Presidenti i zgjedhur Donald Trump u takua të shtunën me Mitt Romneyn, një ndër kritikët më të ashpër të zotit Trump gjatë fushatës presidenciale, emri i të cilit po lakohet tani si kandidat për sekretar shteti. Marrëdhënia mes zotit Trump dhe zotit Romney ka qenë problematike, por Senatori Jeff Sessions, kandidat për postin e prokurorit të përgjithshëm, e ka nxitur zotin Trump ta shikojë Mitt Romneyn si kandidat për post në kabinetin e tij. Takimi Trump-Romney mund të shihet si përpjekje nga presidenti i zgjedhur për të kapërcyer fërkimet që u krijuan gjatë fushatës me shumë figura të Partisë Republikane. Në një fjalim në mars zoti Romney e kritikonte Donald Trumpin si mashtrues dhe matrapaz. Trump nga ana e tij iu përgjigj se Mitt Romney kishte ngecur si “qeni” gjatë konkurrimit të tij në zgjedhjet presidenciale të 2012 dhe ishte njeri i humbur. Marrëdhënia mes tyre filloi të normalizohej pasi Mitt Romney i telefonoi zotit Trump për ta përgëzuar për fitoren në zgjedhje. Ndërkaq, Donald Trump po shqyrton disa figura të njohura për poste të larta: ish-kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani; ishambasadorin amerikan në OKB, John Bolton; Senatorin Bob Corker dhe Guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley. Ish-Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich ishte një ndër kandidatët që po analizohej për sekretar shteti, por ai vetë u tërhoq dhe u shpreh se synon ta mbështesë presidentin e ardhshëm si këshilltar i jashtëm.