Pas takimit në Berlin, Kryeministri Edi Rama dhe kancelarja gjermane Angela Merkel mbajtën një fjalë para gazetarëve.
Zonja Merkel nënvizoi vijimin e 5 prioriteteve kyçe duke veçuar reformën në drejtësi luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kancelarja gjermane kishte dhe një mesazh për zgjedhjet e ardhshme
Nga ana e tij kryeministri Rama kërkoi që procesi i hapjes së negociatave të jetë i ndershëm dhe i parashikueshëm.
Merkel: Shqipëria është bërë një partner i rëndësishëm që para kthesës politike 26 vjet më parë, është bërë një aleate e fortë në NATO me të cilën ne ndihemi të lidhur ngushtë edhe në mënyrë bilaterale. Ne konstatojmë sot se Shqipëria është shndërruar në mënyrë rrënjësore vitet e e fundit, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në fushën e reformave dhe i ndërmerr më tej ato.
KE i ndjek në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet në Shqipëri dhe në raportin e fundit e ka vlerësuar këtë zhvillim. Dua ta uroj përzemërisht kryeministrin Rama për këtë zhvillim.
Gjermania është përpjekur ta mbështesë Shqipërinë në zhvillimin e tanishëm duke dërguar përfaqësues në misionin Euralius, gjë që ka kontribuar që reforma në drejtësi të mund të vihet në funksionim dhe të kthehet në të drejtë.
Është e rëndësishme që kjo rrugë e nisur të vazhdojë. KE ka përmendur 5 prioritete dhe këtu bën pjesë zbatimi i qëndrueshëm i kësaj reforme dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë hapa të përhershme që duhen kryer.
Duke pasur parasysh dhe zgjedhjet që ka, Shqipëria do të vihet në kontakt dhe me OSBE.
Unë besoj që këtu janë arritur gjëra të rëndësishme dhe ai që i shikon zhvillimet në
Shqipëri e di se kërkohet shumë forcë dhe shumë guxim për ta ndjekur këtë rrugë. Ne do të flasim dhe më hollësisht sesi mund të ndihmojë Gjermania dhe më tej.
Edi Rama: Në këtë situatë as ne as miqtë europianë nuk duhet ta marrin të mirëqënë përgjithmonë atë që kemi arritur. Në hapësirën tonë rajonale veprojnë dhe aktorë të tretë që synojnë të shfrytëzojnë çdo lëkundje dhe paqartësi apo vakum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me BE-në.
Procesi i integrimit europian për ne dhe popujt e rajonit tonë që janë tërësisht europianë, edhe pse shtetet tona nuk janë ende anëtarë të BE-së,duhet të jetë një proces sa më i ndershëm, dhe i parashikueshëm.
Shqipëria dhe shqiptarët nuk kërkojnë asgjë të pamerituar në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Ne nuk kemi hyrë në këtë rrugë sepse na e ka imponuar Brukseli, Berlini apo Parisi por sepse na e kanë diktuar etërit themelues të shtetit shqiptar, 104 vjet më parë si shprehjen e një vullneti të hershëm për tu ndarë nga lindja dhe për tu bashkuar me përëndimin. Ashtu siç na e dikton çdo ditë interesi i gjeneratave pasardhëse për të jetuar në një shtet demokratik që garanton liritë dhe të drejtat e çdo qytetari.
Reforma në drejtësi, është vetëm detyrë e kryer në letër, tani është koha për ta implementuar. Shqipëria mirëkupton dhe mbështet kushtin e KE që shoqëron rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave./oranews