Delina Ibrahimaj është emëruar në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave me vendim të kryeministrit Edi Rama.
Deri tani këtë post e mbante Mirela Muça si drejtoreshe e autorizuar prej dhjetorit 2015. Më parë në krye të INSTAT ishte Gjergji Filipi i cili humbi jetën nga një sëmundje e rëndë po në këtë muaj.
“Ajo ka një përvojë të gjërë në kryerjen e analizave ekonomike, fituar gjatë eksperiencës së punës në Bankën e Shqipërisë dhe pranë Kryeministrisë si koordinatore për krijimin e një sistemi të integruar shkëmbim informacionesh dhe statistikash operacionale të Instituteve shtetërore” shkruhet në cv e saj të publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë.
Duke uruar punë të mbarë stafit drejtoresha Ibrahimaj shprehu angazhimin dhe bindjen për një bashkëpunim të suksesshëm në vazhdimësi.
INSTAT bën të ditur se znj.Ibrahimaj mban gradën Doktor (PhD) në Bankë dhe Financë nga Universiteti i Romës, Tor Vergata. Ibrahimaj ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Boçonit në Milano, Itali, ku është diplomuar për Ekonomi Ndërkombëtare dhe më pas ka kryer masterin për Menaxhim të Përgjithshëm po në të njëjtin universitet.