Shqiptarët festojnë sot 72-vjetorin e Çlirimit të vendit. Por kjo festë nuk do t’i bëjë bashkë të gjithë, pasi të djathtët njohin vetëm 28 nëntorin si Ditën e Çlirimit.
Ndërkaq, vetëm mazhoranca e majtë ka organizuar sot aktivitete të cilat kanë nisur tashmë me homazhe te Varrezat e Dëshmorëve, ku të pranishëm janë kryeminsitri Rama dhe kryetari i Parlamentit, Ilir Meta.
Më pas, raportohet se të dy zyrtarët e lartë do të zhvillojnë edhe një takim me veteranët e Luftës.
Ndërkohë, bashkia e Tiranës do të organizojë sot Natën e Bardhë duke sjellë një axhendë të ngjeshur aktivitetesh kulturore artistike, si koncerte, ekspozita shfaqje cirku, që do të kulmojnë në mbrëmje me koncertin e këngëtares së njohur italiane Xhusi Ferreri.
Edhe Ministria e Kulturës i është bashkuar festimeve për Natën e Bardhë duke mundësuar hyrjen falas në disa institucione kulturore. Parlamenti do të mbajë edhe sot dyert e hapura për qytetarët në orarin 17:00 – 21:00 të mbrëmjes.
Aktivitetet do të organizohen edhe në bashkitë e tjera të majta, ndërsa krerët e bashkive të djathta festuan Clirimin një ditë më parë bashkë me festën e Pavarësisë.