“Hijet për favorizim në tender, Partia Demokratike dhe LSI kërkojnë informacion, por refuzohet dhënia e tij nga Bashkia e Tiranës, qytetarët nuk llogariten fare”
Në fushatën elektorale të një viti e gjysmë më parë, kryetari i tanishëm i Tiranës Erion Veliaj premtoi se kryeqyteti do të kthehej në një qytet modern. Modernizimi i qytetit përveç vizave të bardha që tani janë me ngjyra dhe pamje të ndryshme, tani nuk do të ketë më edhe kioska dhe ambulantë që sipas Bashkisë shëmtonin qytetin. Bashkia e Tiranës ka marrë një vendim për të zhdukur “çibanët” siç ajo ka qejf ti quaj. Në Tiranë ka disa muaj që nuk ekzistojnë më çiban të vjetër, pasi modernët po shtohen pa masë. Ka disa kohë që në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit nëpër stacionet e autobusëve dhe pranë trotuareve më të popullarizuar, janë vendosur disa kioska që mbajnë mbishkrimin Bashkia Tiranë . Kjo situatë me mbirjen e këtyre kioskave si “kërpudha pas shiut” vjen menjëherë pas aksionit të ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës e cila me forcë largoi tregtarët ambulantë që shisnin në trotuare, sa për të fituar bukën e gojës dhe vendin që ata zinin e zëvendësoi me disa kioska moderne. Mesa duket aksioni i ndërmarrë nga bashkia për të liruar trotuaret me pretekstin se u përkasin këmbësorëve dhe jo tregtarëve ambulantë paska qenë frika e konkurrencës për biznesin e ri që bashkia do të ngrinte. Në disa shkrime të publikuar në media thuhet se kryebashkiaku i ka tenderuar këta kioska për interesa e veta.
Reagimi i këshilltarëve të PD
Në lidhje me këtë situatë kanë reaguar para disa ditësh dhe këshilltarët e Partisë Demokratike pranë bashkisë së Tiranës të cilët i janë drejtuar me një kërkesë për dhënie informacioni në lidhje me vendosjen e disa kioskave në territorin e bashkisë. Nga ana tjetër burime po nga ana e bashkisë së Tiranës kanë konfirmuar për gazetën “Standard” se edhe këshilltarët e LSI- së kanë dërguar një kërkese Zyrave të Protokollit brenda bashkisë së Tiranës në lidhje me këtë çështje. Pra çështja e ngritjes së kioskave nuk është një shqetësim vetëm nga ana e këshilltarëve të djathtë, por edhe atyre të LSI-së. Por përveç shqetësimit që kanë partitë politike, kioskat e reja janë një shqetësim shumë i madh për qytetarët. Qytetarët janë shmangur fare nga kjo çështje dhe kanë parë vetëm ndryshimin që ka ndodhur në terren dhe jo si ka ndodhur. Ndërkaq gazeta ka mundur të sigurojë shkresën që këshilltarët e djathtë pranë bashkisë Tiranë i kanë dërguar kryebashkiakut Veliaj në lidhje me vendosjes e disa kioskave në territorin e bashkisë së Tiranës, për të cilën ata ende nuk kanë marrë një përgjigje. Kjo gjë ndoshta bëhet nga bashkia e Tiranës për të rregulluar edhe detajet e vogle, për tu dukur sikur gjithçka është shumë e rregullt. Ose ndoshta bashkia fsheh diçka shumë të madhe në lidhje më këtë çështje.
Kërkesa drejtuar Bashkisë Tiranë
Kryetari i Këshilltarëve të Partisë Demokratike pranë bashkisë së Tiranës Leonard Olli në kërkesën drejtuar kryebashkiakut Veliaj në lidhje me ngritjen e kioskave në territorin e kësaj bashkie shkruan se: “Rregullore për organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e administratës së aparatit të Bashkisë së Tiranës”, në cilësinë dhe në ushtrim të funksionit të kryetarit të Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike, kërkoj të pajisem me informacionin e detajuar si dhe dokumentacionin përkatës, në lidhje vendosjen e disa kioskave që shohim me sy të lirë në territorin e Bashkisë e konkretisht: A janë këto kioska në pronësi dhe në përdorim të Bashkisë Tiranë dhe në rast se po cila është baza ligjore e ndjekur, procedura e zbatuar, vlera e tyre dhe cili subjekt i ka prodhuar?; Cila është procedura dhe baza e ligjore e ndjekur për vendosjen dhe shpërndarjen e tyre në territorin e Bashkisë dhe mënyra e funksionimit të tyre? Në rast se këto kioska funksionojnë në bashkëpunim me palë të treta apo u përkasin palëve të treta, cila është marrëdhënia juridike e krijuar ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe subjekteve private, të cilët ushtrojnë veprimtari tregtare në këto kioska? (dokumentacioni përkatës); Cilat janë të drejtat dhe detyrimet (financiare dhe jo-financiare) e Bashkisë Tiranë dhe subjekteve privatë që rrjedhin nga marrëdhënia juridike ndërmjet tyre; (dokumentacioni përkatës) Duke e vlerësuar si thelbësore për respektimin e standardeve të shtetit të së drejtës jo vetëm garantimin e parimit të ligjshmërisë, por edhe qeverisjen transparente, mbetemi në pritje të informacionit dhe dokumentacionit përkatës, brenda afatit ligjor” shkruhet në kërkesë. Bashkia nuk jep informacion për kioskat Rikthemi i kioskat në rrugët e Tiranës por ndryshe nga zaptimet e privatëve dikur, këtë herë vendosen nga vete Bashkia e Tiranës. Disa prej tyre kanë zënë vend në zonat kryesore dhe më të populluara të Tiranës ndërsa disa kanë filluar të hapin qepenat dhe të ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve duke shitur produkte utilitare. Nën logon e Tirana parking dhe asaj të Bashkisë së Tiranës këto kioska pritet të shtohen, por nga bashkia e Tiranës askush nuk jep informacion nëse administrohen nga Bashkia apo u jepen me qira të tretëve dhe mbi ç’baza përcaktohet vendndodhjet e tyre. Bashkia nuk jep informacione nëse në këto kioska do të shpërndahet edhe shtypi i shkruar që sot shihet nëpër stenda ambulantesh. Para 15 vjetësh botuesit e shtypit kanë paraqitur një projekt për shpërndarjen e shtypit në kioska, në një sipërmarrje të përbashkët. Ndoshta këto kioska mund të shërbenin për ta zbatuar atë projekt, por me pronare bashkinë e Tiranës. Gjithçka që mund të thonë është se kanë parë që montimi është bërë nga makinat e Bashkisë së Tiranës.
Zhdukja e kioskave të gazetave për të shitur cigare
Modernizimi i qytetit duket se është bërë edhe për një arsye tjetër, për të zhdukur shitjen e gazetave. Deri para disa javësh gazetat shiteshin nëpër kioska të qytetarëve të ndryshëm, por duket se me planin e ri nuk do të ketë më shitje të gazetave. Në çibanët modern nuk kemi parë që të shiten gazeta dhe duhet se është gjendur edhe një zgjidhje për këtë gjë. Një urdhër që është firmosur nga Erion Veliaj, ka mbërritur pranë shitësve të gazetave, të cilët me t’u njohur me të, kanë shprehur indinjatën për atë ç’ka i pret. Tani në kioskat e reja shiten cigare dhe patetina, por vetëm gazeta jo. Veliaj kërkon në mënyrë taksative që brenda 5 ditëve, të gjithë shitësit të heqin vetë tezgat dhe kioskat e ngritura prej vitesh nga vetë ata. Kioskat dhe tezgat do të largohen nga vetë Policia Bashkiake me mjetet e tyre. Por nga kjo gjë lindin shumë pyetje që nuk marrin dot përgjigje. Pse Bashkia ka marrë këtë veprim? Pse ka mungesë informacioni për këtë çështje? Pse Bashkia zhduku çibanët e vjetër për ti zëvendësuar me modern? Dhe në fund si bëhet përzgjedhja e shitësve të rinj, pasi normalisht duhet që të punësoheshin ata që kanë pasur kioskat e vjetrave?