Policia e Tiranës, ka konfirmuar se pronari i hotel “Autostradës”, Eduart Lleshi, 48 vjeç i cili u gjet i vrarë të enjten në mëngjes, ka kryer vetëvrasje. Një fakt i tillë është pohuar nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës për “Tv Klan”. Kanë qenë dëshmitë e familjarëve, por edhe ekspertiza e vendit të ngjarjes, që kanë çuar në konkluzionin se kemi të bëjmë me një vetëvrasje. Sipas hetuesve, familjarët kanë pohuar se 48-vjeçari babai i dy vajzave, ishte larguar nga banesa mëngjesin e të enjtes. Me vete kishte marrë edhe një automatik kallashnikov dhe disa fishekë. Madje vëllai i tij, iu tha hetuesve se Eduardi i kishte kërkuar disa kohë më parë një armë me argumentin se dëshironte të kryente qitje me disa fishekë që i kishin mbetur në shtëpi. Ndërkaq, ekspertët kanë pohuar se viktima është gjetur i shtrirë me pamje nga qielli. Në duar i janë gjetur barut që besohet se i përkasin automatikut me të cilin është kryer qitja. Po ashtu hetuesit thonë se Lleshi, ka pasur plagë tejshpuese. Disa prej predhave janë gjetur të futura në terren, ndërsa pranë vendit të ngjarjes është gjetur automatiku në pozicionin e breshërisë./ TV KLAN/