Kioskat në rrugët e Tiranës/ PD dhe LSI kërkesë bashkisë për informacion. Refuzohet përgjigjja

0
1007

Bashkia nuk ka dhënë ende asnjë informacion as qytetarëve apo bizneseve që po familjarizohen me objektet e vendosura para biznesit të tyre

Sejrie Baleta

Prej ditësh në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit nëpër stacionet e autobusëve  dhe pranë trotuareve më të popullarizuar, janë vendosur disa kioska që mbajnë mbishkrimin Bashkia Tiranë. Kjo situatë me mbirjen e këtyre kioskave si “kërpudha pas shiut” vjen menjëherë pas aksionit të ndërmarrë nga bashkia e Tiranës e cila me forcë largoi tregtarët ambulantë që shisnin në trotuare, sa për të fituar bukën e gojës dhe vendin që ata zinin e zëvëndësoi me disa kioska moderne. Mesa duket aksioni i ndërmarrë nga bashkia për të liruar trotuaret me pretekstin se u përkasin këmbësorëve dhe jo tregtarëve ambulantë paska qenë frika e konkurrencës për biznesin e ri që bashkia do të ngrinte. Në disa shkrime të publikuar në media thuhet se kryebashkiaku  i ka tenderuar këta kioska për interesa e veta.

leonard-olli1-655x356-c1200x600

Reagimi i këshilltarëve

Në lidhje me këtë situatë kanë reaguar dhe këshilltarët e Partisë Demokratike pranë bashkisë së Tiranës të cilët i janë drejtuar me një kërkesë për dhënie informacioni në lidhje me vendosjen e disa kioskave në territorin e bashkisë. Nga ana tjetër burime po nga ana e bashkisë së Tiranës kanë konfirmuar për gazetën “Standard” se edhe këshilltarët e  LSI- së kanë dërguar një kërkese Zyrave të Protokollit brenda bashkisë së Tiranës në lidhje me këtë çështje. Pra çështja e ngritjes së kioskave nuk është një shqetësim vetëm nga ana e këshilltarëve të djathtë, por edhe atyre të LSI-së. Ndërkaq gazeta ka mundur të sigurojë shkresën që këshilltarët e djathtë pranë bashkisë Tiranë i kanë dërguar kryebashkiakut Veliaj në lidhje me vendosjes e disa kioskave në territorin e bashkisë së Tiranës, për të cilën ata ende nuk kanë marrë një përgjigje.

Kërkesa

Kryetari i Këshilltarëve të Partisë Demokratike pranë bashkisë së Tiranës Leonardo Olli në kërkesën drejtuar kryebashkiakut Veliaj në lidhje me ngritjen e kioskave në territorin e kësaj bashkie shkruan se: “Rregullore për organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e administratës së aparatit të Bashkisë së Tiranës”, në cilësinë dhe në ushtrim të funksionit të kryetarit të Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike, kërkoj të pajisem me informacionin e detajuar si dhe dokumentacionin përkatës, në lidhje vendosjen e disa kioskave që shohim me sy të lirë në territorin e Bashkisë e konkretisht:

A janë këto kioska në pronësi dhe në përdorim të Bashkisë Tiranë dhe në rast se po cila është baza ligjore e ndjekur, procedura e zbatuar, vlera e tyre dhe cili subjekt i ka prodhuar ? (dokumentacioni përkatës);

Cila është procedura dhe baza e ligjore e ndjekur për vendosjen dhe shpërndarjen e tyre në territorin e Bashkisë dhe mënyra e funksionimit të tyre?

Në rast se këto kioska funksionojnë në bashkëpunim me palë të treta apo u përkasin palëve të treta, cila është marrëdhënia juridike e krijuar ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe subjekteve private, të cilët ushtrojnë veprimtari tregtare në këto kioska? (dokumentacioni përkatës);

Cilat janë të drejtat dhe detyrimet (financiare dhe jo-financiare) e Bashkisë Tiranë dhe subjekteve privatë që rrjedhin nga marrëdhënia juridike ndërmjet tyre; (dokumentacioni përkatës)

Duke e vlerësuar si thelbësore për respektimin e standardeve të shtetit të së drejtës jo vetëm garantimin e parimit të ligjshmërisë, por edhe qeverisjen transparente, mbetemi në pritje të informacionit dhe dokumentacionit përkatës, brenda afatit ligjor” shkruhet në kërkesë.

kerkesa-1 kerkesa-2

Bashkia nuk jep informacion për kioskat

Rikthemi i kioskat në rrugët e Tiranës por ndryshe nga zaptimet e privatëve dikur, këtë herë vendosen nga vete Bashkia e Tiranës. Disa prej tyre kanë zënë vend në zonat kryesore dhe më të populluara të Tiranës ndërsa disa kanë filluar të hapin qepenat dhe të ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve duke shitur produkte utilitare. Nën logon e Tirana parking dhe asaj të Bashkisë së Tiranës këto kioska pritet të shtohen, por nga  bashkia e Tiranës askush nuk jep informacion nëse administrohen nga Bashkia apo u jepen me qira të tretëve dhe mbi ç’baza përcaktohet vendndodhjet e tyre. Bashkia nuk jep informacione nëse në këto kioska do të shpërndahet edhe shtypi i shkruar që sot shihet nëpër stenda ambulantesh. Para 15 vjetësh botuesit e shtypit kanë paraqitur një projekt për shpërndarjen e shtypit në kioska, në një sipërmarrje të përbashkët. Ndoshta këto kioska mund të shërbenin për ta zbatuar atë projekt, por me pronare bashkinë e Tiranës. Gjithsesi Bashkia nuk ka dhënë ende asnjë informacion as qytetarëve apo bizneseve që po familjarizohen me objektet e vendosura para biznesit të tyre. Gjithçka që mund të thonë është se kanë parë që montimi është bërë nga makinat e Bashkisë së Tiranës. Prej disa ditësh në rrugët kryesore të Tiranës Bashkia po vendos kioska nën logon e “Eco Parking”. Nuk jepet asnjë informacion nga ky institucion se për çfarë do të shërbejnë dhe si u jepen me qira palëve të treta këto kabina. Ndërsa nga vendndodhja e tyre duket se funksioni do të jetë për vendosjen në jetë të parkimit me pagesë.

kreshnik-spahiu23-620x330

Nga kioskat në kioska

Edhe për kryetarin e  Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu shprehet se Rama e ktheu vendosjen e kioskave jo për të ndihmuar të varfëritë  por për të shlyer borxhet e veta politike.  “18 vjet pas hyrjes në politikë Edi Rama iu rikthye nostalgjisë për kioskat. Me një vendim të Bashkisë Tiranë dhe të miratuar nga qeveria Rama është aprovuar leja për vendosjen e 100 kioskave në sheshet kryesore të Tiranës. Ndryshe nga 18 vite më parë këto kioska nuk po hapen nga 100 familje të varfëra që kërkonin të provonin iniciativën e tregut të lirë dhe për të mbijetuar por ato po hapen vetëm nga një dorë e pasur që për arsye etike nuk po ja përmend emrin. Njeriu i cili në histori do mbahet mend që suksesin e pati me heqjen e kioskave, pas 18 vitesh po i rikthen ato duke i treguar milion shqiptarëve që vizioni i tij për qeverisje do mbetet për jetë sa një kioskë. Ai me kioska e nisi dhe me kioska e bitisi. Ky është fundi i një artisti që konceptoi se themelet e një shteti janë kioskat dhe gëlqerja e pallateve!” shkruan Spahiu.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here