Dëshmitë e dy oficerëve gjyqësore belgë dhënë përpara Gjykatës së Tiranës, gjatë së martës, duket se janë prova më e fortë e Prokurorisë kundër ish-deputetit Mark Frroku, nën akuzë për vrasjen e Aleksandër Kurtit 17 vite më parë në Belgjikë.
Nën masa të rrepta sigurie, shoqëruar nga efektivë speciale të policisë, Steven Van Deneste dhe Josef Overdin, oficerë gjyqësore pranë Prokurorisë së Mbretit dhe në Bruksel, mbërritën në Gjykatën e Tiranës dhe para trupit gjykues konfirmuan se Mark Frroku është i përfshirë në vrasjen e Aleksandër Kurtit, por nuk kanë dhënë shumë detaje lidhur me provat që i kanë çuar në këtë përfundim. Dëshmitë e tyre u dëgjuan gjatë një seance me dyer të mbyllura, pasi Gjykata urdhëroi boshatisjes e sallës së gjyqit, me kërkesën e prokurorit Adriatik Cami, i cili tha se cenohet siguria e jetës së dëshmitarit, Steven Van Deneste, i thirrur në proces me kërkesë të organit të akuzës.
Në seancën që zgjati më shumë se pesë orë, oficerët belgë kanë konfirmuar se të dhënat për përfshirjen e Mark Frrokut në ngjarjen e rëndë, i kanë grumbulluar nga dëshmitarë, anonime. Në fakt, oficeri Steven Van Deneste, edhe më herët ka implikuar ish-deputetin Frroku në krimin e rëndë. Një raport të dhjetorit 2013, të përpiluar nga oficeri Deneste, ky i fundit, informon prokurorin se Mark Frroku është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe është pikërisht ky person i njëjti që rezulton të jetë i përfshirë në ngjarjen ku humbi jetën Aleksandër Kurtit. Në raport thuhet se “ne saktësojmë se nuk ekziston asnjë dyshim se ky i quajtur Mark Frroku dhe i ashtuquajturi Besnik Morina, identifikuar në kuadër të kësaj dosje, identifikuar edhe më emrin Mark Frroku, Dritan Drroku, Piro Sofrani, janë një, dhe i njëjti person”.
Oficeri bën me dije, se identifikimi është bërë nga një foto e publikuar në median shqiptare, ku Frroku, është intervistuar si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe sipas Desentes, ai është i implikuar në ngjarjen e ndodhur në Bruksel.
Megjithatë, oficeri në raport nuk sqaron rrethanat e implikimit të Frrokut në këtë krim. Të dy oficerët pritet të dëshmojnë mesditën e së mërkurës në gjyqin ndaj Kristian Marinaj, i dyshuar si bashkëpunëtor i Frrokut në krim. Ish-deputeti Frroku veç akuzës për vrasje, dyshohet edhe për fshehje pasurie, pastrim parash e ndërtim të paligjshëm./BW