Statusi i naftëtarit, tashmë do të ketë paga minimale 150% e pagës në vend edhe Ish-punonjës të industrisë metalurgjike, tekstileve tezgjahiste Saldatorë Punëtorë ngarkim-shkarkim do të përfitojnë rritje pensioni
Sejrie Baleta
Qeveria ka gati statusin e naftëtarit nga i cili do të përfitojnë rreth 5 mijë persona. Tashmë Ministria e Mirëqenies Sociale ka hartuar projektvendimin për ngushtimin e diferencave për pensionet e lidhura në periudhën nga viti 1993 deri në 1996. Kategoritë që do të përfitojnë nga shtesa janë ish-punonjësit e industrisë metalurgjike, industrisë së naftës, tekstileve, tezgjahistë, saldatorë etj. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj dhe ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi u takuan dje me përfaqësues të sindikatës së naftëtarëve pasi janë njëra nga kategoritë që do të përfitojnë në bazë të projektvendimit të ri. Nisma ka marrë formën përfundimtare si draft dhe pas miratimit në qeveri i kalon për diskutim dhe miratim Kuvendit të Shqipërisë. Ky projektligj përcakton pozitën juridike, ekonomiko -financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e punonjësve të Industrisë së Naftës dhe Gazit në Republikën e Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të punës dhe ndikimit në shëndet të kësaj pune, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre. “Projektligji i ka marrë parasysh imputet e të gjithë aktorëve të interesuar. Besoj është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Fierit, qytetarët e Vlorës, qytetarët e Beratit, të gjithë ata njerëz që me vite kanë kontribuar në sektorin e naftës. Patjetër ne ndihemi krenar si qeveri dhe si maxhorancë që po plotësojmë diçka të domosdoshme të merituar për shumë njerëz që kanë bërë sakrifica në këtë industri”, u shpreh ministri Gjiknuri. Ndërkaq, Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi deklaroi se e vlerëson faktin se tashmë po piqen kushtet që statusi i naftëtarit të bëhet realitet. Ai sqaroi se projektligji ka një faturë financiare dhe atë qeveria merr përsipër ta mbulojë nga vet skema e sigurimeve shoqërore. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj tha se Statusi është përmbushja e një premtimi publik, por edhe elektoral që kjo qeveri u ka bërë naftëtarëve. Numri i përfituesve të këtij statusi llogariten rreth 5 mijë vetë ndërsa përfitues të pensionit në vitin e parë si rezultat i uljes së moshës së pensionit me pesë vjet llogaritet afërsisht 2 mijë persona.
Kategoritë e tjera që përfitojnë
Rritja e masës së pensioneve për disa profesione që klasifikohen si të rënda është një ndër vendimet që pritet të ndërmerret nga ana e qeverisë. Ky vendim vjen brenda një harku të shkurtër, pas atij të miratuar në muajin qershor të këtij viti. Për këtë kategori pensionesh, pra të llogaritura para ’96, qeveria miratoi shtesë për ish-ushtarakët, minatorët dhe arsimtarët. Ndërkohë që është në prag miratimi një vendim i ri që e zgjeron rrethin e përfituesve. ISSH në lidhje me projektvendimin për ndryshimin e VKM nr. 409 ‘Për ngushtimin e diferencave në masën e pensioneve’ parashikohet që të përfitojnë kategoritë e lartpërmendura. Në këtë projektvendim është parashikuar rritjen e masës së pensionit për disa kategori të tjera profesionesh që klasifikohen si profesione të rënda. Ndër to mund të përmend ish-punonjës të industrisë metalurgjike, industrisë së naftës, tekstileve, tezgjahistë, saldatorë, punëtorë ngarkim-shkarkim etj. Për të gjitha këto kategori pensionistësh do të ketë rritje të pensioneve, për të bërë përafrimin e tyre me kategoritë e tjera”.
Pensionet e lidhura para 1996
Kategoritë që përfituan nga rrija e pensioneve pas korrigjimit të bërë në qershor të këtij viti janë minatorët, arsimtarët dhe ish-ushtarakët. Në lidhje më këta kategori pensionet e u rritën për periudhën1993-1994.
Kategoritë që shtohen
Ish-punonjës të industrisë metalurgjike, industrisë së naftës, tekstileve tezgjahistë Saldatorë Punëtorë ngarkim-shkarkim.