“Studenti do të trajtohet si klient, në një konkurrencë të ashpër të pakuptimtë, duke e çuar sistemin në tërësi tek rentabilizimi ekonomik, dhe vlerën i çdo forme dijeje tek sukseset buxhetore”
Intervistoi: Anesti Barjamemaj
Ligji i Arsimit të Lartë në Shqipëri, ka ngjallur shumë debate në opinionin publik, edhe pse ka gati një vit që ky ligj ka hyrë në fuqi, përsëri ndihet revolta dhe protesta. Shumë pedagogë dhe studentë, janë shprehur kundërt këtij ligji. Profesor Ervin Goci, në një intervistë për gazetën ka shpjeguar së ku janë problemet e këtij ligji, dhe se çfarë do të ndodh tani me studentët dhe pedagogët. Sipas tij Ministria e Arsimit ka pranuar dështimin e kësaj reformë që në momentin kur nxorri dy udhëzime të tjera, ndryshe nga i pari për formulën e pranimeve në universitete. Për rastin e fundit të protestat kundër zonjës. Lindita Nikolla, Goci shpjegon se vëmendja e opinionit publik ishte e dirigjuar nga mediat të cilat u përqendruan të akti i studentes, dhe sipas tij sistemi arsimor në Shqipëri është i burokratizuar, i padrejtë, sabotues të së ardhmes së studentëve. Ai thotë që të gjithë përgjegjësit nga më i larti tek më i ulëti, duhet të japin dorëheqjen, duke pranuar kështu një dështim dhe duke dhënë ndonjë rreze shprese se diçka në një të ardhme të afërt mund të ndryshohet.
Ligji për Arsimin e Lartë ka gati një vit që është miratuar dhe tani është në fazën e implementimit, por përsëri ngelet gjithmonë në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Sipas jush përse ndodh kjo?
Nuk mendoj se është Ligji në vëmendje, por është gjendja e Arsimit të Lartë në gjendje aq të keqe sa nuk e fsheh dot. E vetmja mënyrë për ta fshehur, është duke e injoruar si çështje me mbivendosje artificiale axhendash, por dhe kjo mesa duket nuk ka funksionuar. Skandali plasi, dhe skandali ka lidhje vetëm me fazën e parë të zbatimit të Ligjit që ka të bëjë me rekrutimet, dhe rezultati ishte një katastrofë, që për fat të keq sapo ka filluar.
Në javën që lamë pas Ligji për Arsimin e Lartë u bë përsëri pjesë e debatit publik por u fut edhe ne agjendën e media-ve të ndryshme, a mendoni se u rikthye nga veprimi i studentes Mirela Ruko që bëri kundër ministres?
Absolutisht jo, thjesht sensorët e eksituar të mediave u përqëndruan te akti, por fakti është se ka 3 muaj, që po kritikohet rëndë sistemi i rekrutimit, i burokratizuar, i padrejtë, sabotues të së ardhmes së studentëve, dhe për më keq antikushtetues, sepse u mohon një të drejtë themelore, që ka të bëjë me edukimin.
Pas kësaj ngjarjes së fundit ku një studente hodhi keçap mbi ministren Lindita Nikolla, a mendoni se kjo ngjarje do të ketë reaksion në publik dhe Ministria e Arsimit do të ndërhyjë për të rregulluar këtë ligj?
Ministria e ka pranuar dështimin, duke prodhuar dy udhëzime të tjera nga ai i Shkurtit 2016-të, dhe duke kaluar nga sistemi me zgjedhje të kufizuar në kohë, tek sistemi i vijës së kuqe, ku lista e të pranuarve zbret njëlloj si me sistemin e vjetër, me dallimin që nën terrorin e udhëzimit të parë shumë studentë kanë vajt dhe janë regjistruar në privat, apo degë të padëshiruara, dhe të ç`regjistrohesh tani nga një Universitet për të vajt tek ai i dëshiruari, është njëlloj si t`i hipësh Himalajeve.
Javën e fundit ka pasur përsëri protesta. Mendoni se mund të arrihet diçka pas shumë reagimeve nga pedagogët të shumtë dhe shoqëria civile?
Nuk ka fare nevojë për asnjë protestë për të kuptuar që kjo është një reformë e gjitha e dështuar, dhe që sipas meje brenda një logjike institucionale të një vendi normal, të gjithë përgjegjësit nga më i larti tek më i ulëti, duhet të jepnin dorëheqjen – duke pranuar kështu një dështim dhe duke dhënë ndonjë rreze shprese se diçka në një të ardhme të afërt mund të ndryshohet. Këmbëngulja për suksesin e reformës është represion i pastër, që ushtrohet ndaj një publiku që nuk ta pranon, që të ka kundërshtuar që në gjenezë, dhe që perspektiva e zbatimit të kësaj reforme, është një “Mission Impossible”, por që mesa kuptohet qeveritarët kanë vendosur me përdhunë ta çojnë përpara. Për pasojat më mirë mos të flasim.
Duke qenë se jeni çdo ditë me studentët dhe sidomos me ata që janë në vitin e parë, sa ka ndikuar ky ligj të ata? A i ka bërë që të jenë më të shushatur dhe të pasigurt për shkollën që kanë zgjedhë?
Mbi 90% të studentëve na kanë komunikuar, se gazetaria nuk ka qenë zgjedhja e tyre e parë, dhe ne tani jemi përpara misionit, që inxhinjerët e së ardhmes, juristët, informaticienët, historianët, gjeografët, letrarët, ekonomistët e së ardhmes, do të na duhet t`i kthejmë në gazetarë. Besoj se kaq mjafton..
Së fundmi, sipas jush ky ligj do të jetë efektiv apo do të ulë akoma më shumë cilësinë në Arsimin e Lartë?
Unë mendoj se me këtë Ligj, vetë ekzistenca e Arsimit të Lartë Publik vihet në pikëpyetje të madhe. Shumë do të mbyllen; ato që nuk do të mbyllen, do të detyrohen që të sillen si Universitete Private, duke bërë llogaritë e qindarkës për çdo student të ri që hyn, i cili do të shihet si i vetmi aset që mund ta mbajë Universitetin gjallë, dhe akoma më banale: si i vetmi aset që do të garantojë rrogat tona – si meqë ra fjala dhe sot na garanton diku tek 40% të rrogës vjetore. Studenti do të trajtohet si klient, në një konkurencë të ashpër të pakuptimtë, duke e çuar sistemin në tërësi tek rentabilizimi ekonomik, dhe vlerën i çdo forme dijeje tek sukseset buxhetore