Situata kritike me pagat, Flamurtari përballet me largimet e lojtarëve

0
212

Pas vendimeve nga Komisioni i Disiplinës, dënimeve dhe situatës aspak të mirë që është krijuar në klub, Flamurtari tashmë po përballet edhe me largimin e futbollistëve.

Ditën e sotme ‘Panorama Sport’ ka marrë në intervistë Tomislav Bushiç i cili përfundimisht është larguar nga Flamurtari për shkak se ka kaluar afati i pagesave.

Kujtojmë që më parë Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka dënuar Flamurtarin me heqjen e 6 pikëve nga renditja e Superligës për shkak të borxheve që drejtuesit e klubit vlonjat kanë ndaj lojtarëve, të cilëve nuk u janë dhënë pagat.

Gjithashtu Komisioni i Disiplinës i ka dhënë 12 ditë kohë Flamurtarit për të shlyer detyrimet pasi në të kundërt do të zbresë nga Kategoria Superiore.

Bushiç, si është situata te Flamurtari?

Situata nuk është aspak e mirë, siç e dinë tashmë të gjithë. Federata ka nisur dënimin e klubit duke i hequr pikë dhe kjo është gjëja më e rëndë që mund t’i ndodhë një skuadre.

Dje është raportuar që ju i keni dorëzuar një ultimatum klubit vlonjat. Si është e vërteta?

Kështu siç e thatë ju. U kam dhënë atyre një ultimatum përpara një muaji dhe nuk kanë bërë asgjë. Nga sot, tani është ora 18:00, unë mund të quhem edhe futbollist i lirë. Madje, sa për informacion, po ju shkruaj nga shtëpia ime në Kroaci.

Për çfarë ka qenë ky ultimatum?

Për pagesat, sepse as unë dhe as lojtarët e tjerë nuk kanë marrë asnjë pagesë që nga muaji korrik.

Çfarë ju është thënë nga presidenti gjatë kësaj periudhe?

Ai ka ardhur disa herë dhe na ka dhënë premtime në çdo takim, duke na thënë se do të rregullojë gjithçka. Megjithatë, asgjë nuk është bërë.

Çfarë hapash do të ndërmerrni tani? Do të nisni çështje në FSHF?

Jo, me anë të avokatit tim, i jam drejtuar FIFA-s dhe ai më ka bërë me dije që unë tashmë nuk jam në kontratë me Flamurtarin. Jam lojtar i lirë, deri në momentin që do të gjej një skuadër për të nënshkruar.

Për çfarë ju vjen keq më së shumti nga kjo situatë?

Më së shumti më vjen keq për lojtarët sepse kemi bërë gjithçka duhet si profesionistë dhe filluam të merrnim edhe rezultate dhe të zhvillonim ndeshje të mira. Tashmë, ekipit po i hiqen pikë. Gjithashtu më vjen shumë keq për tifozët, pasi në ndeshjen e fundit luajtëm me stadiumin thuajse të mbushur plot. Ishte ndjesi fantastike.

Çfarë do të bëni në të ardhmen, ka ende ndonjë shans që të mbeteni pjesë e kampionatit shqiptar?

Për momentin, nuk mund të them asgjë. Megjithatë, në janar jam i hapur për çfarëdolloj opsioni që do të kem. Kam gjithashtu edhe disa mundësi në Azi, por nuk di se çfarë do të ndodhë. Tani do të stërvitem me një skuadër në kategorinë e dytë këtu në Kroaci për të ruajtur formën./ Panorama Sport

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here