– Gjithë ajo mori droge, që është prodhuar sivjet në vendin tonë dhe që po bëhet gati të financojë zgjedhje parlamentare, shitet në Evropë dhe Evropa përdor valutën unike: euron. Kjo është një e vërtetë e thjeshtë, por që nuk mund të fshihet pas filozofimeve “piktoreske” të mazhorancës…
Ervin Kaduku
Në tregun e brendshëm shqiptar po qarkullon një sasi e pazakontë, shumë e madhe eurosh. Dhe është i pashpjegueshëm për ekspertët fakti që, në kushtet ku deficiti i llogarisë korrente në 6-mujorin e parë ka qenë dy herë më i lartë se një vit më parë, tendencë kjo edhe në muajt në vijim, monedha vendase, Leku, në vend që të nënçmohet, është forcuar. Banka e Shqipërisë, në raportin periodik të politikës monetare për tremujorin e tretë të vitit, vuri në dukje se tendenca mbiçmuese e lekut u përforcua në muajt korrik dhe gusht, periudhë në të cilën kursi Euro/Lek regjistroi vlerën mesatare prej 136.5 lekë/euro, ose 2.3% më poshtë se një vit më parë. Banka gjithashtu ka arsyetuar se ky forcim i lekut po vjen nga një ofertë e lartë e monedhës euro në treg, së cilës i është përgjigjur një kërkesë e dobët për euro. Prania e pazakontë e euros në treg vjen në kushtet kur burimet e furnizimit të ekonomisë së vendit me euro janë përkeqësuar. Eksportet vendase që janë furnitori kryesor i kësaj valute janë përkeqësuar dukshëm këtë vit. Gjatë periudhës nëntëmujore ato ranë me 4.6%, duke i sjellë ekonomisë së vendit rreth 60 milionë euro më pak se njëjta e vitit të kaluar. Gjithashtu të ardhurat nga emigrantët në 6-mujorin e parë ishin gjithashtu 4.6% më të ulëta se një vit më parë. Të ardhurat nga turizmi kanë vijuar me një bilanc modest, duke mos e justifikuar ofertën e madhe në treg të valutës europiane.
Banka e Shqipërisë thotë se ecuria e kursit euro/lek, në tremujorin e tretë të vitit, ka reflektuar prezencën e prurjeve të larta valutore sezonale. Për rrjedhojë, tendenca mbiçmuese e lekut u përforcua në muajt korrik dhe gusht, periudhë në të cilën kursi euro/lek regjistroi vlerën mesatare prej 136.5 lekë/euro, ose 2.3% më poshtë se një vit më parë.
Në tremujorin e tretë të vitit, monedha amerikane ka vijuar prirjen nënçmuese të saj në tregun vendas të nisur që në muajin mars, por me ritme më të moderuara. Nënçmimi i dollarit amerikan regjistroi 2.9% në muajt korrik dhe gusht dhe 1.4% në muajin shtator, nga mesatarisht që ishte 3.8% në periudhën mars-qershor. Tremujori i tretë i vitit është karakterizuar nga mbiçmimi i monedhës vendase kundrejt të gjitha monedhave të partnerëve kryesorë tregtarë. Megjithatë, ky mbiçmim është shfaqur me ritme më të moderuara se në pjesën e parë të vitit. Mbiçmimi vjetor i lekut në terma nominalë efektivë kulmoi në 4.1% në muajin korrik, nga 3.3% që shënonte mesatarisht në gjysmën e parë të vitit.
Ajo që banka qendrore nuk e thotë dot, është fakti që gjithë ajo mori droge, që është prodhuar sivjet në vendin tonë dhe që po bëhet gati të financojë zgjedhje parlamentare, shitet në Evropë dhe Evropa përdor valutën unike: euron. Kjo është një e vërtetë e thjeshtë, por që nuk mund të fshihet pas filozofimeve “piktoreske” të mazhorancës…
Varfërimi i popullatës
Ndërkohë që po grumbullon “me lopatë” eurot, Edi Rama dhe ministrat e tij po japin kontributin e tyre për varfërimin e popullatës, për ta patur më pas më të lehtë që të blejnë votën. Familjet shqiptare rritën më 2015 shpenzimet për konsumin e ushqimeve me 4,4 pikë përqindje në krahasim me 2014-n. Tendenca për të ulur shpenzimet e tjera dhe fokusi drejt ushqimeve është treguesi më i qartë se familjet shqiptare po varfërohen dhe shqetësimi kryesor i tyre është sigurimi i nevojave bazë të jetesës. Ky është një kthim mbrapa, teksa në dekadën e fundit, pesha e shpenzimeve për ushqime kishte ardhur veçse në ulje. Instituti i Statistikës, në anketën e buxhetit të familjeve, njoftoi dje se shpenzimet për ushqime zënë të njëjtën peshë si në vitin 2009. Sipas anketës shihet se njësitë familjare kanë rrudhur shpenzimet për mobilimin e shtëpive, për veshje dhe për shërbime shëndetësore, për argëtim dhe arsim.
Vendet e varfra kudo në botë dallohen për fokusin e lartë të shpenzimeve në ushqime. Shqipëria e kishte këtë peshë në fillim të viteve 2000, 70%, por zhvillimet e vrullshme ekonomike në këtë periudhë i çuan shpenzimet për ushqime në ulje, duke u zhvendosur preferencat për shpenzime në shërbime dhe mallra të tjera. Në vendet e zhvilluara, shpenzimet për ushqime zënë më pak se 20% të totalit. Në Bashkimin Europian p.sh., pesha e ushqimeve dhe pijeve alkoolike përbën mesatarisht 15% të totalit, sipas Eurostat, ndërsa rreth 16% e shpenzimeve shkon për shtëpi (qira), ujë, energji gaz dhe karburante të tjera.
Në vitin 2007, pesha e shpenzimeve për ushqime ishte 47.6% e totalit. Por pas krizës së vitit 2008, kuota e shpenzimeve ushqimore arriti në 49.4%. Në vitin 2014, matjet e reja të INSTAT gjetën se shpenzimet për ushqime kishin nisur sërish rënien duke zënë 44.3% të totalit. Por siç shihet nga zhvillimet e vitit 2015, shpenzimet për konsumin bazë, ushqimet, janë rritur ndjeshëm duke zënë 48.7% të peshës, nivel ky edhe më i lartë si i vitit 2007 dhe njësoj me vitin 2009. Tendencat e konsumit të familjeve shqiptare më 2015 kanë treguar se janë ulur ndjeshëm shpenzimet për shërbimet arsimore dhe shëndetësore, dy shtyllat bazë për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Rritja e shpenzimeve për ushqime automatikisht ka ulur shpenzimet për të gjitha grupet e tjera, përveçse shpenzimet për banesën, ujin dhe energjinë të cilat janë rritur më 2015 për shkak të angazhimeve më të mëdha për pagesat e faturave të energjisë.