Në selinë e Parlamentit Europian në Strasburg, gjatë mbledhjes së II-të të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë, e cila po mbahet në Strasburg, Komisioni i përbashkët KPSA (Komisioni parlamentar për Stabilizim Ascocim) në kuadër të rekomandimeve votoi unanimisht amandementin për rastin e aktivistit politik Astrit Dehari.
Lajmin e ka bërë me dije lëvizja Vetëvendosje, kryetari i së cilës, Visar Ymeri dhe deputetja Donika Kada – Bujupi bashkë me deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës po marrin pjesë në këto punime.
Vetëvendosje ka paraqitur edhe amendamentin 22, që ka të bëjë me rastin e aktivistit 26 vjeçar që vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ditën e 5 nëntorit.
“Ka shprehur ngushëllime familjes dhe shokëve dhe shoqeve të aktivistit të ri politik, z. Astrit Dehari, i cili vdiq në paraburgim nën rrethana të dyshimta dhe ka kërkuar nga autoritetet kompetente të hetojnë tërësisht të gjitha rrethanat e vdekjes së tij, duke përfshirë çfarëdo pretendimi të përdorimit të tepruar të forcës nga cilido zyrtar i zbatimit të ligjit, si dhe përgjegjësinë e mundshme të institucioneve shtetërore; ka theksuar se nëse ndonjë vepër e gabuar ka ndodhur, është dashur të ndiqej dhe të dënohej rëndë si shembull;”.
“Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri dhe Donika Kadaj të cilën po marrin pjesë në këtë mbledhje kanë folur edhe për dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe për përndjekjen që u bëhet aktivistëve politikë. Po ashtu, është kërkuar edhe lirimi i pesë aktivistëve që vazhdojnë të mbahen në burg padrejtësisht”, thuhet në njoftimin e LVV-së./koha