Jeta aktive dhe lëvizjet e çuditshme të tij, sidomos profili në Facebook kanë bërë që policia të mos ia ndante për një kohë të gjatë sytë një 24 vjeçari shqiptar, emigrant në Itali, i njohur thjesht si “Sandro” nga rrethi i miqve të afërt. Edhe pse i papunë në shtetin italian, ai kalonte ditën duke fjetur dhe netët në takime me shumë persona, në qarkun e Fano, në ambientet e lokaleve në Arzilla dhe Lido di Fano.
Nën dyshimet e trafikimit të drogës, policia ka nisur ta mbajë nën vëzhgim dhe të ndjekë lëvizjet e Sander Markut, 24 vjeçari i cili u arrestua me akuzën e posedimit me qëllim trafikimin e drogës. Në momentet e arrestimit atij iu gjetën disa doza kokainë. Sipas mediave italiane, policia kishte parë edhe profilin e tij në Facebook, ku kishte fotografi të panumërta duke pirë shampanjë me miqtë.
Asnjë kontakt telefonik: vetëm miq të panumërt që e dinin gjithnjë ku ta gjenin, gjithmonë në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë. Pas identifikimit të vendit ku ai fshihej, policia ka ndërhyrë duke arrestuar 24 vjeçarin dhe një klient të cilit po i shiste kokainë. Teksa gjatë kontrollit në banesë, atij iu gjet 50 gram kokainë, para dhe materiale për prerjen dhe paketimin e drogës./panorama