Mirela Ruko, studentja nga Fieri mori vëmendjen e mediave dhe opinionit publik, me gjestin e saj duke i hedhur salcë në kokë Ministres së Arsimit Lindita Nikolla, si shenjë proteste për reformën në Arsimin e Lartë.
Por duket se ajo dhe “Lëvizja për Universitetin” në të cilën bën pjesë nuk do të ndalen me kaq në protestat e tyre kundër reformës në Arsim. Përmes një video të publikuar në profilin e saj, studentja bën thirrje për protestë ditën e nesërme në orën 13:00 përpara Ministrisë së Arsimit.
Nga zyra e “Lëvizjes për Universitetin”, dhe mes parullave tashmë të bëra gati “Nikolla dorëhiqu”, Mirela Ruko shprehet se të gjithë duhet të dalim përtej rrjeteve sociale dhe të protestojmë nesër siç e cilëson ajo “reformës klienteliste” të ministres Nikolla.
Mirela Ruko, pak ditë më parë në një takim me të rinjtë e Partisë Socialiste, iu afrua ministres duke i hedhur salcë të kuqe mbi kokë. Ky veprim shkaktoi reagime të forta si pro dhe kundër studentes, e cila u shoqërua dhe u mbajt në Policinë e Tiranës për 10 orë.