PISA 2016, rrëzoi me themel reformat e të ashtuquajturës arsimi i gjeneratës tjetër

0
661

Dr. Ndriçim Mehmeti

 Për çudinë më të madhe Kryeministri duket mezi kishte pritur rezultatet e PISA 2016, që të krenohej se arsimi i gjeneratës tjetër triumfoi ashtu sikundër Rama kishte paralajmëruar. Dhe shembulli më i mirë paskësh qenë PISA 2016.

Po cili është absurditeti i qëndrimit të Kryeministrit Rama?

Nuk ka asgjë të keqe që Kryeministri, të kënaqet në rast se vlerësimi në PISA i nxënësve të vendit të tij është i lartë.  Por ajo që të habit më shumë është që Rama, mburret me punën e të tjerëve dhe e vjedh atë në mënyrë të paskrupullt, duke e shitur si fitore të tijën. Rama shpejtoi të thotë se “arritjet në PISA 2016, ishin rezultat i politikave të tij arsimore”. Nëse bëjmë një analizë të shpejt të asaj me të cilën mburret kryeministri Rama, që në fillim të bie në sy se nxënësit 15 vjeçar, të cilëve ai referohet e kanë filluar shkollën në vitin 2006-2007. Po ashtu Rama harron ose nuk e di që këta nxënës kanë mësuar me ato tekstet shkollore, të cilat Rama e Nikolla, i konsideruan si libra me “të meta të mëdha, problematike, që kanë keq mësuar fëmijët”. Madje më shumë se njëherë Nikolla i është drejtuar prindërve, mësuesve, popullit, duke deklaruar që “ka shpëtuar prindërit dhe nxënësit nga tekstet me probleme”. Po ashtu për tre vite dëgjuam muzikën shurdhuese deri në neveri të “mësueseve të paaftë, të pa trajnuar, të paditur, të politizuar, etj”. Dhe këto fjalë nuk i ka thënë një njeri dosido, por Kryeministri Rama, ministrja e arsimit e më pas sejmenët brenda e jashtë MAS. Tani PISA nxjerr në pah fakte, që rrëzojnë me themel reformat e ndërmarra nga qeveria e z. Rama dhe të zbatuara me zell e pa asnjë mëdyshje nga Ministria e Arsimit. Kjo të çon vetiu drejt një analize duke ngritur disa pyetje.

Rezultatet e PISA 2016, tregojnë se nxënësit kanë përfituar dije të mira dhe shumë të mira. Kjo do të thotë se kurrikula, programi mësimor, mësuesit dhe e gjithë infrastruktura arsimore, prej së paku vitit 2007, janë qartësisht ët suksesshme. Pra për rrjedhojë logjike, kurrikula, programi mësimor i zbatuar deri në vitin 2016 dhe që ka nisur prej vitit 2007, mund të përmirësohej, modernizohej por kurrsesi të hidhej poshtë, pa asnjë analizë serioze dhe pa marrë paraprakisht pikërisht rezultatet e PISA 2016. Shtojmë këtu edhe faktin se kurrikula e re në arsimin 9-vjeçar ka vetëm dy vjet që po aplikohet dhe nuk mund të japi kurrsesi, rezultate menjëherë. Për të vazhduar më tej, a do të kishim këto rezultate nëse nuk do të kishim mësues të përkushtuar? Natyrisht që jo. Atëherë pyetja tjetër që shtrohet është: Ai do t’i përmbahet ende, Kryeministri Rama, deklaratës së tij se “mbi 150 mijë nxënës mësohen nga mësues pa arsim përkatës”?. Natyrisht që PISA 2016 e përgënjeshtroi kryeministrin fund e krye. A do të kishim këto rezultate të mira në PISA 2016, nëse nuk do të kishim një infrastrukturë të efektshme arsimore? Natyrisht që jo. Mbi 1200 shkolla të rikonstruktuara dhe të reja, në vitet 2005-2013, kanë përmirësuar dukshëm kushtet e mësimdhënies, ndonëse mbetet ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim.

Duke vazhduar më tej Rama, shton se “ai dhe qeveria e tij rrëzuan modelin e shkatërruar të arsimit në Shqipëri”.

Po si ka mundësi që ky model i shkatërruar triumfon në një nga testimet më serioze në botë. Kjo tregon se kryeministri në rastin më të mirë është krejt i painformuar dhe i janë servirur faktet të paqena për arsimin dhe në rastin më të keq, ai vetë ka dëshiruar që me të ashtuquajturat reforma të ndërmarra të çojë arsimin në rrugë pa krye. Në të dyja rastet kryeministri Rama, duhet të kuptojë se në tre vite e kusur, ai ka shpenzuar energji të mëdha e të panevojshme, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e arsimit në Shqipëri. Rama nuk na tregon dot se sa shkolla të reja janë ndërtuar në qeverisjen e tij, sa laboratorë shkencor, mjete didaktike janë shtuar prej shtatorit 2013 e deri më sot. Rama nuk na tregon dot sesa ka mundur të përmirësojë kushtet e punës dhe pagesën e mësuesve, nuk ka mundësi të na thotë dot se ka shkëputur arsimin nga kthetrat e politikës. Duke nisur nga rasti Tabaku e shumë e shumë të tjera, Rama ka treguar se qeveria e tij e ka kthyer arsimin në një strehëz të ngrohtë të militantëve ku gëlon paaftësia, dhuna e drejtuesve ndaj mësuesve dhe korrupsioni.

Kryeministri nuk na thotë dot sesa të sigurta janë shkollat, ku për çdo muaj janë shënuar incidente të rënda, gjatë së cilave përdorimi i armëve të ngrohta e të ftohta nuk ka munguar. Reforma e teksteve që do të shpëtonte fëmijët tanë, në themel të saj ka klientelizmin i denoncuar më shumë se njëherë nga prindërit dhe mësuesit. Tekstet janë të mbushura me gabime të rënda drejtshkrimore e shkencore, çka e bëjnë të pamundur një mësimdhënie më të efektshme. Trajnimi i mësuesve ka shënuar pikën më të ulët të seriozitetit, ndërkohë që drejtuesve të shkollave të zgjedhur në shumicë sipas bindjeve politike të qeverisë, u ofrohet certifikata e drejtuesit nga një institucion i jashtëligjshëm siç është Instituti i Lidershipit Arsimor. Nëse këto quhen rezultate, pozitive, arritje e reforma, atëherë mund të biem dakord se vërtet është bërë punë. Për t’ju kthyer suksesit imagjinar të kryeministrit Rama në fushën e arsimit, është ende herët, që ai ta pretendoj këtë. Kurrikula e re anglo-saksone është ende në embrion. Ajo është aplikuar në klasën e parë dhe gjashtë dhe po pilotohet në klasën e dytë dhe të shtatë të arsimit 9-vjeçar. Në vitin shkollor 2017-2018, ajo do të pilotohet në klasën 3 dhe 8 më pas në klasën 4  dhe 9 dhe në fund klasën e 5-të. Pra do së paku 3 vjet që të përmbyllet faza e zbatimit dhe pilotimit. Rezultatet e para kjo kurrikulë e re do t’i japi jo më vonë se viti shkollor, 2023-2024, kohë në të cilën Rama mund të ketë rastin të mburret ose të turpërohet me atë çka bëri për arsimin parauniversitar në Shqipëri. Deri atëherë, kryeministri në rast se nuk dëshiron të përgëzojë paraardhësin e tij, të paktën të përulet para punës së shkëlqyer të mësuesve. Kjo do të ishte edhe mundësia më e mirë, për një ndjesë në distancë ndaj mësuesve, ndonëse borxhi që ka ndaj tyre thellohet gjithnjë e më shumë. Megjithatë Rama do të vazhdojë rrugën e nisur, për sa kohë është i bindur se jeta në tokë ka filluar me qeverisjen e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here