave që kanë kryer check-up-in. Në mënyrë kriminale koncesionari, mikesha e Kryeministrit Rama është paguar për 111.000 analiza të check up të pakryera asnjëherë. Në kushtet e kësaj deklarate që dëshmon vjedhje në flagrancë, i kërkova ministrit dorëheqjen e menjëhershme dhe i bëra thirrje Prokurorisë të rinisë hetimet për të ndëshkuar përgjegjësit e këtij akti korruptiv.
Koncesionet për 3 shërbimet bazë; check up-in, hemodializën dhe sterilizimin janë akuzuar nga opozita se i janë dhënë klientëve të qeverisë Rama. A i keni dërguar akuzat në prokurori dhe kur pritet që të nisin hetimet?
Pas deklaratave të shumta nga ana ime, dhe e shumë funksionarëve të lartë të Partisë Demokratike, pas një serie deklaratash për shtyp, Prokuroria hapi kryesisht hetimet për këto tre koncesione. Me kërkesë të Prokurorisë, duke besuar në punën profesionale të organit të akuzës, unë kam dëshmuar si person në dijeni, si dhe kam dërguar edhe zyrtarisht të gjitha informacionet që disponoja. Por theksoj se qeveria ka bërë përpjekje të forta për të bllokuar hapjen e dosjeve të shëndetësisë përmes shantazheve të formave nga më të ndryshmet. Pas skandalit më zgjerimin e fashës së grupmoshave të përfshira në check up, Partia Demokratike po harton një kallëzim penal për Ministrin e Shëndetësisë, pasi ekzistojnë prova të pakundërshtueshme se në këto histori korruptive janë interesat sponsorëve të karrierës së Kryeministrit.
Koncesionet me Partneritet Publik–Privat, nga 68 miliardë lekë që do paguhen deri në vitin 2025 sipas Ministrisë së Financave, shëndetësia do të marrë 40 miliardë lekë (rreth 290 milionë euro), apo rreth 60% të totalit, për katër koncesione, check-up, instrumentet kirurgjikale, dializës dhe laboratorike spitalore. Si e shikoni ju këtë situatë?
Vendimi i Ministrisë së Financave për të akorduar fondin më të madh buxhetor në koncensionet e shëndetësisë përforcon dyshimet e artikuluara nga Partia Demokratike se pas kësaj historie qëndron Kryeministri dhe disa Ministra.
Skandali i barnave të rimbursueshme i pati fillesat në nëntor të vitit 2014, dëmi u përllogarit në 1.5 miliardë lekë. Si u mbyll ky skandal nga ministria, a u vendos drejtësia në vend?
Skandali me barnat e rimbursueshme u mbyll po me receta false… Drejtësia në kushtet e presioneve arrestoi ata më të vegjlit në këtë skemë që mund të quhet pa frike kriminale. Pasi është kriminale të vjedhësh paratë që duhet të shkonin për shëndetin e pensionistëve, të sëmurëve kronikë, fëmijëve, të papunëve etj… Të gjithë morën dënime minimale, e tani të gjithë janë në shtëpi ose kanë rinisur të njëjtin biznes fitimprurës me dijeninë dhe me mbështetjen e koordinatorit të korrupsionit të Kryeministrit…
Skandali me depot farmaceutike, ku kompania e fitoi tenderin e ministrisë së Shëndetësisë në vlerën e 50 milionë lekëve. Po në këtë rast si u veprua?
Historia e Nadirit, jo magjistarit, por pronarit të Omegafarmës është legjenda e lidhjeve shpirtërore të Ministrit të shëndetësisë me korrupsionin. Nadiri është i vetmi i dënuar që mori zyrtarisht tender edhe pse ishte në qeli. Heshtja e tij u ble shtrenjtë me paratë e shqiptarëve nëpërmjet tenderëve të firmosura nga vetë Ministri i Shëndetësisë. 2.2 mln euro abuzime vetëm me një ilaç, Ketosterilin…mendoni sa kanë qenë vlerat e abuzimeve me insulinat, apo barnat e tjera të shtrenjta… Dhe këtë skandal shtetëror tani e gjeni vetëm në arkivat e Ministrisë së Shëndetësisë.
Vlera e koncensionit për shërbimin e hemodializës është rreth 8.6 miliardë lekë dhe kompania në fjalë do të kryejë investime në 5 qendra pranë spitaleve përkatësisht në Shkodër, Lezhë, Vlorë, Korcë dhe Elbasan. A janë ngritur këta qendra dhe si paraqitet situata ne to?
Partia Demokratike e ka kundërshtuar koncesionimin me çmim fiks për 10 vjet si dhe monopolizimin e këtij shërbimi nga vetëm një kompani. Koncensionari i hemodializës është një tjetër shërbim që ka ngjallur dyshime pas ngjarjes së fundit në një nga filialet e tij, ku fatkeqësisht pati edhe viktima. Ngjarja është nën hetim. Ndërkohë në cilësinë e Kryetares së Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë kam kërkuar informacion të plotë si për mënyrën e prokurimit, kontraktimit si dhe për kushtet e zbatimit të koncensionit. Në media ka patur pretendime për abuzime në këtë shërbim lidhur me koston dhe shërbimin. Ndërkohë edhe në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, flitet për vendime klienteliste të ministrisë.
Sterizlimit të pajisjeve mjekësore e sallave kirugjikale janë dhënë me koncesion. Si po punohet në këtë drejtim. A ka pasur ankesa nga ana e pacientëve?
Për këtë koncensionar ka patur kundërshti të hapura, për shkak se një investim miliona euro nuk u hodh poshtë, por ju dha dhuratë së bashku më 100 mln euro një miku të hershëm të Ministrit i cili përveçse kishte vetëm një kompani anonime të sapokrijuar me një punëtor, s’kishte asnjë eksperiencë me shërbimin që do kryente. Por ndërsa koncensionari vjel shtetin, në sallat e operacioneve mjekët dhanë alarmin pak muaj më parë për koloni mikrobesh që rrezikonin jetën e pacientëve që i nënshtroheshin operacioneve, por edhe kirurgëve dhe infermierëve që asistonin të sëmurët. Edhe për këtë koncesnionar me vlerë rreth 100 mln Euro kemi kërkuar informacion në ministrinë e shëndetësisë. Por Ministri Beqaj ka refuzuar të raportojë!!!