Rrjeti i njohur sportiv ESPN i ka bërë një analizë në faqen e vet të internetit zërave të fundit të merkatos së futbollistëve të ndryshëm në klubet kryesore europiane. Mes tyre spikat padyshim emri i Elseid Hysajt, i cili prej disa javësh qarkullon si një përforcim i mundshëm që në muajin janar për Mançester Junajtid. Eksperti i ESPN, David Amojal, parashikon se ky transferim ka 30% mundësi që të realizohet, jo që në dritaren e parë të merkatos, por në verë. “Ka një nevojë të dukshme për mbrojtës krahu cilësorë në ‘Old Traford’ dhe 22 vjeçari shqiptar do të ishte lojtari i duhur”, shpjegoi ai. “Pasi është renditur mes mbrojtësve të krahut më të mirë në Serinë A me Napolin në sezonin e kaluar, Hysaj vazhdoi të shkëlqente me Shqipërinë në Europian. Paraqitjet e tij i siguruan një kontratë të re me klubin me një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh, e vlefshme vetëm për klubet jashtë Italisë. Një lëvizje në janar do të ishte e parakohshme, por në verën e ardhshme të dy klubet mund të gjejnë një akord, ndërsa transferimi në krahun e kundërt i Mateo Darmian të Mançester Junajtid mund të shërbejë për të ulur vlerën e klauzolës”, shpjegoi eksperti i ESPN për merkaton.