Nishani: Rama po na rikujton krimet e komunizmit me “vepra arti”

0
182

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ishte sot në Bruksel ku mori pjesë në konferencën me titull “Krimet e regjimit komunist në Shqipëri: Lufta e klasave, krim çnjerëzor në emër të luftës për pushtet!” të organizuar nga ministri belg i shtetit, Louis Michel.

Në fjalën e tij, ndër të tjera, Presidenti Nishani u ndal tek veprat e artit të krijuar së fundmi në vendin tonë. Sipas tij, këto vepra arti, synojnë të risjellin në kujtesë ngjarjet e dhimbshme të sistemit totalitar, dhe vuajtjet të cilat kaloi populli shqiptar.

“Në Shqipëri, për fat të keq, vërehen sot e kësaj dite disa tendenca dhe përpjekje për të rilindur të kaluarën e hidhur dhe për ta justifikuar atë në një farë mënyre. Kjo gjë e dëmshme për vetë shoqërinë tonë, për historinë, por sidomos për brezat e rinj, të cilët nuk e kanë jetuar atë kohë, po bëhet nëpërmjet glorifikimit të figurave të dalaboje të regjimit totalitar, nëpërmjet shndërrimit të objekteve të urryera të diktaturës në të ashtuquajtura ‘vepra arti’ dhe vende turistike, apo edhe nëpërmjet një lustrimi fals të ngjarjeve apo fakteve historike”, është shprehur Nishani.

Më tej ai u ndal edhe tek çështja e hapjes së dosjeve të regjimit. Sipas Presidentit, pavarësisht se ligji ka hyrë në fuqi më 30 tetor të 2006, Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të Komunizmit u ngrit pas një vonese të gjatë dhe të pajustifikuar.

“Edhe në Shqipëri, paçka se nuk janë mbajtur kurrë seanca të tilla u miratua nga Kuvendi dhe hyri në fuqi më 30 tetor 2006, rezoluta ‘Për dënimin e Krimeve të kryera nga Regjimi komunist në Shqipëri’. Sot, pas një vonese të gjatë e të pajustifikuar, në Shqipëri është ngritur dhe konstituuar Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të Komunizmit, i cili shpresojmë se do t’i përmbushë pritshmëritë e të përndjekurve dhe viktimave të regjimit, për t’ua qetësuar të paktën shpirtin si dhe për të gjetur eshtrat e të parëve”, u shpreh Nishani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here