Konferencë për shtyp me homologun e tij hungarez/ Bushati: Vettingu jo vetëm masë ndëshkimore e shkelësve të ligjit

0
140

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati thotë se është shpresëplotë që vendet anëtare të Bashkimit Evropian do t’i japin një datë Shqipërisë në dhjetor për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Gjatë një konference për shtyp me homologun e tij hungarez, Péter Szijjártó i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë, Bushati tha se nisja e zbatimit të ligjit të Vettingut është thelbësor në këtë drejtim.

Ai deklaroi se zbatimi i plotë i ligjit në fjalë kërkon kohë, duke nënvizuar se ky ligj nuk ka synim të vetëm ndëshkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë, por si një masë edukative për ta.

Bushati: Besoj se rruga jonë deri në dhjetor është e qartë. Komisioni Evropian ka bërë një vlerësim për ecurinë e reformave në 5 prioritetet që janë përcaktuar si thelbësore për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, ku në të 5 prioritetet suksesi i Shqipërisë është qëndrueshëm. Kam parasysh këtu suksesin në reformën në administratën publike, reformën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, punën që bëhet për sa i përket titujve pronësorë, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Gjithashtu, Komisioni ka shoqëruar rekomandimin në rastin e Shqipërisë me zbatimin e Vettingut. Duhet të presim opinionin e Komisionit të Venecias, i cili ka qenë aktor në këtë proces, i pranuar nga mazhoranca dhe opozita dhe më pas vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne besojmë tek procesi i Vettingut, jo si një masë ndëshkimore ndaj dikujt, apo ndaj disa njerëzve që mund të kenë shkelur ligjin dhe janë pjesë sot për sot e trupës gjyqësore.

Por, mendojmë se ligji i Vettingut do të ketë edhe impakt edukativ për të përmirësuar sa të jetë e mundur performancën e sistemit të drejtësisë. Është një proces i cili do të shkojë përtej dhjetorit. Edhe sikur sot të kishim opinionin e Venecias, edhe sikur sot të kishim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse është një proces që sipas parashikimeve të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë mund të shkojë dy deri në tre vjet.

Është i rëndësishëm që procesi të jetë i plotë, që skanimi që do t’i bëhet trupës gjyqësore dhe prokurorëve të mos jetë paragjykues, është gjithashtu e rëndësishme të nxjerrim mësime se çfarë mund të përmirësojmë se si mund të funksionojë më mirë. Për ne është i rëndësishëm që zbatimi i reformës në drejtësi të vendosen në një kuadër konceptual që buron nga detyrimet që vijnë nga kapitujt 23 dhe 24, që janë kapitujt e parë me të cilët Shqipëria do të përballet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim. Kjo punë përgatitore mund të jetë frytdhënëse në procesin e negociatave.

Kolegu hungarez me të drejtë tha se procesi i zgjerimit nuk ka qenë asnjëherë i lehtë, por ndoshta ekziston një mundësi e mirë për ne që duke mbyllur një pjesë të mirë të detyrimeve në këtë fazë, të shkurtojmë rrugën në negociatat për anëtarësim. Unë jam shpresëplotë që në dhjetor me mbështetjen edhe të Hungarisë, dhe të një shumice të vendeve anëtare, do të hedhin një hap përpara në këtë proces. Rruga do të jetë e vështirë, sfiduese. Janë disa reforma, të cilat më shumë se miqtë tanë në Evropë i kërkojnë njerëzit e këtij vendi.

Kryediplomati hungarez tha se shpresonte që Shqipëria të merrte një datë në dhjetor, ndërsa premtoi se vendi i tij e mbështet këtë.

Szijjarto: Ne jemi duke pritur për një vendim pas rekomandimit pozitiv nga ana e Këshillit për çeljen e negociatave. Hungaria ofron mbështetjen e saj në këtë proces ashtu siç ka bërë deri më tani. Ne shpresojmë që të kemi një datë në dhjetor për Shqipërinë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here