“Mendoj se është e qartë në Bruksel, në Berlin, në Tiranë që z.Rama gënjeu. Gënjeu sepse nuk do të pranojë për përgjegjësinë që ka në moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit, për largimin e kriminelëve nga Parlamenti, nga bashkitë”
Kryedemokrati Lulzim Basha u takua ditën e djeshme me kancelaren gjermane Angela Merkel, gjatë kongresit të CDU – së ku ajo shpalli kandidaturën si kancelare për zgjedhjet e ardhshme. Në propononcimin për mediat, Basha deklaroi se kancelarja Merkel do të mbështesë Shqipërinë në sfidat që ka para, për luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Pata mundësinë të takohem me kancelaren Merkel, ta falënderoj për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë, për mbështetjen që vazhdon ti japë vendit tonë jo vetëm për integrimin në Bashkimin Europian por edhe luftën kundër korrupsionit, kundër krimit dhe për demokracinë, për zgjedhjet e lira në vend. Dhe dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët se kancelarja Merkel do të mbështesë pa asnjë lëkundje Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët në këto sfida të jashtëzakonshme, në veçanti sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit, dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si një sfidë imediate për Shqipërinë dhe shqiptarët,” – tha kreu i opozitës. Shefi i selisë blu, deklaroi se gjatë takimeve në Bruksel, do të vazhdojë të kërkojë hapjen e negociatave për Shqipërinë, duke konsideruar edhe si një presion shtesë ndaj qeverisë. “ Sot në Bruksel kam pasur takime dhe do të vazhdoj të kem takime të nivelit të lartë me anëtarë të Komisionit Europian, me drejtuesit më të lartë të Partisë Popullore Europiane, eurodeputetët, ku në qendër të bisedimeve është padyshim sfida që Shqipëria ka në raport me luftën kundër krimit, korrupsionit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Partia Demokratike dhe unë jemi fare të qartë në qëndrimin tonë, ne kërkojmë hapjen e negociatave në momentin më të parë të mundshëm edhe si një vlerë shtesë, dhe si një presion shtesë ndaj një qeverie deficente në sundimin e ligjit. Shqipëria mund dhe do të ecë përpara, qytetarët shqiptarë mund dhe do të përfitojnë nga integrimi europian vetëm kur të kenë një qeverisje që lufton për kauzat e tyre përmes luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit, luftës kundër drogës dhe garantimit të një demokracie funksionale ku në themel janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme,” – u shpreh kreu i PD – së.
Qëndrimi
Nga Brukseli, lideri demokrat deklaroi se Kryeministri Rama gënjeu kur tha se zbatimi i ligjit të Vettingut është i vetmi kusht që ka vendosur Bashkimi Europian për çeljen e negociatave.
“Mendoj se është e qartë në Bruksel, në Berlin, në Tiranë që z.Rama gënjeu. Gënjeu sepse nuk do të pranojë për përgjegjësinë që ka në moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit, për largimin e kriminelëve nga Parlamenti, nga bashkitë. Disa prej këtyre vendimeve z.Rama mund ti marrë vetë siç është largimi i Elvis Rroshit, por ai zgjedh të mos e marrë këtë vendim. Dhe kur pyetet nga partnerët pretendon se problemi nuk ekziston. E njëjta gjë edhe për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, z.Rama ka prej majit që bllokon reformën zgjedhore. E njëjta gjë për problemin e drogës që z.Rama e refuzon, e përqesh apo e minimizon, por vendet anëtare, shtetet e Bashkimit Europian, shtetet serioze kanë të gjithë informacionin në dispozicion,” – nënvizoi kryeopozitari. Basha u zotua se më Partinë Demokratike ligjin për dekriminalizimin do të zbatohet deri në fund, do të luftohet droga e korrupsioni dhe do të zbatohet reforma në drejtësi. “Me Partinë Demokratike ligji për dekriminalizimin do të zbatohet deri më një, do të largohen kriminelët nga Parlamenti, nga bashkitë dhe nga çdo funksion drejtues. Me Partinë Demokratike do të ketë luftë të hapur dhe pa kompromis kundër drogës, kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit. Ne do të zbatojmë reformën në drejtësi që e votuam me konsensus të plotë me 22 korrik dhe nuk do të gjejmë pretekste për të kontrolluar procese kyçe, siç janë pastrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas Kushtetutës, jo sipas Kryeministrit, apo nisja nga puna e Byrosë së Veçantë të Hetimit dhe të ndjekjes penale për zyrtarë të korruptuar,” – theksoi shefi i opozitës.