Farat e lirit vijnë nga bima e lirit, e cila është një bimë shumë vjeçare. Egjiptianët e lashtë i përdornin farat e lirit për ushqim dhe ilaç. Në të shkuarën farat e lirit janë përdorur përgjithësisht si laksativ. Ato i shtojnë volum feçeve duke i ndihmuar që të lëvizin më shpejt në zorrë.
Farat e lirit dhe vaji i tyre janë të pasura në acide alfalinolenike (ALA), një acid yndyror omega-3, që është i rëndësishëm për sëmundjet e zemrës, sindromin e zorrës së irrituar, artritin dhe probleme të tjera shëndetësore. Acide të tjera yndyrore omega-3 përfshijnë ato që gjenden edhe në vajin e peshkut, që janë acidi dokosaheksanoik (DHA) dhe acidi eikosapentaenoik (EPA). Salmoni dhe arrat janë gjithashtu burim i mirë acidesh yndyrore omega-3.
Vaji i lirit përmban vetëm ALA, jo fibrat që gjenden në farat e lirit. Bimë të tjera që përmbajnë ALA janë vaji i sojës, frutat e thata dhe farat e kungullit. Studimet tregojnë se farat e lirit mund të ndihmojnë në parandalimin dhe trajtimin e gjendjeve shëndetësore të mëposhtme:
Kolesteroli i lartë
Njerëzit që përdorin dietën mesdhetare priren të kenë vlera më të larta të kolesterolit të mirë (HDL). Dieta mesdhetare përfshin drithërat e plotë, perimet jeshile, frutat, peshkun dhe pulën, vajin e ullirit dhe ALA nga farat e lirit, vajin e farave të lirit dhe frutat e thata. Ajo kufizon sasinë e mishit të kuq, gjalpit dhe kremit.
Në studimet laboratorike dhe me kafshët, farat e lirit dhe vaji i farave të lirit ulin kolesterolin. Studimet tek njerëzit tregojnë përfundime jo shumë bindëse. Një studim te njerëzit tregoi se njerëzit që shtonin fara liri në dietën e tyre për uljen e kolesterolit, kishin rënie të shifrave të kolesterolit të keq LDL dhe të niveleve të triglicerideve (yndyrnave në gjak).
Sëmundjet e zemrës
Një dietë e pasur në fruta, perime, drithëra të plotë, frutat e thata apo agrumet, si dhe ushqime me ALA, mund të ulë rrezikun për atak kardiak dhe goditje në tru si për njerëzit që nuk kishin pasur kurrë këto probleme, ashtu dhe për ata që i kishin pasur më parë.
Një nga mënyrat më të mira për të parandaluar dhe trajtuar sëmundjet e zemrës është ngrënia e një diete me pak yndyrna të ngopura apo trans, si dhe ngrënia e ushqimeve të pasura në yndyrna të pangopura, duke përfshirë acidet yndyrore omega-3 që gjenden tek farat e lirit. Studimet tregojnë se njerëzit që kanë një dietë të pasur me ALA, janë më pak të prirur për të pësuar atak kardiak.
Studimet tek njerëzit tregojnë se një dietë e pasur me acide yndyrore omega-3 (përfshirë ALA-n) mund të ulë tensionin e gjakut tek njerëzit me hipertension.
Simptomat e menopauzës
Një studim i vogël krahasoi farat e lirit me terapinë hormonale zëvendësuese (THZ) tek gratë në menopauzë. Ajo tregoi se 40g fara liri punojnë njësoj si THZ tek simptomat e mesme të menopauzës (afshet e nxehta, luhatja e humorit dhe thatësia vaginale). Por gjithsesi një tjetër studim nuk rezultoi me të njëjtat konkluzione.
Kanceri i gjirit
Farat e lirit përmbajnë fitoestrogjene, të cilat janë kimikate bimore të quajtura linjane. Meqë linjanet mund të veprojnë si estrogjeni, shkencëtarët nuk janë të sigurt nëse farat e lirit janë të mira apo të dëmshme për kancerin e gjirit. Studimet tek minjtë kanë treguar se farat e lirit ulin rritjen e tumorit të gjirit dhe ndihmojnë kundër përhapjes së metastazave.
Ka pasur vetëm një studim klinik tek njerëzit. Në këtë studim, gratë që kishin hyrë në menopauzë dhe sapo ishin diagnostikuar me kancer gjiri, hëngrën një kek me 25 gramë fara liri dietike çdo ditë për 40 ditë rresht. Studimi tregoi se shtimi i farave të lirit të lirit në dietë mund të ketë shumë potencial për uljen e rritjes së tumorit te gratë me kancer gjiri. Nevojiten studime të mëtejshme.
Kanceri i zorrës së trashë
Studimet te kafshët kanë treguar se linjanet mund të ulin rritjen e qelizave të tumorit të zorrës së trashë. Studimet në popullatë tregojnë se farat e lirit mund të ulin numrin e qelizave anormale të cilat janë markuesit e hershëm të kancerit të zorrës së trashë. Gjithsesi, duhen studime të mëtejshme klinike te njerëzit.
Kanceri i prostatës
Rezultatet e studimeve janë konfuze kur bëhet fjalë për kancerin e prostatës dhe farat e lirit. Disa studime kanë treguar se marrja e ALA-s shoqërohen me rritje të rrezikut për kancer prostate. Por studime të tjera kanë treguar se burrat në rrezik për kancer prostate mund të përfitojnë nga farat e lirit. Në një studim, burrat me gjendje parakanceroze të prostatës të quajtur PIN kishin nivele më të ulëta të PSA-së (një markues i kancerit të prostatës) kur hëngrën 30 g fara liri çdo ditë bashkë me një dietë me pak yndyrna. Tek burrat me kancer prostate, 30 g fara liri çdo ditë në një dietë me pak yndyrna nuk shkaktonin ulje të PSA-së. Por rezultoi se farat e lirit ulnin nivelet e testosteronit dhe ngadalësonin shkallën e rritjes së indeve. Duhen më shumë studime për të kuptuar se si farat e lirit ndikojnë në kancerin e prostatës.
Përdorime të tjera
Kërkuesit po shohin nëse acidet yndyrore omega-3 mund të ndihmojnë në mbrojtjen ndaj infeksioneve të caktuara dhe trajtimeve të gjendjeve, si: ulcerë, migrenë, çrregullimet e të ngrënit, lindje e parakoshme, psoriasis, glaukoma, lupusi, ataket e panikut etj.