Qeveria austriake dhe ajo sllovene i dhuruan Shërbimit Zjarrfikës 15 motopompa si dhe 15 motosharra. Në ceremoninë e dorëzimit të këtyre pajisjeve në Repartin e Zjarrfikësve në Tiranë ishte i pranishëm zv/ministri i Punëve të Brendshme Stefan Çipa dhe ambasadorët e vendeve dhuruese. Duke u ndalur te përmbytjet e fundit në vend, zv/ministri Çipa deklaroi se për përballimin e tyre u angazhua e gjithë infrastruktura e shtetit.
‘’Gjatë fillimit të muajit Nëntor në të gjithë territorin e Shqipërisë pati një situatë emergjente. Nga data 7-11 Nëntor, si rezultat i shirave të vazhdueshëm, disa lumenj shkaktuan dëme në pothuajse gjithë territorin e Shqipërisë. U bë thirrje të gjitha strukturave shtetërore, por edhe biznesit privat të ndihmuar në kapërcimin e kësaj situate. Prioritet ka qenë shpëtimi i jetëve njerëzore, më pas edhe pastrimi i të gjitha banesave dhe kthimi në normalitet për t’u rikthyer këto familje në shtëpitë e tyre”, tha zv/ministri i Brendshëm Stefan Çipa.
Këto pajisje u dhuruan pas kërkesës për ndihmë që Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile i bëri Qendrës Europiane të Koordinimit të Përgjigjes për Emergjenca.
Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë në Tiranë Lea Stançiç tha se ”Sllovenia ka një bashkëpunim shumë të mirë me Shqipërinë dhe me kontributin tonë i cili është modest, shpresojmë që këto pajisje do të përdoren në zonat e prekura’’.
Sipas zv/ministrit të Brendshëm Çipa, pajisjet do të jenë një aset i rëndësishëm në përballimin e përmbytjeve.
‘Shteti austriak dhe shteti slloven iu përgjigjen kësaj thirrjeje, duke dërguar dhe këto pajisje që janë rreth 15 pompa për thithjen e ujit dhe 15 motosharra. Ato do u shpërndahen të gjitha njësive vendore dhe do jenë në shërbim për pastrimin e ujërave nga godinat, të aluvioneve që kanë dëmtuar rrugët e kanalet, dhe do vijojë dhe në të ardhmen’’, theksoi ndër të tjera zv/ministri i Brendshëm Stefan Çipa.