Biblioteka Kombëtare/ Sot kremtimi i 150 vjetorit të Ndre Mjedës, i ftuar nderi Sabri Hamiti

0
341

 

Ligjërata “Mjeda: liriku klasik”, do të parashtrohen leximet dhe qasjet ndaj poetikës së Mjedjes, si: Vetja, Andrra e jetës, Ikona poetike, Përjetësia, Bukurija etj.

Ndre Mjeda, një personalitet kompleks mes klerikut, gjuhëtarit, poetit e atdhetarit, ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e studiuesve, por duket se portretit të tij nuk mund t’i shkohet asnjëherë deri në fund. Sot Biblioteka Kombëtare do të kremtojë 150 vjetorin e Ndre Mjedës, me praninë e Ministres së Kulturës, e të ftuarit të nderit akademiku Sabri Hamiti, si dhe shumë studiues të tjerë do të zhvillohen një sërë aktivitetesh. Sabri Hamiti, i ftuari i nderit në këtë kremte për poetin e shquar, do të paraqitet me një ligjëratë në kremtimin e 150 vjetorit të lindjes së Ndre Mjedes. Ligjërata që do të mbajë Hamiti titullohet “Mjedja: liriku klasik”, në të cilën parashtrohen leximet dhe qasjet më përkufizuese ndaj poetikës së Mjedjes, si: Vetja, Andrra e jetës, Ikona poetike, Përjetësia, Bukurija etj. Pos ligjëratës së Sabri Hamitit, më pas do të mbahet edhe një tryezë “Rilexime të Mjedes”, tryezë që do të drejtohet nga Dhurata Shehri e me pjesëmarrës: Persida Asllani, Sabri Hamiti, Floresha Dado, Kolec Topalli, Shaban Sinani, Kastriot Gjika, Agron Tufa, Mark Marku, Edlira Tonuzi, Gazmend Krasniqi, Lisandri Kola.

Ky kremtim sot do pasohet nga një sërë aktivitetesh që u zhvilluan para disa ditësh për 150 vjetorin e Mjedës. Në 150 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ndre Mjeda Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka mbajtur konferencë shkencore me qëllim të rikthimit të veprës së Ndre Mjedës. Konferenca shkencore nisi me leximin e “lirikut klasik” të  Ndre Mjedës nga Sabri Hamiti. Në këtë konferencë u prezantuan aspekte të shumta  letrare dhe veprimtaria studimore e gjuhësore e Ndre Mjedës. Akademiku, Kolec Topalli, foli për Mjedën si gjuhëtar, sipas të cilit Mjeda ka qenë shqiptari më i përgatitur, dhe si një aktivist i zellshëm në një ngjarje të rëndësishme me vlera kombëtare. Kolec Topalli na rikujtoi “Ndre Mjedën si gjuhëtar”, akademikja Floresha Dado tri poetikat në një, të Mjedës, Rexhep Ismajli iu rikthye çështjes së alfabetit dhe drejtshkrimit në raport me jezuitët, misionit fetar që Mjeda i përkiste, studiuesja Dhurata Shehri foli për “Stinët e Mjedjes”, Bardhyl Demiraj për “Bassaninë”, një toponim në derdhje të lumit Mat, me të cilin është marrë dikur edhe Ndre Mjeda, Ali Aliu na ftoi në leximin e poezisë, Shaban Sinani tek “Ikja prej rimës gramatikore si ikje prej rapsodisë”, Persida Asllani te “Shkrimi filobiblik i Mjedjes”, Kujtim Shala te norma e forma, ndërsa Mark Marku te “Përfaqësimi i botës shqiptare në poezinë e Mjedjes”.

Kush ishte Ndre Mjeda?

Ndre Mjeda, poet i shquar, klerik dhe veprimtar e patriot. Lindi në Shkodër nga i ati Jakë Zefi (Kryeziu) dhe ëma Luçije (Dominika) Thaçi. Si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar dhe studioz, tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. Për sa i përket veprimtarisë poetike Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema romantike e njohur “Vaji i bylbylit” u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino, poetit katolik shkodran, përmbledhja poetike e të cilit e përpunuar bukur me 442 faqe e në dy gjuhë L’Arpa di un italo-albanese (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881.

Tituj të veprave:

“Vaji i Bylbylit” -poemë

“Juvenilja” – përmbledhje

“Liria” – poemë

“Lissus” – poemë

“Scodra” – poemë

“Andrra e jetës” -poemë

“Shkoll e jetë” –poemë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here