Ndryshe nga politika e madhe në Parlament, këshilltarët e rinj të bashkisë Tiranë të të gjitha forcave politike kanë gjetur një mënyrë bashkëpunimi që synon të shtojë kuotat e të rinjve në listat e kandidatëve dhe për të treguar se pushteti nuk është vetëm i forcës që ka shumicën në këshill ata votuan një përfaqësues nga LSI dhe një nga PDIU, si kryetar dhe nënkryetar i Aleancës së Këshilltarëve të rinj.
“Kjo aleancë do të shërbejë si një trup i vetëm, i bashkuar, i fortë për të qenë mburojë e të drejtave dhe interesave të të rinjve”
“Në bashkëpunim me forumet politike, me organizata dhe grupime rinore të ndryshme do të bëjmë të pamundurën për ti dhënë zë shqetësimeve dhe problemeve të rinisë si buxhetimi rinor, karta e studentit, aboneja e studentit, hapësira publike të dedikuara për të rinjtë, punësimi etj.
Sipas kreut të Këshillit bashkiak, nisma do të gjejë mbështetje edhe në Këshill.
Dalipi: Fakti që aleanca është nga të gjitha grupimet politike në këshillin e Tiranës është për tu përshëndetur dhe inkurajuar. Besoj se alenaca juaj do të jetë konkurruese në ide dhe projekte në të ardhmen.
Krijimi i kësaj aleance bëhet pasi për herë të parë vendosja e kuotës rinore 30% në zgjedhjet e kaluara solli një shtim të numrit të të rinjve në Këshillat Bashkiak në të gjithë vendin.