PD kërkoi largimin e Ballës nga drejtimi i seancës: Ka konflikt interesi më dëshmitarin. Deputeti i PS: Keni frikë nga hetimi
Gëzim Saliu
Pretendimet për konflikt interesi dhe mos pranimi i dënimit nga gjykata sollën dje dështimin e dëshmisë së ish-kryeministrit të vendit Sali Berisha në Komisionin Parlamentar Hetimor për çështjen e CEZ-it. Te dyja çështjet e ngritura nga demokratët u lidhën me kreun e Komisionit Hetimor, socialistit Taulan Balla dhe posaçërisht me drejtimin e mbledhjes prej tij. Ndërkohë që Berisha ju bashkua mbledhjes, për herë të parë i thirrur në një komision kuvendor, demokrati Arben Ristani kërkoi largimin e Ballës nga kreu i Komisioni pasi sipas tij ishte në konflikt interesi. Ai citoi nenin 17 të Kodit të Procedurës Penale. “Ju nuk mund të drejtoni komisionin për konflikt interesi. Jeni dënuar për shpifje ndaj familjarëve të ish-kryeministrit”, tha Ristani. Ndaj këtij pretendimi të demokratëve nuk mungoi reagimi i socialistit Balla i cili tha se nuk ka një vendim të formës së prerë ndaj tij për çështjen gjyqëosre mes tij dhe fëmijëve të ish-kreut të qeverisë. “ky Komision është një komision hetimor parlamentar. Unë nuk jam gjyqtar. Do kisha dashur shumë që të isha gjyqtar dhe të kisha të pandehur zotërinë përballë (Berishën), por nuk jam”, reagoi Balla. Deklarata e Ballës se nuk kishte asnjë dënim të gjykatës ndaj tij ndezi një tjetër çështje debati në mbledhje. Berisha e quajti Ballën “të pafytyrë që mashtron” pasi sipas tij deputeti socialist e ka të faktuar që është dënuar për shpifje nga gjykata. Përpos debatit për konfiliktin e interesit, Berisha pranoi ta vazhdonte dëshminë por vetëm nëse më parë kreu ui Komisionit do të pranonte se kishte qenë i dënuar për shpifje. Përgjigja negative e Ballës, bëri që ish-kryeministri të largoheja nga mbledhja. Më tej debati vijoi mes Taulant Ballës dhe Arben Ristanit, ku socialisti hodhi në votim propozimin e demokratit për t’u larguar nga kryesimi i Komisionit dhe pas rrëzimit të këtij propozimi, mbledhja vazhdoi sërish. Ndërkohë deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja e Komisioniet e ndërsa Balla nuk nguroi të ripërsëriste se do i niste shkresë policisë për ta marrë me zor në Komision, ish-kryeministrin Berisha.
Debati në Komision Hetimor
Balla: Të isha gjyqtar e dija unë sa të dënoja. Berisha: Përdhunues, mashtrues, i pafytyrë
T.Balla: Z.dëshmitar këtu mbledhjen e drejtoj unë dhe do flasësh kur të jap leje unë. S. Berisha: Je i pafytyrë. Ti je i pafytyrë…
A.Ristani: Jeni në kushte të konfliktit të interesit. T.Balla: Mbledhjen e drejtoj unë. Unë nuk kam asnjë vendim gjykate të humbur. Bini vendimet e gjykatës. S.Berisha: Mashtrim. Do sjell vendimet e gjykatave.
T.Balla: Silli, të bëjmë punën parlamentare njëherë. S.Berisha: Është i dënuar me vendim të prerë.
T.Balla: Nuk ka asnjë vendim gjykate. S.Berisha: Mos gënje.Je i dënuar dhe nuk ke paguar gjobë.
T.Balla: Nuk kam asnjë gjobë unë. A.Ristani: Ka një problem, nuk mund të vazhdojë seanca kështu.
- Ndreu: Nuk po bëjmë gjyq këtu, jemi një komision hetimor dhe po hetojmë një aferë. Zoti Berisha nuk është i pandehur por dëshmitar që ka dijeni për disa rrethana dhe fakte. Jemi në proces hetimi, jo gjykimi.
U.Manja: Rregullorja e Kuvendit, në lidhje me zëvendësimin e kryetarit dhe anëtarëve, ka rregulla të tjera që i referohen kodit të rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Në cilën pikë të nenit 17 të kodit të procedurës penale bazohet kërkesa juaj. Kjo, pasi zoti Berisha është thirrur si dëshmitar.
A.Ristani: Nuk mund të vazhdojë seanca kështu. T.Balla: Ju lutem zoti dëshmitar gjeneralitetet, emri, atësia, mbiemri
- Ristani: Komisioni nuk mund të vijojë me prepotencë. Keni konflikt interesi në bazë të kodit të procedurës penale. Duhet të ndërrohet kryetari. T.Balla: Nuk kam asnjë konflikt interesi.
T.Balla: Harroje se mund të largohesh nga mbledhja. S.Berisha: Unë kam ardhur unë jam këtu. Unë e dija që ti je një përdhunues ordiner. Unë kam ardhur këtu për të respektuar parlamentin.
T.Balla: teatrin në këtë komision hetimore nuk e bën askush. S.Berisha: unë kam ardhur këtu me vullnetin më të plotë
T.Balla: Ky është një teatër nga frika që ka për të deponuar për të dëshmuar. S.Berisha: Unë e dija që do vija këtu para një përdhunuesi, por kam ardhur këtu për shkak të parlamentit
T.Balla: Fjalën këtu e jap unë, se këtu e drejtoj un këtë punë. S.Berisha: Do zbatosh rregulloren,që ti ke konflikt interesi. T.Balla: Nuk kam asnjë konflikt interesi me ty, të kam kundërshtar
T.Balla: Zotëria këtu më tha para dy ditësh që do vije këtu, dhe nuk më tha gjë që kisha unë konflikt interesi. Po të isha unë gjyqtar dhe ti i pandehur e dija unë dënimin që do të jepja unë. Po ti këtu je si dëshmitar
R.Bode: Gjuha që përdorni këtu, tregon se gjithçka është e sajuar nga ky komision. Kjo ka një akuzë paragjykuese për të parandaluar komisionin tjetër që ka të bëjë me një pazar politik. Jeni në konflikt me dëshmitarin. Ju mund t’ja lini të drejtën sekretarit ose një anëtari tjetër për të vazhduar pyetjet ndaj dëshmitarit.
T.Balla: Ju ( për R. Boden) dhe z.Shehu jeni persona në hetim në këtë komision, por ne e kemi vazhduar. S.Berisha: Nuk do reagoja kështu nëse nuk do mashtroje shqiptarët se nuk je i dënuar. Je i dënuar me formë të prerë.
U.Manja: Në rregullore thuhet se 10 ditë përpara duhet ti ishit drejtuar këshillit për rregulloren dhe mandatet.
S.Berisha: Nuk më preokupon fare kjo mua, po ai është i pafytyrë, ai është i dënuar me formë të prerë. Mashtrove qytetarët, je i dënuar me vendim të formës së prerë.
T.Balla: Z.dëshmitar mos u mundo të prishësh punën e këtij komisioni. Unë e di që kishe frikë të vije këtu, po erdhe dhe këtu tani dëgjo.
T.Balla: depozitojeni kërkesën, respektoni afatet. S.Berisha: prevalon ligji i parë. T.Balla: Fjalën këtu e jep kryetari. S.Berisha: I cili është një mashtrues ordiner.
S.Berisha: A je dënuar apo jo, kjo është çështja. T.Balla: fare fare, ti ke akuzuar gjyqtarët.
S.Berisha: Nqs thotë se nuk është dënuar unë atëherë iki.. T.Balla: Ju bëj thirrje, nëse nuk riktheheni do të përdor argumentat dhe forcën që më jep ligji që t’ju shoqëroj me forcë. I bëj thirrje sekretarit të Komisionit të hartojë shkresën drejtuar policisë së shtetit që dëshmitrari të risillet me forcë në punimet e këtij komisoni.
A.Ristani: Nëse konsiderohet turp, jam shumë i nderuar të ndihem i turpëruar për zbatimin e ligjit
Deklarata e Berishës pas largimit nga mbledhja
Ish-kryeministri Sali Berisha sqaroi për mediat arsyen pse braktisi mbledhjen e komisionit hetimor për marrëveshjen me CEZ. “Duhet që personi që drejton komisionin të mos jetë në konflik interesi, gjë për të cilën të jem i sinqertë nuk kisha dijeni, por ajo që me bëri të mos vazhdoj më tutje ishte se në mënyrën më të pafytyrë, siç është kryetari i komisionit, mashtroi opinionin publik shqiptar dhe tha se nuk jam person i dënuar. Është i dënuar me vendim të formës së prerë dhe nuk paguan gjobën”, tha ia. Nga ana tjetër Berisha bëri të ditur se ka qenë shumë i interesuar për komisionin hetimor për CEZ-in. “Jam i bindur se Edi Rama në atë vjedhje monstruoze që ka bërë së bashku me Damian Gjiknurin, meriton të kalbet, sipas ekspertëve të së drejtës penale, të paktën 35 vjet në burg pa ndërprerje”. Lidhur me deklarimet e socialistit Balla se do të thërrasë policinë për të marrë në Komision, Berisha theksoi se,: “Ato se çfarë mendon z. Rama, se nuk është z. Balla këtu po është z. Rama se nuk e merr gjumi nga vjedhja e tmerrshme që ka bërë dhe para offshore që ka dërguar të taksapaguesve shqiptar”. Ndërkohë ish-kryeministri saktësoi se nëse Parlamenti do theksoi se Balla nuk ka konflikt interesi në cështje,ai do pranojë vendimin. “Do të pranoj vendimin e parlamentit, por do lexoj vendimin e formës së prerë të Gjykatës. Ai tha që nuk është i dënuar. Atëherë ky është i pafytyrë, se një njeri I dënuar, në vend që të shkojë të paguajë gjobën, heq fytyrën e vet dhe vë maskën dhe thotë se nuk jam dënuar”.