Pas apelit për ndihmë në News24 dhe BalkanWeb ndihma të shumta janë mbledhur për familjen Sokoli në Mzi të Fushë Arrzit, banesa e të cilëve u dogj pak ditë më parë. Krahas shumë qytetarëve dhe emigrantëve pukjanë ndihma të shumta në ushqime, veshmbathje e të holla mblodhën nxënësit e shkollave të mesme në Pukë e Fushë Arrëz si dhe shkollës 9-vjeçare të Fushë Arrzit. Bashkë me ekipin e Neës24 ka qenë drejtori i arsimit në Pukë Nikolin Prenga, drejtueset e shkollave Angjelina Meta e Liza Voci dhe përfaqësues të nxënësve që i dorëzuan ndihmat familjes Sokoli. Krahas këtyre ndihmave famullitari i Fushë-Arrzit, frat Andreas Walterman dhe misionarja katolike motër Gratias Ruf që kanë marrë përsipër ndërtimin e çatisë së banesës. Gëzim Sokoli një nga pjesëtarët e familjes Sokoli falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për familjen e tij në këto ditë të vështira për ta. Sensibilizimi për t’i ardhur në ndihmë familjes Sokoli ka shënuar një rast unikal të ndihmës për rastet të fatkeqësive, një traditë e bukur e shqiptarëve që ruhet me fanatizëm kryesisht në veriun e Shqipërisë.