Prokuroria e Krimeve të Rënda dënon në gjyq tre anëtarë të familjes me akuzën e vrasjes ndaj ishkryeplakut të Manzës, Mirosh Djaloshi, ngjarje e ndodhur në 18 mars 2016.
Pak ditë më parë, Prokuroria ka dorëzuar në Gjykatë dosjen penale ndaj shtetasve Arban Djaloshi dhe Flavio Djaloshi, vëllezër mes tyre. E akuzuar është edhe nëna e dy djemve, shtetasja Bardhe Djaloshi.
Sipas Prokurorisë, tre të dyshuarit akuzohen se kanë kryer veprat penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, në bashkëpunim.
Në kërkesën për gjykimin e çështjes në Gjykatë, Prokuroria thekson se shtetasi Arban Djaloshi ka pranuar para grupit të hetimit se është autori i vrasjes së babait të tij, Mirosh Djaloshi, ngjarje e ndodhur në 18 mars 2016, në zonën e Manzës, në Durrës.
Autori i dyshuar ka deklaruar se e ka kryer vrasjen duke e goditur me sende të forta, për shkak se viktima ishte i alkoolizuar dhe keqtrajtonte nënën e autorit (bashkëshorten e viktimës).
Disa ditë pas krimit, me urdhër të Prokurorisë së Durrësit u ndaluan tre anëtarët e familjes Djaloshi, konkretisht bashkëshortja dhe dy djemtë e viktimës.
Prokuroria e Durrësit krijoi dyshime se autori i vrasjes së Miroshit gjendej mes familjarëve dhe kjo pistë u forcua nga fakti se gjatë veprimeve hetimore rezultoi se viktima nuk kishte probleme me persona jashtë familjes.
Ndërsa brenda familjes anëtarët kishin konflikte të vazhdueshme, për shkak se Mirosh Djaloshi shkonte shpesh në shtëpi në gjendje të dehur. Për këtë arsye, sipas Prokurorisë, dosja u kaloi Krimeve të Rënda./panorama