Rikthehet “La Boheme” në TKOB/ Flet baritoni Armando Likaj: “Si është të luaj rolin e “Marcello-s”, djalit çapkën që dashuron këngëtaren e lokaleve të natës”

0
208

“Një ndër operat me të pëlqyera të të gjitha kohërave, vjen me mesazhin që gjithçka të bëhet e të jetohet në kohën e duhur, në momentin e duhur dhe gjithnjë gjërat të bëhen me dashuri”

Intervistoi: Irini Meçe

Përshkrimi romantik i jetës bohemiane të Parisit nga Giacomo Puccini, me muzikë të paharrueshme dhe një histori dashurie të tërhequr nga jeta e përditshme, ka mahnitur audiencën e tërë botës, duke e bërë “La Boheme” një ndër operat me të pëlqyera të të gjitha kohërave. Kjo shfaqje do të rikthehet në TKOB për publikun shqiptar në datat 25,27,28 nëntor. “La Boheme”  është një histori që pasqyron  rininë dhe  përballjen  me dhimbjen; kalimi nga adoleshenca drejt pjekurisë. Grupi qejfli i  miqve përballet me realitetin e ashpër për shkak të gjendjes së Mimi-së e cila vuanë nga tuberkulozi, ajo vdes në krahët e Rodolfos së saj dhe ndryshon përgjithmonë fatin e të gjithë personazheve. Mimi do të vijë e intereptuar nga sopranoja e njohur Eva Golemi ndërsa Rudolfo nga Jenish Ysmanov. Brenda kësaj dashuri tragjike mes Mimit dhe Rudolfos ndodh një histori tjetër dashurie por e gëzueshme mes Marcellos dhe Musett-ës. Rolin e Macellos do ta realizojë baritoni dhe solisti Armando Likaj, i cili që nga viti 2006 e deri më sot shënon mbi 40 role të interpretuara brenda dhe jashtë vendit duke fituar  shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në këtë intervistë për gazetën “Standard” ai vjen duke na folur më shumë rreth rolit të tij që ka në operën “La Boheme”, por edhe se si do të vij kjo shfaqje këtë herë para publikut shqiptar.

Armando, ju në shfaqjen”La Boheme” do të vini në rolin e Marcellos. Ç’mund të na tregoni më shumë rreth rolit tuaj që do të keni në këtë vepër nga Puccini?

Në interpretimin e Marcellos nuk është hera e parë që vij, jam vënë në rolin e tij edhe në dy produksione të tjera. Marcello është ai djali çapkën, ai personi pak impulsiv, nervoz, por tepër i dashuruar me këngëtaren e lokaleve të natës. Është tamam si nga ato dashuritë që hasim edhe sot, me kryenaltësitë dhe kokëfortësitë e veta, por që në fund marrin më të mirën dhe gëzojnë dashurinë, edhe pse me shumë vështirësi dhe shumë gjëra nuk i pranojnë, ata e duan marrëzisht njëri tjetrin. Ka një skenë shumë të bukur të aktit të dytë mes Marcellos dhe Musett-ës, e cila ajo duke qenë se do ta bëjë xheloz Marcellon bashkohet me një burrë tjetër pasanik, por në fund përfundojnë bashkë. Ndryshe nga historia e dashurisë mes Mimit dhe Rodolfos, e cila është një histori dashurie tragjedike pasi Mimi në fund vdes në krahët e tij, historia e Marcellos dhe Musett-ës është një histori e gëzueshme pasi në fund janë bashkë.  Është një rol goxha impenjativ, është një rol me një përgjegjësi sidomos nga ana teknike vokale sepse është një vepër e autorit Puccini dhe duhet me patjetër që të jetë një djalë i ri që ta realizojë këtë rol, si nga ana e vokalit por edhe sepse duhet të ketë shumë lëvizje dhe interpretim skenik.

Me çfarë vështirësi jeni hasur ju nën interpretimin e Marcellos?

Vështirësitë janë të pranishme nga ana teknike sepse kërkohet një moshë e re për të kënduar veprën e Puccinit. Puccini është një autor që kërkon vokale të mëdha dhe vokale të forta që sigurisht mbas një farë moshe arrin teknikën e duhur si atë fizike, si edhe teknikën vokale. Por në rastin konkret duke punuar në mënyrë intensive, mbase dhe për moshën që kam, e kam arritur që të realizoj  një Marcello të mirë lë të them sepse e mira nuk ka fund. Punoj gjithmonë dhe më shumë për të arritur më të mirën e mundshme, por mendoj që Marcello është një nga rolet e mia të repertorit tim të karrierës.

Për sa i përket bashkëpunimit me solistët e tjerë në këtë shfaqje, a ekziston harmonia mes jush?

Absolutisht po. Dhe kjo është një nga gjërat me të mrekullueshme që kemi. Është pikërisht kjo harmoni mes nesh që na mban gjallë dhe që lodhja të bëhet sa më e lehtë dhe të mos ndihet. Kemi dhe artistë të rinj që i janë afruar teatrit, e cila është gjë shumë e mirë dhe ne adaptohemi me ta, po ashtu edhe ata që janë shumë para nesh. Harmonia dhe bashkëpunimi na mban vërtetë gjallë.

Tek opera”La Boheme”  konkretisht çfarë pjese vlerësoni më shumë?

Puccini për mua personalisht është një nga autorët më të mrekullueshëm që ka krijimtaria operistike dhe nuk mund të veçoj asgjë nga ky autor. Çdo notë, që nga fillimi i veprës deri në fund, është një emocion dhe vetëm emocion.

Si do të vijë para publikut shqiptar këtë herë kjo shfaqje?

Besoj se do të vijë shumë bukur kësaj radhe nën drejtimin e maestros Salvatore Percacciolo. Ka një lloj trajtimi pak më ndryshe dhe më të ndjeshëm. Mendoj se këtë herë do të vijë me një frymë pak më të qetë, mbase do të vihet re më shumë pjesa melankolike. Puccini në Bohemë prek thellë dhe depërton thellë. Është një emocion si nga mesazhi i veprës, i fjalës por edhe nga ana muzikore.

Le të ndalemi pikërisht tek mesazhi i kësaj vepre. Cili do të jetë mesazhi dhe me çfarë shije do të ngeli publiku në fund të kësaj shfaqje?

Do të marri shijen e muzikës Puccini-ane për ata që e njohin në mënyrë të mirëfilltë, sidomos edhe në këtë prag festash pasi edhe vetë historia është e ndodhur në vigjilje të krishtlindjeve. Do të marri një mesazh që unë e perceptoj kështu: Gjithçka të bëhet, të jetohet në kohën e duhur në mometin e duhur dhe duhet menduar që gjithnjë gjërat të bëhen me dashuri. Kjo është më e rëndësishme, ajo çka lidh dhe zbukuron këtë botë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here