Mjekja pediatre Vera Koço është përfshirë në një aksident rrugor së bashku me familjen e saj në orët e para të mëngjesit të sotëm. Aksidenti ka ndodhur në autostradën Tiranë – Durrës në afërsi të Maminasit, në orën 05 e 20 minuta, kur makina në të cilën ndodhej familja nga Durrësi, i ka rënë nga pas një kamioni.
“DurrësLajm” mëson se nga aksidenti, mjekja e cila sapo ka dalë në pension, ka pësuar frakturë në një këmbë, ndërsa familjarët e saj kanë shpëtuar pa lëndime serioze. Pas aksidentit, ndihmën e parë në rrugë mësohet se mjekes ia ka dhënë këngëtari i famshëm Noizy.
Mësohet se ai ka qenë duke kaluar aty rastësisht, kur ka parë gjithë skënën e aksidentit. Noizy ka ndalur makinën dhe ka ndihmuar të aksidentuarit. Këtë fakt e ka pohuar vetë mjekja. Ajo gjatë transportit për në spital ka treguar se ishte këngëtari ai që u dha ndihmën e parë. Mjekja tregoi se Noizy kishte bërë të pamundurën për t’iu ardhur në ndihmë.