Noka: Na erdhi në komision jo më si krenarist por si pulë e lagur. Pse shefi i CIA nuk të takojë
Ambrozia Meta
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u paraqit ditën e djeshme si dëshmitar në Komisionin Hetimor për pajisjen e Përgjimeve IMSI Catcher, por refuzoi t’u japë përgjigje pyetjeve të opozitës. Ndërsa kryetari i komisionit hetimor, demokrati Flamur Noka kërkoi shpjegime nga ministri i brendshëm për futjen dhe përdorimin e kësaj pajisjeje në territorin shqiptar, Tahiri i kërkoi komisionit ti referohen hetimeve të Prokurorisë. “Për çështjen në fjalë ka një hetim nga prokuroria dhe ju këshilloj të merrni të dhëna nga atje për këtë çështje. Përgjigja ime për këtë pyetje dhe për çdo pyetje pas kësaj, është drejtohuni prokurorisë,” – u shpreh ministri i brendshëm. Deklaratat e ministrit, kryetari i komisionit, Flamur Noka i cilësoi si frikë nga përballja me drejtësinë. “Jeni këtu në cilësinë e dëshmitarit të ktheni përgjigje për pyetjet e deputetëve. Suksese në jetë zotëri. Shpjegoju qytetarëve se pse shefi i CIA-s nuk ju takoi. Shpjegoju një çikë me gjithë kërkesat e herëpashershme për ta takuar. Erdhi si pulë, i trembur nga frika e përballjes me drejtësinë. Duke bërë përpjekje për t’u fshehur dhe sigurisht tregoi edhe arrogancën e pushtetit. Na erdhi në komision jo më si krenarist por si pulë e lagur,” – tha deputeti demokrat. Në të njëjtën linjë me ministrin e Brendshëm ishte edhe Drejtori i Policisë, Haki Çako, i cili deklaroi se për çdo pyetje, komisioni mund ti referohet hetimeve të Prokurorisë. “Nuk kam ndërmend të tregoj asnjë lloj gjëje përveç të tregoj pozicionin tim në raport me kushtetutën. Për gjithçka mund ti referoheni Prokurorisë Tiranë,” – theksoi Çako.
Debati me ministrin e Brendshëm
Flamur Noka: Jeni në dijeni për futjen e një pajisje përgjimi në territorin e Shqipërisë?
Saimir Tahiri: Unë jam në dijeni për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës sime në bazë të ligjit, për çdo çështje tjetër ju këshilloj ti drejtoheni institucioneve përkatëse.
Flamur Noka: Jo nuk jeni këtu për të më këshilluar mua, por jepni sqarime sipas ligjit.
Saimir Tahiri: Për çështjen në fjalë ka një hetim nga prokuroria dhe ju këshilloj të merrni të dhëna nga atje për këtë çështje.
Flamur Noka: Në një emision televizion keni thënë se ‘Emsi Catcher’ është vetëm për të gjurmuar numrat jo bisedat.
Saimir Tahiri: Mund ti referoheni emisionit të Sokol Ballës dhe atyre çfarë kam thënë në emision.
Flamur Noka: Në burgun 312 në një libër protokolli ekziston e shënuar: me urdhër të drejtorit të futet në ambientet e burgut makina me drejtues Entjol Xhelili për të monitoruar cilësinë e ajrit në oborrin e burgut.
Flamur Noka: Entjol Xhelili është punonjës i policisë së shtetit?
Saimir Tahiri: Referojuni borderosë së policisë.
Flamur Noka: Pajisja është përdoru thjesht për trajnime apo përgjime?
Saimir Tahiri: Referojuni hetimeve që po bën Prokuroria.
Flamur Noka: A keni dijeni për vendin ku është mbajtur pajisja?
Saimir Tahiri: Me gjithë respektin, drejtohuni Prokurorisë. Nëse pengoj hetimet më kallëzoni në prokurori.
Asllan Dogjani: Ne po ju pyesim ju si dëshmitar. Ju keni thënë njëherë se është pajisje përgjimi. E konfirmon atë që ke thanë në procesverbal?
Saimir Tahiri: Përgjigja ime për këtë pyetje dhe për çdo pyetje pas kësaj, është drejtohuni prokurorisë. Unë nuk kam shumë kohë të humbas me komentet që keni për të bërë dhe me politikën tuaj të ditës. Kam shumë punë. Kam shumë respekt për punën time.
Flamur Noka: Nuk ju pyeti kush për punën tuaj. Jeni këtu në cilësinë e dëshmitarit të ktheni përgjigje për pyetjet e deputetëve. Suksese në jetë zotëri. Shpjegoju qytetarëve se pse shefi i CIA-s nuk ju takoi. Shpjegoju një çikë me gjithë kërkesat e herëpashershme për ta takuar. Erdhi si pulë, i trembur nga frika e përballjes me drejtësinë. Duke bërë përpjekje për t’u fshehur dhe sigurisht tregoi edhe arrogancën e pushtetit. Na erdhi në komision jo më si krenarist por si pulë e lagur. Nuk iu përgjigj pyetjeve.
Debati me Drejtorin e Policisë
Flamur Noka:Z. Dëshmitar a keni dijeni për futjen e pajisjen IMSI catcher në territorin e Shqipërisë?
Haki Çako: Prokuroria ka regjistruar procedimin penal dhe gjithë materiali ndodhet atje.
Flamur Noka: Nuk jeni thirrur të na tregoni çfarë çështje ka hapur prokuroria. Duhet të ktheni përgjigje për ato gjëra që ju keni dijeni. Ju lutem përgjigjuni pyetjeve.
Pjerin Ndreu: Mos influenconi në përgjigjet e dëshmitarit.
Flamur Noka: A posedon policia një pajisje për matjen e lagështisë së ajrit në burgje?
Haki Çako: Natyrisht qe jo.
Flamur Noka: Ka prova se shtetasi Entjol Xhelili ka futur në burgje një pajisje që mat cilësinë dhe lagështinë e ajrit. A është shtetasi Entjol Xhelili punonjës i policisë së shtetit?
Haki Çako: Për mua emri i një punonjësi të policisë paraqet sekret shtetëror.
Flamur Noka: Pronë e kujt është kjo pajisje?
Haki Çako: Është qartësisht në prokurori përgjigjia e pyetjes suaj.
Flamur Noka: A janë përgjuar personalitet të larta me këtë pajisje?
Haki Çako: Për përgjigjen e kësaj pyetjeje mund t’i drejtoheni Prokurorisë së rrethit Tiranë.
Mbledhja me dyer të mbyllura, kreu i SHISH dëshmon në Komisionin hetimor
Visho Ajazi: Shërbimet partnere na informuan se pajisja administrohej nga policia
Kreu i Shërbimit, Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika dëshmoi ditën e djeshme në Komisionin hetimor për pajisjen IMSI Catcher, në një seancë që u zhvillua me dyer të mbyllura. Burime për “Standard” bënë me dije, se gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, Visho Ajazi ka treguar në Komisionin hetimor datën kur ka hyrë në Shqipëri kjo pajisje dhe mënyrën sesi përdorej ajo. Kreu i SHISH deklaroi në mbledhjen me dyer të mbyllura se shërbimet partnere e kanë informuar që ka hyrë një pajisje e tillë në Shqipëri dhe është administruar nga policia e Shtetit. Gjithashtu ka treguar edhe vendin ku ndodhej pajisja e Përgjimit.