Vettingu, Xhafaj: Kushtetuesja ta konsiderojë tejet prioritare dhënien e vendimit

1
180

Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj deklaroi të premten se Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet sa më parë për ligjin e Vettingut, pasi kjo është në përmbushje të misionit dhe interesave të qytetarëve.

“Është në përgjegjësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe në dinjitetin e anëtarëve të saj që ta konsiderojnë një gjë tejet prioritare dhënien e vendimit për Vettingut”, deklaroi Xhafaj, në një prononcim për mediat.

Kjo, sipas tij, është fare e thjeshtë, pasi punën ua ka thjeshtuar Komisioni i Venecias me opinionin e tij, kështu që do ju duhet fare pak punë për të hartuar vendimin final, për një çështje kaq të debatuar”, u shpreh Xhafaj.

Gjyqtarët kushtetues, tha ai, janë sot para një përgjegjësie të veçantë për t’u ndarë nga gjykimet dhe pritshmëritë individuale dhe për të parë se çfarë është në interesin e qytetarëve. Ata janë sot përballë sfidës nëse do ta ruajne integritetin dhe imazhin politik që kanë krijuar ndër vite, përballë qytetarëve të këtij vendi.

Më 10 dhjetor Komisioni i Venecias shpalli opinionin e tij për ligjin “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” (Vetting-u), duke u shprehur se dispozitat e tij nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe nuk perbejne problem për asnjë nga kater çështjet e ngritura nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila i kërkoi Venecias të marrë nje opinion rreth projektit të miratuar nga parlamenti më 30 gusht të këtij viti.

Prononcim për mediat i Kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z. Fatmir Xhafaj

Besoj se jeni në dijeni të faktit që Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi pati sot një mbledhje ku u prezantua paketa e dytë e projektligjeve që shoqërojnë paketën kushtetuese për reformën në drejtësi. Është një paketë prej 27 projektligjesh që kanë të bëjnë me elementë të rëndësishëm të reformimit të sistemit të drejtësisë. Nëse me paketën kushtetuese hodhëm bazat e reformimit të sistemit të drejtësisë, me 7 ligjet prioritare ndërtuam arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë, me këto 27 projektligje i japim mundësi sistemit për të funksionuar me efikasitet. I japim mundësinë qytetarëve për të pasur një drejtësi të pavarur, më të shpejtë dhe në shërbim të tyre.

Natyrisht është një paketë, siç u konstatua me shumë të drejtë edhe nga kolegët e komisionit, një paketë shumë e rëndësishme, sepse ka të bëjë me thelbin e funksionimit të sistemit, sepse ka të bëjë me marrëdhëniet e qytetarëve me sistemin, sepse ka të bëjë me dhënien e drejtësisë. Mendoj që do të jetë një paketë që do t’i japë një dimension tjetër kësaj marrëdhënie, do t’i japë një dimension tjetër funksionimit të sistemit dhe cilësisë së dhënies së drejtësisë dhe efikasitetit të tij.

Janë 27 projektligje që do të depozitohen për të hyrë në procedurën parlamentare dhe për tu shqyrtuar nga Komisioni dhe më pas nga seanca plenare. Natyrisht, nuk është një gjë e lehtë. Ju e dini që kjo periudhë 2-vjeçare ka qenë një periudhë e vështirë. Sepse para se të jetë një periudhë që ka të bëjë me gjithë infrastrukturën e procesit të reformës, ka qenë njëkohësisht edhe një betejë midis atyre që e kanë mbështetur fort këtë reformim të sistemit dhe atyre që e kanë kundërshtuar, e kanë luftuar dhe vazhdojnë ta lutojnë fort për të penguar reformimin e sistemit të drejtësisë, që natyrisht është një lokomotivë që nuk ka për t’’u ndalur në stacionin e tyre, por në stacionin e qytetarëve padyshim që po.

Z. Xhafaj këto 27 ligje do të vazhdojë t’i shqyrtojë Komisioni i Reformën në Drejtësi apo do të ketë një propozim nga ana e komisionit që paketa e mbetur të diskutohet në Komisionin parlamentar të Ligjeve?
Pyetja është shumë interesante. Ka qenë një diskutim që është bërë sot në Komision dhe ne mendojmë që t’i propozojmë Konferencës së Kryetarëve dhe seancës plenare të datës 22 që t’i kalojë për shqyrtim procedimit të mëtejshëm Komisionit të Ligjeve, për arsye se është një paketë projektesh që është në natyrën e punës të Komisionit të Ligjeve. Edhe për shkak sepse në thelb edhe qëllimi kryesor i Komisionit të Posaçëm ka qenë hartimi i kësaj pakete dhe me paraqitjen e këtyre 27 projektligjeve, po them përmbushet përgjithësisht funksioni i Komisionit të Posaçëm dhe kjo mund të jetë një procedurë që mund t’i kalojë normalisht Komisionit të Ligjeve edhe pse kjo është në rutinën e punës së tij të përditshme. Edhe për një arsye tjetër, dhe dua të jem i sinqertë në këtë pikë, viti që vjen është një vit zgjedhor dhe qenia në një Komision të Posaçëm, mund ta politizojë më tej atmosferën e debatit rreth këtyre 27 projekteve, ndërsa kalimi në normalitetin e punës të Komisionit të Ligjeve mund ta bëjë ashtu siç edhe është, një debat më shumë teknik se sa politik.

Keni një kalendar kur mundohet se mund të kalojë kjo paketë e dytë?
Është një punë voluminoze të jem i sinqertë. Janë 27 projekte. Disa prej tyre janë projektligje shumë të rëndësishme ,sidomos kodet e procedurave. Është pak periudhë e ngarkuar, por besoj që tre mujori i parë do t’i ketë të mbyllura duke i ndarë sipas prioritetit që kanë. Kodet e procedurave do të kalojnë përpara, sidomos Kodi i Procedurës Penale.

Rikthimi i opozitës në komision, ju bën optimist se këtë herë ajo do të jetë pjesë e diskutimit në këtë paketë të dytë?
Opozita hynte, dilte, vinte, ikte, kështu që mbetet për ta parë.

Do me thënë ju thoni se para zgjedhjeve të 2017-s, Komisioni i Ligjeve do të ketë mundësi të shqyrtojë plotësisht paketën e dytë të 27 ligjeve sipas kalendarit paraprak?
Se do ta shqyrtojë Komisioni i Posaçëm apo Komisioni i Ligjeve, për një gjë jam shumë i bindur se të 27 projektet do të miratohen përpara zgjedhjeve elektorale. Reforma do të jetë e kompletuar në shërbim të qëllimit kryesorë, reformimit të sistemit. Dhe natyrisht qytetarët, atë mision që ne kishim do ta shohin të përmbushur.

Ligji i Vetting-ut është në Gjykatën Kushtetuese, si palë e interesuar drejtpërdrejtë, keni informacion se kur Gjykata do të mblidhet për të dhënë vendimin për ligjin e Vetting-ut?
Së pari, ne nuk jemi të vetmit të interesuar për këtë gjë. Para se të jemi ne, politika e interesuar, janë qytetarët e këtij vendit që po presin me padurim të shohim Gjykatën Kushtetuese të përmbushë misionin dhe përgjegjësinë e saj ndaj interesave të vendit, ndaj interesave të qytetarëve. T’i qëndrojë korrekte asaj për të cilën të gjitha palët e përfshira në këtë proces kanë thënë, Opinionit të Komisionit të Venecias./BW

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here