Raporti i KE-së për Shqipërinë: Sa fitohet nga trafiku i drogës dhe kush janë bosët

2
290

Raporti i fundit i Këshillit të Europës për drogën dhe krimin e organizuar në Shqipëri, është vërtet tronditës. Jo se thotë “e zeza mbi të bardhë”, ato që shqiptarët tashmë i dinë dhe që “media e kazanit” dhe opozita i ka denoncuar me forcë dhe fakte çdo ditë, por sepse më në fund kemi një qëndrim zyrtar të kundërt nga propaganda e qeverisë Rama. Vendosja e agravimit të situatës së kanabisit në Shqipëri, veçanërisht gjatë këtij viti paraelektoral si një kusht plus për hapjen e negociatave me BE-në, tregon se shqetësimi i lidhjeve të qeverisë aktuale me narkotrafikun, ka trokitur fort edhe në Bruksel.

Gjendja është e tillë, sa që në raport fitimet që vijnë nga kjo veprimtari kriminale janë më të larta edhe se buxheti që qeveria Rama ka planifikuar për arsimin gjatë vitit që vjen. Nga ana tjetër është ulur “çuditërisht” buxheti për organet që duhet të luftojnë këtë mafia të fuqishme. Ajo që duket se shqetëson më së shumti KE-në është fakti, se hetimet për narkotrafikun nuk shkojnë asnjëherë në nivelet e larta, te bosët e drogës duke lënë për të nënkuptuar hapur, se ata kanë mbrojtjen e policisë dhe qeverisë.

Raporti i KE-së

Sipas organeve të specializuara të OKBsë, përfitimet nga tregtia e paligjshme e opatit vazhdojnë të mbeten nxitës të rëndësishëm financiar për grupet e organizuara kriminale në Shqipëri. Të ardhurat ilegale të narkotikeve përbëjnë një përqindje të rëndësishme të GDP së Shqipërisë. Të ardhurat ilegale nga bimët narkotike llogariten se zënë një pjesë të madhe të PBB-së së Shqipërisë (2.60 % krahasuar me 0.07-0.19% për vendet si Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar). Shqipëria ka intensifikuar luftën kundër kultivimit të drogës (kryesisht atë të llojit kanabis sativa), që mbetet një sfidë serioze.

Në fushën e trafikimit të drogës, në vitin 2015 janë sekuestruar 36.9 kg drogë të llojit heroinë, mbi 11 ton marijuanë dhe 27.1 kg kokainë (kundrejt 73.5 kg heroinë, 97 ton marijuanë dhe 10.3 kg kokainë të sekuestruara në vitin 2014).Kjo rënie e sekuestrimit mund të shpjegohet me ri-zhvendosjen e trafikut të paligjshëm përmes vendeve të tjera, e shoqëruar kjo me mungesën e shërbimeve të përshtatshme sekrete dhe për pasojë me numrin e ulët të kapjeve. Pas miratimit të ligjit të ri për strukturën e organizimit të policisë, hapja e tetë komisariateve të reja duhet të sigurojë një kontroll më të mirë të territorit për qëllime të parandalimit dhe shkatërrimit të kultivimit të drogës. Pavarësisht intensifikimit të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës, numri i dënimeve të formës së prerë mbetet i ulët. Dënimet dhe gjobat nuk janë parandalues efikas dhe konfiskimi i aseteve kriminale është i kufizuar. Hetimet dhe procedimet nuk arrijnë deri në nivelet më të larta të zinxhirit të drogës dhe nuk shoqërohen sistematikisht me hetime paralele financiare.

Në vitin 2015, policia ka dorëzuar në prokurori 1.008 raste që lidhen me prodhimin dhe trafikimin e drogës (344 më pak se në vitin 2014). Vetëm 359 janë dërguar në gjykatë (nga 372 në vitin 2014). Kapacitetet për të menaxhuar, magazinuar dhe shkatërruar drogat mbeten shumë të dobëta. Duhet përmirësuar procedura e shkatërrimit të bimëve narkotike të sekuestruara. Duhet përgatitur një protokoll që i ngarkon Ministrisë së Mjedisit detyrën e menaxhimit të bimëve narkotike, siç janë monitorimi dhe kampionimi i ajrit dhe dheut. Drogat duhen asgjësuar menjëherë, ose direkt pas sekuestrimit dhe duhen mbajtur vetëm kampionë të vegjël për analiza në Institutin Shkencor. Përveç kësaj, duhet ngritur një njësi e trajnuar, e cila do të trajtojë çështjen e laboratorëve të paligjshëm për sintezën e drogave të paligjshme.

Periudha e raportit

Ky raport mbulon periudhën nga tetor 2015 deri në shtator 2016. Ai bazohet në të dhëna të marra nga në një larmi burimesh, përfshirë kontributet e Qeverisë shqiptare, Shtetet Anëtare të BE-së, raportet e Parlamentit Evropian dhe informacione nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe joqeveritare. Në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar, dokumenti thekson se vendi ka arritur një farë niveli përgatitjeje. “Policia u modernizua dhe u rrit bashkëpunimi ndërkombëtar policor, sidomos me Europol-in. Megjithatë, bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë duhet të forcohet më tej për të shpërbërë rrjetet kriminale në mënyrë më efektive. Hetimet financiare në lidhje me grupet e organizuara kriminale nuk janë zhvilluar në mënyrë sistematike dhe efektive. Historiku i ngrirjes dhe konfiskimit të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme mbetet shumë i ulët”, thuhet në raport.

Vërejtja e BE

Konfiskimi i pasurisë të paligjshme mbetet i ulët. Vendi ka arritur një farë niveli të përgatitjes në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar. Në përgjithësi, janë bërë disa përparime, në veçanti, me identifikimin dhe shkatërrimin e plantacioneve me kanabis. Gjithsesi, policia dhe prokuroria nuk kanë mundur që të identifikojnë grupet kriminale që fshihen pas kultivimit dhe trafikimit të drogës dhe rrallë herë sigurohet ndjekja efikase gjyqësore në ndjekjen penale Janë bërë pak përparime në plotësimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. Policia është modernizuar dhe është rritur bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë, sidomos me Europol-in. Gjithsesi, duhet të forcohet bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë në mënyrë që të shpërbëjnë rrjetet kriminale në mënyrë më efikase. Numri i vendimeve të formës së prerë në rastet e krimeve të organizuara mbetet i kufizuar, duke shënuar vetëm një rritje të lehtë gjatë viteve të fundit.

Hetimet financiare që shenjëstrojnë anëtarë të dyshuar në grupe kriminale nuk janë kryer në mënyrë sistematike dhe efektive. Historiku i të dhënave për ngrirjen dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme mbetet i ulët.Vitin e ardhshëm, Shqipëria, në veçanti, duhet: të dëshmojë progres në krijimin e një historiku të qëndrueshëm të hetimeve proaktive, ndjekjeve dhe dënimeve penale kundër grupeve kriminale, përfshirë konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe shpërbërjen e rrjeteve kriminale; të përshtatë legjislacionin përkatës me standardet evropiane dhe praktikat më të mira, në veçanti, ligjin Antimafia, Kodin e Procedurave Penale dhe legjislacionin në fushën e përgjimeve dhe mbikëqyrjes, afatet kohore për hetimet, dhe pranueshmërinë e provave përpara gjykatës; të decentralizojë forcat e specializuara policore, të alokojë burimet njerëzore të mjaftueshme për të luftuar krimin e organizuar dhe të zbatojë një politikë efektive për burimet njerëzore në Policinë e Shtetit, përfshirë rekrutimin sipas meritës, ngritjen në detyrë dhe transferimin brenda zyrave të policisë dhe prokurorisë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here